Çapajev Gjokutaj: Zvërneci dhe “Toka e xanun” e sferës publike
Protesta e djeshme në Tiranë shënoi një ngjarje të rëndësishme për mjedisin tonë shoqëror. Kishte një pjesëmarrje të gjerë qytetare, shoqëruar nga një prani e paktë dhe e qetë e forcave të rendit.
Ky tubim kontrastonte plotësisht me ato që denbabaden kanë organizuar forcat politike dhe sidomos dy partitë e mëdha: ishte një protestë paqësore, e mbushur me prindër e fëmijë të vegjël, larg ashpërsisë militante, e udhëhequr nga spontaniteti dhe një artikulim i lirë e spontan.
Prej vitesh, politika e ka zaptuar sferën publike, përfshirë edhe protestat qytetare si një nga shfaqjet e saj kryesore. Kemi të bëjmë me një variant atavik të fenomenit ‘tokë e xanun’. Partitë jo vetëm që e kanë uzurpuar këtë hapësirë, por përmes gjuhës dhe metodave të tyre, edhe e kanë bërë pis.
Në këtë dritë, qëndresa e djeshme për Zvërnecin shërben edhe si një thirrje urgjente për të shpëtuar sferën publike nga ky uzurpim partiak, një domosdoshmëri që spikat edhe më shumë kur mendon se prej më shumë se tri dekadash përballemi me të njëjtat parti dhe të njëjtët njerëz në krye të tyre.
Hapi i parë për të rimarrë këtë hapësirë është që protesta të lihet tërësisht në duart e qytetarëve, të cilët organizohen e bashkërendohen në rrugë e sipër. Është jetike t’u pritet rruga aktorëve politikë, të brendshëm e të jashtëm, për të mos lejuar instrumentalizimin e kësaj energjie qytetare në favor të agjendave të tyre të hapta apo të fshehta. Njëkohësisht, duhen shmangur në maksimum etiketimet, teoritë e konspiracionit dhe përbaltjet ndaj protestës dhe protestuesve.
Sido që të jetë ecuria e mëtejshme e kësaj vale qytetare, qysh tani është e sigurt se ajo do të renditet si një përvojë e çmuar në historinë e reagimit qytetar në Shqipëri. Do të qendrojë krahas protestës kundër armëve kimike në vitin 2013 dhe protestës mbresëlënëse të studentëve në vitin 2018.