Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Dragoti: TRADHËTUAR

Tradhëtuar ndihem nga vetja,
sa herë kujtesa ngre siparin e mëkatit.
Jam zvarritur,
kur mund të ngrihesha, sa lutjet.
Kam ndërtuar heshtje, si varka shpëtimi,
Duke shkallmuar guximin,
kam dënuar fjalët.
Jam zgjuar netëve, pa i parë ëndrrat
për t’i bërë kujtime.

Tradhëtuar ndihem edhe nga fati.
Ai rrotull më vjen si orbitë.
më ndjek nga dasma e prindërve,
me një kujtesë të habitshme.
Shpesh përmbytet, si anije me vela
pas çdo dallge që ngre preludi i dashurive.
Ato avullojnë si vesa
mbi stinëverën e gjetheve.

Më shumë tradhtuar jam nga njeriu,
ai që diellin nuk lind dot në sy.
Mbjell djerrina në vend të agimeve
ngre lapidarë për arritje
që i vret me tehun e zilisë.

Tradhtia me emrin “Rozafë”.
Në këmbë mban një kështjellë prej shekujsh,
si këngë të pa gojësh, jehon besa,
ajo që i ngritën mungesës.