Albspirit

Media/News/Publishing

Akademik Vasil S. Tole: Ramiz Kovaçi në 100-vjetorin e lindjes

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kam kënaqësinë që t’ju uroj mirëseardhjen në këtë aktivitet nderimi që i kushtohet këngëtarit Ramiz Kovaçi, një ndër artistët më të shquar të gjeneratës së themeluesve të Teatrit të Operas dhe Baletit në Shqipëri.

Akademia e Shkencave përmes Komisionit të Përhershëm të Artit dhe Qendrës së Studimit të Arteve ka në fokus të punës së saj nderimin e jetës dhe trashëgimisë muzikore të personaliteteve të muzikës, qofshin këta krijues, interpretues apo studiues të muzikës. Përmes botimeve dhe aktiviteteve me natyrave të ndryshe, kemi kujtuar, nderuar dhe vlerësuar Prenk Jakovën, Çesk Zadejën, Dhora Lekën, Tish Dainë, Pjetër Gacin, Ramadan Sokolin, Gjon Kujxhinë, Tefta Tashko Koçon, Gaqo Çakon, Eno Koçon, Rauf Dhomin, Zeqirja Ballatën, Rafet Rudin, Albert Papariston, Fatmir Hysin, Zana Shuteriqin, Hajg Zaharjanin, Thomas Simakun, Edmond Buharanë etj, etj. Për herë të parë pas viteve 1990 organizuam edhe Konferencën e parë Mbarëkombëtare të Muzikës si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik, krahas disa aktiviteteve të tjera që kemi në vijim.

Ramiz Kovaçi jetoi dy jetë: atë familjaren dhe atë artistiken. E para e mbushur dhe e rrethuar me dashurinë e bashkëshortes dhe të familjes së tij dhe e dyta, me arritjet e shumta artistike dhe popullaritetin që ai gëzoi, kjo falë talentit dhe roleve të spikatura që realizoi, si sa i përket repertorit të operave kombëtare dhe atyre europiane e botërore. Për fat të mirë, falë kujdesit të familjes, jeta dhe veprimtaria e tij e gjerë është e dokumentuar në librin “Ramiz Kovaçi, një zë brilant dhe i papërsëritshëm”, libër i shkruar nga mbesa Ramona Tullumani dhe e bija Rania Kovaçi, si dhe në CD-në me numura të zgjedhura të interpretimeve të tij.

Megjithëse kanë kaluar shumë vite, e të tjera do të kalojnë, disa nga interpretimet e Ramiz Kovaçit si p.sh Figaro tek “Berberi i Seviljes” së Rosinit, Zhermondi nga “Traviata” e Verdit, Pagliaçi nga opera me të njëjtin emër e Leonkavalos apo roli i Kristos nga opera “Lulja e Kujtimit” e Kristo Konos dhe i Ajdin Muzakës nga  opera “Skënderbeu” e Jakovës do të mbeten në repertorin e artë të interpretimeve të operas në Shqipëri, si për përsosjet artistike të karaktereve, kjo e shoqëruar me bukurinë e këndimit të tij.

Personalisht nuk kam pasur mundësinë që ta njoh nga afër z. Kovaçi, por si ish drejtor i Teatrit të Operas, kam pasur mundësinë që të marr opinionet më pozitive për të si nga ish drejtorët e teatrit që kanë punuar me të, përmend këtu drejtorin themelues të operas prof. Albert Papariston, Mustafa Gërcalliun, Riza Hajron, Feim Ibrahimin ashtu edhe nga shumë kompozitorë e dirigjentë, si Zadeja, Daija, Krantja, Teqja etj.

Nga ana tjetër, vlerësoj së tepërmi kontributin e Kovaçit në interpretimet e ndryshme të këngëve popullore mbarëshqiptare. Siç dihet, ka një shkollë kombëtare interpretimit të muzikës sonë popullore nga këngëtarët tanë lirikë, kjo nisur prej interpretimeve brilante në disqe të Tefta Tashko Koços e Marie Krajës, atyre të  Mihal Cikos, Kristaq Antoniut dhe të Kristaq Koços. Në këtë plejadë interpretuesish të shquar bën pjesë edhe Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, Ibrahim Tukiqi (që edhe ai ka 100 vjetorin e lindjes këtë vit), e Gaqo Çako e Inva Mula, të cilët me interpretimet e tyre vijuan dhe e çuan më lart këtë trashëgimi të vyer.

Duke bërë një ftesë publike për leximin e librit kushtuar Ramiz Kovaçit “Artist i Popullit”, po e mbyll duke pohuar se trashëgimia e tij muzikore në fushën e interpretimit të muzikës kombëtare dhe asaj botërore do të jetë në fokus të institucioneve artistike e posaçërisht atyre universitare e studimore, e kësisoj emri i tij do të kujtohet ngahera për kontributet që solli.

I paharruar artisti ynë Ramiz Kovaçi!