Cikël poetik nga Avdush Canaj
JAM I VARFËR E I PASUR
Jam i varfër
e i pasur.
Me një pulëbardhë pikture
shkoj në det
delfinët ma mësojnë notin
për një orë
Bilbili i përrallës së gjyshit
është biletë imja
bashkë shetisim botën
me trenin e erës
deri te mrekullia e shtatë
Edhe puthja kryen punë
për të parë nga dritarja e lules
si vjen ëndrra në kopsht
në krahët e buzëqeshjes
Kam kitarën magjike
të pëllumbave të dashurive
zemërimin e kthejnë
në përqafime
Jam i varfër e i pasur
me të vërtetë.
TEK MUZIKË E VARGUT
Të gjithë e dinë:
Tek muzikë e vargut
Kam shtëpinë
Me një mollë
E një fik.
Në degët e pranverës
Bleroj këngët si zogjtë
E rritem bashkë me ju
Rritem një përçik.
EMRIN TIM E FSHIU ME GOMË
Trokiti dera, trokiti
Një ditë pranverore
Ishte vdekja, ajo ishte
Erdha të të marr për dore
Kam nis një libër, i thashë
Me vargje gjithë blerim
Dua t`i gëzoj si përherë
Fëmijët e planetit tim
Kur ta thur mirë e mirë
Me fluturat në avlëmend
Eja e më merr mua pastaj
Siç merr gjithë me rend
Iu zbut zemra vdekjes
Iku me anije nëpër det
Emrin tim e fshiu me gomë
Nga fletorja e vet.
KOSOVË
KOSOVË,
ashti im i shpuar,
lulëkuqja e gjakut tim,
gëzuar Ditën Tënde!