Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Ftesë në studion krijuese të Koço Kostës

Mbaj mend që në prillin dhe majin e vitit 1986 u botua në revistën “Nëntori”, në dy numra, novela e gjatë (ose romanthi) “Ata të dy e të tjerë”, një vepër që ngërthen përjetime të ndryshme njerëzore, duke vënë në qendër personazhe të ndryshëm me histori të dallueshme, të cilat përplasen dhe ndërthuren në mënyra të papritura.

Personazhet ndahen në dy kategori kryesore: “ata të dy”, të cilët janë protagonistët kryesorë të librit, dhe “të tjerët”, që janë personazhe dytësorë, por që kanë gjithashtu ndikim të madh në rrjedhën e ngjarjeve dhe në zhvillimin e tematikave kryesore.

Por papritur dikush e quajti guxim skëterre këtë libër. Librin e botuar e ndaluan: e grinë në brumatriçe, ndërkohë që ishin grabitur mjaft kopje dhe vazhdonte të lexohej.

Për “ekspertët” (gjallë edhe sot) tingëllonte reaksionare të shkruaje për të shëmtuarën, kur e bukura në atdheun socialist ishte mbizotëruese. Sipas tyre aludohej për një dashuri të thellë mes dy personazheve qendrorë të librit, Djaloshit të Pashëm dhe Peshkut të Kuq.

“Novela e shkrimtarit Koço Kosta, një novelë-pamflet nga njëra anë vështirësisht e lexueshme dhe e mërzitshme, me stil çapraz e gjuhë mjaft herë të përdhunuar, me situata të paqena, pa tipa realë e pa ngjarje, që u paguan haraç sevdave moderniste e dekadente, është nga ana tjetër, një novelë me prirje agresive, nxin realitetin tonë socialist”.

Ky ishte komenti varrosës i ekspertëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në revistën “Nëntori”.

Romani u ndalua si vepër që pasqyronte një realitet absurd, surealist e bulevardesk.

Udhëheqja nisi kryqëzatën e vet. K. Kostës iu hoq e drejta e botimit. Ndërsa Komiteti Ekzekutiv i rrethit Fier e largon nga puna dhe e “sistemon” në prodhim, në kooperativën bujqësore të Greshicës.

Në Tiranë, një nga dykëmbëshit më të zinj të diktaturës, Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, recitoi me furtunë një vjershë të vetën (!?) kundër romanit: Se Shqipërisë/ Nuk i duhet/ Një letërsi/ Me Peshk të Kuq/ E Peshk të Zi.

Ngutshëm, në Jug të vendit, në Labëri, golemasit u përgjigjën me krijimin proverbial popullor: Se dy fjalë tha Koço Kosta/Po dyqind i dërgoi Posta…

***

Si mik i hershëm i Koço Kostës kam ndjekur krijimtarinë e tij ndër vite. Mund të them se ky shkrimtar ka qenë gjithmonë Një dhe i Njëjti. Gjithmonë ka kërkuar pakëz harmoni, me shikimin e tij turbullues dhe luhatës, në botën që e ka rrethuar. Nuk ka preferuar të përsërisë. E di që letërsisë nuk i pëlqejnë përsëritjet. Me ambicje ka synuar gjithnjë më të epërmen. Nga rrëmuja e ngjarjeve ka veçuar gjithmonë elementët e thjeshtë, nga zhurma harmoninë, nga tërësia e jetës thelbin, duke e shtrydhur mushtin e saj në provëzën e tij laboratorike, duke e modeluar me duart e veta lëndën e sunduar. Në këtë proces nuk ka dashur të vdjerret as edhe një element. Për të thjeshtuar të pafundmen në të fundme, të paarritshmen në reale njerëzore, rruga e tij ka qenë një e vetme: përqëndrimi. Koço Kosta është një shkrimtar këmbëngulës, që nuk shpejton drejt përfundimeve, i ngjesh fenomenet, i kalon nëpër sitën e tij, ku mbetet çdo gjë që është e tepërt, e kërkuar, jo e rastësishme. Ai i plazmon veprat e tij pa një rregull të caktuar, pa skema, pa gjëra të sipërfaqshme dhe dekorative, pa ngjyrime dhe shartime. E tillë është ambicja e tij. Atje ku bota na jep njëmijë trajta, për atë ka vetëm një. Kosta rrëfen për gjëra që nuk ua di arsyen, pa ditur çfarë don të arrijë me veprat e tij. Jeta e tij si shkrimtar është vetë jeta e tij. Dhe pikë! Është jeta e një dëshmitari që beson se ka detyrimin moral që të përpiqet me të tëra forcat të zbulojë të vërtetat e rastësisë njerëzore. Ai ka mbijetuar vetëm në sajë të kësaj rastësie. Të arsyes pa arsye. Duke tronditur hutimin tonë egocentrik. Duke u përpjekur ta grishë njeriun, të drejtën e tij për të mëkatuar, pra për të mos pranuar fatin vetjak. Duke ditur që akti i dashurisë është siguria më e fortë e njeriut.

Në gjithë krijimtarinë e tij fiksionale, me një mbivendosje të planeve ligjërimore, me një semiotikë të pasioneve, mes vështrimit konvencional dhe ndjeshmërisë së përditshme, ravijëzohet një këndvështrim origjinal se si shenjojnë dhe komunikojnë qëniet njerëzore.

***

Shkrimtari Koço Kosta u lind më 13 maj 1941 në jug, në fshatin Suhë të Lunxhërisë. Ndërkohë që ndiqte studimet universitare për letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës, botoi shkrimet dhe librat e parë. Me librin “Unë dhe komiti” (1969), Koço Kosta merr Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Më 1986 botoi, në revistën letrare “Nëntori”, novelën “Ata të dy dhe të tjerë”. Vepra u konsiderua “skandaloze” nga regjimi komunist dhe autorit iu hoq e drejta e botimit për një periudhë disavjeçare, duke e dërguar me punë të detyruar në kooperativën e Greshicës. Koço Kosta prej vitit 1990 jeton në Tiranë.

Në vitin 1995 i akordohet Çmimi i Parë, për veprën më të mirë, nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Koço Kosta është laureat i Çmimit të Republikës, gjithashtu, me Urdhrin “Naim Frashëri”, kurse nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka dhënë mirënjohjen “Nderi i Akademisë” (2022).

Disa nga botimet e Koço Kostës:

Shënime përmes shiut (publicistikë). Botimet “Naim Frashëri”, 1968

Krismë midis gurgullimash (tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1969

Unë dhe komiti (tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1969

Bisedë në mesnatë (tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1971

Dademadhja (novela e tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1976

Buka e një stine me borë (roman). Botimet “Naim Frashëri”, 1979

Era e udhëve (novela e tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1981

Tregime te zgjedhura. Botimet “Naim Frashëri”, 1985

Ata të dy dhe të tjerë (novelë). Revista “Nëntori” nr. 5-6, 1986

Paradite me shi (novela e tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1991

Ata të dy dhe të tjerë (roman). Ribotime: “Enciklopedike”, 1994, 1986; “Gutenberg” (Greqi, 2005); “Naimi”, 2012

Nata e Sofie Kondilit (roman). Botimet “Dudaj” 2007, ribotim 2008

Absurdi (roman). Botimet “Dudaj” 2009.

Krismë midis gurgullimash (tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1969

Unë dhe komiti (tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1969

Bisedë në mesnatë (tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1971

Dademadhja (novela e tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1976

Buka e një stine me borë (roman). Botimet “Naim Frashëri”, 1979

Era e udhëve (novela e tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1981

Tregime te zgjedhura. Botimet “Naim Frashëri”, 1985

Ata të dy dhe të tjerë (novelë). Revista “Nëntori” nr. 5-6, 1986

Paradite me shi (novela e tregime). Botimet “Naim Frashëri”, 1991

Ata të dy dhe të tjerë (roman). Ribotim: “Enciklopedike” 1994, 1986; “Gutenberg” (Greqi), 2005; “Naimi” (2012)

Nata e Sofie Kondilit (roman). Botimet “Dudaj” 2007, ribotim 2008

Absurdi (roman). Botimet “Dudaj” 2009.