Xheni Krypi: Lavdi dëshmorëve… përjetë Shqipëri!
Nën qiell të hapur ku era mban një zë,
dëgjohen hapa që s’kthehen më,
janë ëndrra mbetur në prag rinie,
që u bënë dritë për Shqipërinë.
Ishin djem, ishin vajza si ne,
me buzëqeshje të pastra, me ëndrra në sy,
por kur atdheu thirri në ditë të vështirë,
u ngritën si flakë… për tokën e lirë.
Lanë pas nënë e baba, lanë emra pa zë,
lanë dashuri të pathëna… që jetojnë përherë,
gjaku i tyre u bë gur themeli,
mbi të cilin u ngrit ky vend, ky diell.
Në çdo hap të tokës, në çdo gur e çdo mal,
rreh një histori, një plagë, një fjalë,
mbi dhimbje të thellë u ngrit ky atdhe,
si dritë që s’shuhet… si emër që s’vdes.
Sot ne përkulemi me shpirt e me mall,
me zemra të mbushura… me lot pa fjalë,
dhe themi me zë që kumbon në liri:
Lavdi dëshmorëve… përjetë Shqipëri.