Pse duhet të koleksionojnë pulla poste fëmijët dhe adoleshentët?
Besnik Fishta
Galerisë së pamasë të filatelisë botërore, ku edhe filatelia shqiptare zë një vend të respektuar, nuk mund t’i mungonte një emetim që të proklamojë këtë pasion në mënyrë të veçantë, sidomos për ata që përfaqësojnë të ardhmen e koleksionimit, fëmijët dhe adoleshentët. Në këtë kuadër vendoset emetimi i Postës Shqiptare i vitit 2023 ne fig.1, me temë “Filatelia, pasion i dashur”, i dizajnuar mjeshtërisht nga Artjon Baboci, i cili shpalos në mënyrë figurative dhe edukative thelbin e këtij pasioni. Në pullën e parë, në qendër të kompozimit paraqiten dy fëmijë të përqendruar mbi një album pullash. Njëri prej tyre përdor lupën, duke nënvizuar aktin e vëzhgimit të kujdesshëm dhe kërkimit, një element thelbësor i filatelisë. Prania e globit në anën e majtë është domethënëse, pasi e lidh këtë aktivitet me njohjen e botës. Pullat nuk paraqiten thjesht si objekte koleksioni, por si “dritare” drejt gjeografisë, kulturave dhe historive të ndryshme.
Në sfond, harta e botës e përforcon këtë dimension ndërkombëtar, duke e vendosur aktivitetin e fëmijëve në një kontekst më të gjerë njohës. I njëjti koncept tematik vijon edhe në pullën e dytë, por tashmë i thelluar në aspektin edukativ dhe ndërveprues. Në qendër paraqitet një fëmijë i ulur, i cili me dorë të shtrirë tregon drejt një grupi flamujsh të vendeve të ndryshme. Ky gjest simbolizon aktin e zbulimit dhe të njohjes, fëmija nuk mbetet vëzhgues pasiv, por bëhet pjesëmarrës aktiv në procesin e të mësuarit, duke “prekur” botën përmes filatelisë. Në pjesën e poshtme, veglat si gërshërët, piskatorja dhe albumet e vogla theksojnë aspektin praktik të këtij hobi, duke nënvizuar se filatelia kërkon kujdes, rregull dhe përkushtim, cilësi që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e disiplinës tek fëmijët.
Në një kohë kur teknologjia digjitale dominon mënyrën se si të rinjtë komunikojnë, mësojnë dhe kalojnë kohën e lirë, lind natyrshëm pyetja nëse hobet tradicionale kanë ende vend në formimin e tyre. Filatelia, arti i koleksionimit të pullave postare, ndonëse me rrënjë në shekullin XIX, mbetet një nga aktivitetet më të pasura në vlera edukative, psikologjike dhe sociale. Pikërisht për fëmijët dhe adoleshentët, kjo veprimtari merr një rëndësi të veçantë, pasi ndërthuret ngushtë me zhvillimin e tyre emocional, njohës dhe karakterial. Moshat e hershme dhe adoleshenca janë periudha të ndjeshme të formimit të individit. Në këto faza, fëmija dhe i riu përjetojnë ndryshime të shpejta psikike, rritje të kuriozitetit, kërkim identiteti, luhatje emocionale dhe nevojë për përqendrim e orientim.
Pikërisht në këtë kontekst, filatelia mund të shërbejë si një instrument i rëndësishëm stabilizues dhe zhvillues. Akti i mbledhjes së pullave nuk është një veprim mekanik, sepse ai kërkon vëmendje, kërkim, krahasim dhe klasifikim. Këto procese aktivizojnë mendimin analitik dhe ndihmojnë në ndërtimin e një strukture të qëndrueshme të të menduarit.Një nga dukuritë më të rëndësishme psikike në këto mosha është zhvillimi i përqendrimit. Në një realitet ku shpërqendrimi është i vazhdueshëm, filatelia kërkon fokus të qëndrueshëm. Një fëmijë që merret me pulla mëson të vëzhgojë detaje të imëta, figurat, datat, simbolet, ngjyrat. Ky ushtrim i vazhdueshëm i vëmendjes ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e aftësisë për t’u përqendruar edhe në fusha të tjera, si në shkollë apo në aktivitete krijuese.
Nga ana emocionale, koleksionimi i pullave krijon ndjesinë e arritjes dhe të përmbushjes. Çdo pullë e re është një “fitore” e vogël, një element që pasuron një tërësi më të madhe. Kjo ndjenjë progresi është thelbësore për vetëvlerësimin e të rinjve. Ndryshe nga kënaqësitë e menjëhershme që ofron bota digjitale, filatelia kultivon durimin dhe kënaqësinë e vonuar, një cilësi e rrallë, por shumë e vlefshme për jetën. Adoleshenca karakterizohet gjithashtu nga kërkimi i identitetit. Në këtë drejtim, filatelia ofron një lidhje të fortë me historinë dhe kulturën. Përmes pullave, ata njihen me ngjarje historike, figura kombëtare, tradita dhe zhvillime botërore. Kjo njohje nuk është abstrakte, por konkrete dhe vizuale, gjë që e bën më të lehtë për t’u përvetësuar. Një koleksion pullash shqiptare, për shembull, mund të shndërrohet në një udhëtim në historinë kombëtare, duke forcuar ndjenjën e identitetit dhe përkatësisë. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është zhvillimi i disiplinës dhe organizimit.
Ndërtimi i një koleksioni kërkon system, klasifikim sipas temës, vendit, periudhës apo motiveve. Fëmijët dhe adoleshentët mësojnë të organizojnë materialin, të kujdesen për të dhe ta ruajnë me përpikëri. Këto janë aftësi praktike që reflektohen më pas në jetën e përditshme dhe në përgjegjësitë akademike.
Filatelia ndikon pozitivisht edhe në shëndetin mendor. Edhe pse studimet shpesh fokusohen tek moshat e rritura, përfitimet janë të dukshme edhe tek të rinjtë. Aktiviteti i qetë, i përqendruar dhe krijues ndihmon në uljen e stresit dhe ankthit, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në jetën e adoleshentëve. Koha e kaluar duke sistemuar apo studiuar pullat krijon një hapësirë qetësie, larg presioneve të jashtme. Një dimension tjetër i rëndësishëm është ai social. Edhe pse mund të duket si një hobi individual, filatelia në thelb është një aktivitet që nxit komunikimin dhe bashkëpunimin. Të rinjtë mund të shkëmbejnë pulla, të diskutojnë për koleksionet e tyre dhe të marrin pjesë në aktivitete apo ekspozita.
Kjo i ndihmon ata të zhvillojnë aftësi sociale, të krijojnë lidhje dhe të ndihen pjesë e një komuniteti me interesa të përbashkëta. Nje shembull te tille socializimi e verejme ne fig.2 te emisionit te vitit 2022 me teme “Festivalet e femijve”, e dizajnuar serish nga Artjon Baboci, ne te cilen pulla e pare sikur dhe e dyta percjellin homazh ndaj rolit të artit dhe muzikës në jetën e fëmijëve shqiptarë, duke e bërë filatelinë jo vetëm një hobi, por edhe një pasqyrë të kulturës kombëtare.Fëmijët që këndojne në mikrofon mbi skenen, se pari me perde te kuqe dhe se dyti me perde blu, ndërsa përballë tyre ndodhet një audiencë me fëmij të buzëqeshur, dhe simbolet e notave muzikore rreth tyre e theksojnë atmosferën festive dhe muzikore.
Është me rëndësi të theksohet se filatelia nuk duhet të shihet si një mjet fitimi, sidomos për moshat e reja. Në një botë ku shpesh vlera matet me përfitimin material, ky pasion i mëson të rinjtë të vlerësojnë dijen, historinë dhe estetikën. Ata mësojnë se disa gjëra kanë vlerë jo sepse shiten, por sepse tregojnë një histori dhe ruajnë një kujtesë. Për më tepër, filatelia nxit të mësuarin e pavarur. Një fëmijë që interesohet për një pullë të caktuar shpesh kërkon të dijë më shumë, për vendin nga vjen, për figurën që paraqet apo për ngjarjen që simbolizon. Kjo e shtyn drejt kërkimit, leximit dhe zgjerimit të horizontit të tij njohës. Në këtë mënyrë, mësimi nuk mbetet i kufizuar në kornizat e shkollës, por bëhet një proces i vazhdueshëm dhe i motivuar nga vetë interesi.
Pra ne kohet e sotme, filatelia për fëmijët dhe adoleshentët nuk është thjesht një hobi i së kaluarës, por një mjet i fuqishëm formimi. Ajo ndikon në zhvillimin e përqendrimit, durimit dhe disiplinës, forcon vetëvlerësimin dhe stabilitetin emocional, pasuron njohuritë dhe ndihmon në ndërtimin e identitetit. Në një realitet gjithnjë e më të shpejtë dhe të fragmentuar, ky pasion ofron një ritëm më të qetë, më reflektues dhe më të thellë. Pikërisht për këtë arsye, nxitja e filatelisë tek të rinjtë nuk është vetëm një zgjedhje kulturore, por një investim i drejtpërdrejtë në zhvillimin e tyre si individë të plotë dhe të ndërgjegjshëm.