Marash Mirashi: PARFUM I KUQ
Kam qenë dikur një pëlhurë reje
thurur me riga shiu
në stinën gri të harrimit
kur qaja
humbjen e kujtesës së trëndafilave.
Në kopsht, asnjëra prej luleve
s’më thërret në emër.
Jam veçse një aromë
mbi barin, ku një bulëz vese
kujton se është loti im.
Nuk e kam parë kurrë më
muzgun e siluetave
që ikin duke lënë pas
parfumin e kuqrremtë
mbi qafën tënde si mjellmë.