Iris Halili: Midis ëndrrës dhe realitetit
“Ëndrrat dalin nga subkoshienca jonë dhe vijnë për të na përcjellë kode të fshehura për të cilat nuk jemi të ndërgjegjshëm apo të na konfirmojnë edhe kode të njohura tashmë prej nesh, të cilat nuk dihet pse na rivijnë në orët e gjumit si një makth. Kudo të jemi, rrugët ku kaluam fëmijërinë, lagjet e vjetra apo ato ku jetuam do të na dalin gjithmonë në ëndërr. Bukuria më e madhe e ëndrrës është se ajo të çmall me njerëzit që s’i kemi më në jetë, të bën të flasësh me ta, të jetosh me ta pa kuptuar se, në fakt, je vetëm në një ëndërr. Dhe kur zgjohesh, ndihesh kaq mirë dhe për një çast nuk arrin dot të ndash realitetin nga ëndrra. Ndaj ëndrra për mua është një ndër fjalët më të bukura në gjuhën shqipe, por edhe në çdo gjuhë të botës. Ëndrra herë na bëhet e shkuara, herë na vjen si e ardhmja, herë është ajo që dëshirojmë dhe herë ajo që jetojmë. Më thoni një fjalë tjetër që mbart kaq shumë nga jeta dhe dëshirat tona”!