Spasse Thanasi: “VIZA AMERIKANE…”
Makthi i një historie të shqiptarit fatëkeq në “magjinë” e Amerikës, sipas rrëfimit të rrallë të Shefqet Mekos ku dramaciteti i personazhit Artan Pojani kthehet në poezi !…
Mosdhënia e vizës, ëndërr e ndërprerë!…
Një pritje e gjatë
Me dalje dëshpëruese
Nga ambasada e kontinentit të madh
Në rrugën e Elbasanit
Artan Pojani ndjente trishtimin shpresëhumbur
Për fatin e vizës amerikane…
Me shikimin nga bulevardi i madh
Sytë i mbetën të përhumbur
tek monumenti madhështor i Skëndërbeut
I kishte kthyer kurrizin
Shikimit të tij të ankthshëm
Siç e pat refuzuar edhe Amerika atë!…
– Pse nuk më dhanë vizën?
– Ç’të kenë vallë me mua amerikanët?
– Mos vallë u ngjaj me Ajshtajnin?…
Vetëm numra dhe ekuacione
U kam mësuar nxënësve të mi!…
Si llavë vullkani
I ndizej zemra brenda vetes
Vështronte godinën simbol të Universitetit
Hidhte hapin poshtë nëpër bulevard
Në mendje i vinte thënia e një miku:
“Italia e ndërtoi Tiranën
Dhe nga fshat e bëri qytet”!…
Atë refuzim vize
Artan Pojani e përjetoi thellë në shpirt
I dukej ngatërrim dokumentash
Si ngatërrimi i bebeve në Matarnitet…
Vetëm zhurma e bletëve punëtore
Ishte simfonia e punës së tij
Mendimet i vrapojnë si të tërbuar
Si saga e një historie mes dy oqeaneve:
“Me mua kanë gabuar rëndë
Më kanë pushkatuar në shpirt!…”.
Dhe çapitej kjo dramë si “gjynah i parrëfyer”
Cast tallës i bletarritësit me ambasadën
Dhe hidhte në mendje shënime të koduara
Si kodet e Da Vincit, që bota
ende vret mendjen t’i dishifrojë…
Ëndërr e ndërprerë brutalisht
E quante ai mosdhënien e “Vizës…”
Dhe përsëri bluante në mendje
Një kaos nostalgjik prej vitesh
“Amerika është magji e Zotit”.
Si për çudi
Amerika i dukej gjithashtu
E largët, e ftohtë
Si xhandari ndërkombëtar i dikurshëm
Në mendje përsëri shpresa
“Do ta gjej rrugën time”!…
Rrëfimi i shqiptarit “pa dokumenta”…
I sinqertë e dëshpërues
Në rastin e denoncuar në media”
“Amerika u bë han me dy porta…”.
U ndje fortë abuzimi me sinqeritetin perëndimor
Fjalimi alegorik i shqiptarit
I hyrë ilegalisht në Amerikë
Ngjalli kërshërinë gazetareske
Me të vërteta tronditëse për publikun
Lajme të dhimbshme e komente lemeritëse
Nga shqiptari i përhumbur mes frikës e shpresës:
“Drejtësia në Shqipëri mbetej një plakë
Që zvarritej e korruptohej
Në çdo qelizë të saj…”.
Artan Pojani nuk shihte asnjë shpresë
Asnjë dritë përtej erresirës së tunelit
Ku treni shqiptar i paskomunizmit
Ecte, ecte rrakatin…
Në atë sallë mediatike
Artan Pojani në Amerikë
me një rrugëtim të mundimshëm
ishte thjesht njeri “pa dokumenta”
i jashtëligjshëm
“Aty ku flitej për ligjin
E të drejtat e njeriut”…
Përballë kishte gjithë botën
Gjithë kombet anembanë
Një rrebesh emocionesh pambarim!…
Fjala apo dollari?
Ky ishte “fjalëkryqi” i ditës
Që e solli në Amerikë
Plot shpresa e sfida!…
Vizat, biznesi i parë…
Tronditja ishte si një tërmet
që ndihej deri në Uashington CD
Koha e vizave nga Gogo Perculla
si gjueti lepujsh
Pazar në ndarjen e rryshfeteve
ishte kasaforta e veçantë
nuk gjendej çelës për ta hapur…
Janë të gjithë njësoj
egërsira të parasë nën tavolinë
Mbi 200 milionë dollarë projekte
që fillonin nga disa qindra mijë
deri te shifra astronomike!…
Ishte krijuar një kod i heshtur
cili duhej të jepte pa lënë “gjurmë”
sa duhej “bakshishi” të ishte
i paverifikueshëm, i pakontrollueshëm…
Vetë tregu i lirë
kishte zhdërvjedhësi e menaxhim
Shqipëria një vend i Ballkanit
ku çdo gjë ishte kthyer në plaçkë tregu
si tezgat e dikurshme në Greqi
çelësi i suksesit tek bota e pafund e parasë
Siç thoshin matematikanët
“ Një plus një – bëjnë tre”!…
çdo gjë konvertohej në numra pafund
drejt infinitit të famshëm!…
Makthi kishte zbritur brenda tij
përplasja e madhe në Amerikë
Një shqiptar ilegal
kishte rrëfyer me zemëratë
te zyrtari i lartë i Emigracionit
pastaj…
kishte gjetur vdekjen në atdhe!?…
Shpirti i padritë!…
Tirana po buçiste
nga debate dhe ekspertiza analistësh,
llafazanash të të gjitha ngjyrave
Tmerr dhe shpërthim fjalësh
nga më të padëgjuarat
në mediumet shqiptare
Tentativa vetvrasëse e Artan Pojanit
kishte ndezur fantazi të çuditshme
nuk kishte më
as ideale, as ëndrra atdhetare
Djalli dhe Fati
sikur vallzonin brenda atij shpirti padritë!…
Leximi i novelës “Viza Amerikane” më pluskoi, më ngacmoi mendimet, më trazoi njëkohësisht në shpirt me një tragjedi që pothuajse e ka përjetuar çdo shqiptar!… Tregëtimi i vizave si “plaçkë tregu” si në çdo vend të Ballkanit, edhe në Shqipëri u bë një histori e trishtë, një fenomen korrupsioni galopant që “shpërtheu” si tritol zyrat shtetërore, qeveritare dhe nëpunësit e ambasadave ku hallka e zinxhirit të korrupsionit vazhdonte si një vagon treni pambarim… Këtë histori të Arjan Pojanit, viktimës së “vjedhjes së vizës”, autori brilant Shefqet Meko e ka ndarë midis Shqipërisë (Tiranës) dhe Amerikës (Uashington CD) në mënyrë tronditëse me “valën e korrupsionit” që çante ujërat e Oqeanit dhe kthente “dinjitetin” e njeriut në para e dollarë!…
Kjo poezi vargëzon Shefqet Mekon në mënyrë shekspiriane në librin e tij “Viza Amerikane” që promovojmë sot këtu në Hotel PLAZA Tiranë në praninë e vetë autorit, i cili erdhi me mall e plot frymëzime të reja… Ai përherë fluturon nga Amerika në Tiranë për të mbushur shpirtin me dashuri, me histori të patreguara, me rrëfime që ia vlen t’i lexosh…
Shefqet Meko faleminderit për këtë prurje interesante artistike në letrat shqipe dhe je një shembull i shkrimtarit human e paqedashës, duke mos qendruar “indiferent” ndaj fenomeneve dhe zhvillimeve të kohës demokratike në Shqipëri, Europë dhe Amerikë… Ti je mes shqiptarësh në Amerikë, siç je edhe sot midis nesh në Tiranë. Ti gjithmonë frymëzohesh nga shembulli i suksesit të shqiptarëve në çdo cep të Amerikës, siç impresionohesh nga takimi dhe shkëmbimi i përvojave krijuese me shokët e miqtë e tu këtu në Tiranë dhe anembanë atdheut tonë gjer në Nënshkodrën e Mark Preçit apo dhe në Sarandën e Stefan Çipës… Ti sot na thua fjalën e çiltër krijuese, na obligon me sedrën e bukur të njeriut punëtor e novator, na nxit në shpirt egon e punëve të mëdha e të ndershme, na krijon një atmosferë të gjallë njerëzore në sfondin e librave dhe krijimtarisë letrare, të cilët janë dëshira më e madhe e poetëve e shkrimtarëve…