Albspirit

Media/News/Publishing

Merita Bajraktari: Thirrje për reflektim, pajtim dhe rindërtim institucional

 

Me respekt të thellë për çdo anëtar të familjes sonë vatrane, ndaj këtë mesazh me ndjenjë  përgjegjësie dhe shqetësimi për të ardhmen e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”. 

Si një shqiptaro-amerikane që kam pasur nderin të jem anëtare aktive për më shumë se dy dekada,  në role të ndryshme në këtë institucion historik, e ndiej detyrë morale të flas në një moment që kërkon jo vetëm reflektim, por edhe përgjegjësi dhe veprim. 

Për shumë prej nesh, Vatra nuk ka qenë thjesht një organizatë e diasporës. Për 114 vite ajo ka qenë një mision, një institucion kombëtar dhe një simbol i përkushtimit të shqiptarëve të Amerikës ndaj çështjes shqiptare. Që nga koha kur kontribuoi në përpjekjet për Pavarësinë e Shqipërisë, Vatra ka qenë një zë i rëndësishëm i ndërgjegjes kombëtare në diasporë. 

Megjithatë, sot është e qartë se Vatra po përballet me një nga periudhat më të vështira të historisë së saj moderne. Mungesa e mbajtjes së një Kuvendi të Përgjithshëm për disa vite, komunikimi i  kufizuar institucional dhe konfliktet ligjore që prej rreth nëntë vitesh mes vatranëve të ndarë në  grupime të ndryshme kanë krijuar një klimë mosbesimi që ka dobësuar funksionimin demokratik  të organizatës. Vetë prania e dosjeve ligjore në gjykata që lidhen me Vatrën tregon se kjo krizë nuk  është më vetëm një mosmarrëveshje e brendshme, por një çështje që prek seriozisht reputacionin  dhe besueshmërinë e institucionit. 

Këto zhvillime nuk janë vetëm çështje procedurale. Ato prekin drejtpërdrejt besimin, dinjitetin dhe  frymën e bashkimit që e ka mbajtur Vatrën të fortë për më shumë se një shekull. Kriza aktuale nuk  është thjesht një konflikt mes individësh; ajo është një sfidë për funksionimin demokratik dhe për  legjitimitetin institucional të Vatrës. 

Themeluesit tanë, Imzot Fan Noli dhe Faik Konica, e ndërtuan Vatrën mbi parime të qarta:  demokracinë e brendshme, respektin ndaj rregullave institucionale dhe bashkimin rreth interesit  kombëtar. Kanunorja e vitit 1926 mbetet një trashëgimi e çmuar dhe një document udhërrëfyes për  mënyrën se si organizata duhet të funksionojë edhe sot. 

Në këtë moment kërkohet profesionalizëm, maturi dhe një dialog i sinqertë që vendos interesin e  Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” mbi çdo interes personal apo grupor. Historia e  Vatrës na kujton se forca e saj nuk ka ardhur kurrë nga përjashtimi, por nga bashkimi i njerëzve  që, edhe kur kanë menduar ndryshe, kanë ditur të qëndrojnë të bashkuar për një qëllim më të madh. 

Në këtë frymë, mendoj se disa hapa konkretë janë të domosdoshëm për të rikthyer stabilitetin  institucional dhe besimin mes vatranëve: 

1. Krijimi i një Komisioni të Pavarur Pajtimi dhe Rishikimi Institucional. Ky komision duhet të përbëhet nga vatranë të respektuar dhe figura të besueshme të komunitetit,  me detyrën për të analizuar ndasitë, për të dëgjuar palët dhe për të rekomanduar masa që ndihmojnë  Vatrën si institucion dhe jo interesat e individëve. Kete duhet ta kerkoje lidershipi per te fituar  besueshmerine e anetaresise. 

2. Rishikimi i vendimeve për përjashtimet dhe rikthimi i anëtarësisë për vatranët e larguar që nga viti 2017, në përputhje me Kanunoren, me qëllim rikthimin e unitetit dhe besimit brenda  organizatës. 

3. Përgatitja dhe mbikëqyrja nga Komisioni i Pajtimit e procesit për thirrjen sa më të shpejtë  të një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, në përputhje me Kanunoren e vitit 1926, ku çdo anëtar të ketë të drejtën e plotë të pjesëmarrjes, fjalës dhe votës. Vetë fakti që konfliktet kanë përfunduar në gjykata tregon nevojën urgjente për një forum të tillë demokratik brenda organizatës. 

4. Miratimi në Kuvend i një rezolute për rikthimin e Vatrës në misionin e saj themelor – si  një zë i bashkuar, dinjitoz dhe i respektuar i shqiptarëve në diasporë dhe një mbështetëse e  çështjeve kombëtare. 

Këta hapa nuk janë të lehtë, por janë të domosdoshëm nëse duam që Vatra të dalë nga kjo periudhë  më e fortë dhe më e bashkuar. 

Me vullnet të mirë, me përulësi dhe me respekt të ndërsjellë, besimi mund të rikthehet. Historia e  Vatrës na tregon se kur vatranët vendosin interesin e përbashkët mbi dallimet personale, organizata  ka ditur gjithmonë të ringrihet. 

E mos harrojmë t’i drejtohemi Zotit të na ndihmojë. Sepse VATRA ka pasur gjithnjë Hirin e Perëndisë se nuk do ishte e mundur t’i resistonte 114 viteve nëse do ishte thjesht në dorën e njeriut.  

Me respekt dhe me shpresë për të ardhmen e Vatrës dhe për çdo vatran që e konsideron atë shtëpi  larg shtëpisë. 

Washington DC, 16 Mars 2026.