Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova sytë nga BE – Integrimi i Kosovës është strategjik

Ismet Hajrullahu

Vizita e Komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, në Prishtinë është më shumë se një udhëtim diplomatik. Ajo vjen në një moment kritik, kur Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja dhe kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është bërë pjesë e diskursit të sigurisë evropiane.

Takimet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nuk janë vetëm formalitet, por një provë e gatishmërisë së institucioneve për të treguar se vendi mund të përballojë tranzicionin politik pa lëkundje. Përfshirja e shoqërisë civile në agjendë është një mesazh i qartë se Brukseli e sheh demokracinë kosovare si një demokraci të pjekur.

Kjo vizitë është e ngarkuar me simbolikë. Është vizita e parë e Kos në Kosovë që prej marrjes së detyrës në vitin 2024 dhe fakti që nuk ka planifikuar ndalesa në vendet tjera të rajonit e bën Prishtinën një destinacion të veçantë. Mesazhi i saj i fundit në Bratisllavë, ku paralajmëroi për rrezikun e forcave destabilizuese të jashtme, e vendos Ballkanin Perëndimor në epiqendër të sfidave gjeopolitike.

Ajo foli hapur për mundësinë që Rusia apo aktorë të tjerë të përdorin vendet e rajonit kundër BE-së, ashtu siç ka ndodhur me Bjellorusinë dhe krizën e migrantëve. Ky paralajmërim e bën të qartë se integrimi është një nevojë strategjike për sigurinë e Unionit.

Tri javë para zgjedhjeve të 7 qershorit, vizita e Kos nënkupton se stabiliteti politik është domosdoshmëri. Republika e Kosovës duhet të tregojë se është e aftë të mbajë zgjedhje të lira e të qeta, duke dëshmuar se demokracia e saj është e qëndrueshme edhe në kohë tensioni. Në politikë shpesh flitet për fatin e vendeve,por fati nuk mjafton. Edhe “krriç” po të jesh, siç thotë populli, mund të kesh fat, por pa punë të fortë dhe vendosmëri nuk arrihet integrimi.

Për BE-në, kjo është një provë e besueshmërisë së institucioneve tona, për shoqërinë civile, është një mundësi për të artikuluar vizionin e saj për një Kosovë që synon të jetë pjesë e Evropës.

Nëse Kosova mbetet prapa, pesë shtetet e tjera të rajonit do të ecin përpara pa të,e kjo do ta linte vendin të izoluar, duke krijuar një hendek politik e ekonomik që rrezikon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, integrimi i Kosovës  është  një aspiratë kombëtare,  një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe kohezionin e Evropës.

Pa integrimin e shteteve të Ballkanit, siguria e Unionit mbetet e brishtë. Kosova, me zgjedhjet e saj dhe me energjinë e shoqërisë civile, ka të gjitha mundësitë të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë pjesë e një Evrope që nuk ka luksin të dështojë.

Integrimi i Republikës së Kosovës në BE më shpejt se vendet e tjera të rajonit do të mbyllte njëherë e mirë çështjen e saj ndërkombëtare, duke i dhënë vendit stabilitet politik e ekonomik dhe duke e vendosur në një pozitë të barabartë me fqinjët.