Ismet Hajrullahu: Rusia dhe fundi i paqes botërore
Rusia ka zgjedhur të rrisë praninë e saj bërthamore dhe ushtarake pranë kufirit me Finlandën, duke ndërtuar objekte të reja në Arktik dhe duke forcuar infrastrukturën në Gadishullin Kola. Ky zhvillim, i konfirmuar nga ministri i mbrojtjes së Finlandës Antti Häkkänen në Konferencën e Sigurisë në Mynih, të kujton epokën e Luftës së Ftohtë.
Arktiku, i cilësuar si “kritik” për mbrojtjen evropiane, po kthehet në një arenë ku rivaliteti mes fuqive të mëdha po merr përmasa të reja.
Në fillim të shkurtit 2026, përfundoi traktati New START, marrëveshja e fundit që kufizonte arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë. Pa këtë kornizë, dy superfuqitë janë të lira të veprojnë pa kontroll, duke rritur rrezikun e një gare të re armatimesh. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se kjo po ndodhi në kohën më të papërshtatshme, kur tensionet globale janë të larta dhe besimi mes palëve është i ulët.
Kjo situate e krijuar ngre pyetje të mëdha për paqen botërore….
Pse nuk u rinovua një marrëveshje kaq jetike dje a është mungesa e vullnetit politik, apo një strategji e qëllimshme për të treguar forcë?!
Çfarëdo që të jetë arsyeja, pasojat janë të qarta, se arsenalet bërthamore mund të rriten, dhe çdo incident i vogël mund të kthehet në krizë globale.
Europa, e vendosur mes dy fuqive, e ndien më shumë se kurrë nevojën për unitet …
Arktiku është një pikë strategjike ku përcaktohet e ardhmja e sigurisë kontinentale.
Nëse historia na ka mësuar diçka, është se mungesa e marrëveshjeve dhe kontrollit çon gjithmonë drejt pasigurisë.
Sot, bota po hyn në një fazë të re, ku paqja nuk mund të merret si e mirëqenë.
Prandaj, mendoj se është koha që udhëheqësit politikë të rikthejnë diplomacinë si mjetin kryesor të sigurisë globale.
Pa një marrëveshje të re bërthamore, pa një kornizë të përbashkët kontrolli, bota rrezikon të rrëshqasë drejt një pasigurie.
Ne, si pjesë e rajonit evropian dhe një vend i vogël, por i ekspozuar ndaj pasojave të tensioneve globale, nuk mund të qëndrojë indiferente.
Institucionet tona duhet të forcojnë politikat e sigurisë, të rrisin bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe të jenë të përgatitura për sfidat që sjell një botë pa marrëveshje bërthamore. Në një kohë kur paqja botërore vihet në pikëpyetje, ne si shtet i ri duhet të tregojmë maturi dhe vizion, duke e parë sigurinë kombëtare si pjesë të pandashme të sigurisë evropiane. Vetëm kështu vendi ynë mund të mbrojë të ardhmen e tij dhe të kontribuojë në stabilitetin e rajonit…