Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: KUSH ISHIN ATA SHQIPTARË?!

Kuvendi i Fretëve Shkodër

SHQIPTARËT E VËRTETË
JANË EDUKUE PREJ
KUVENDIT FRETËNVE
TË SHKODRËS!

NË VITIN 1902 ATA MËSUEN
ALFABETIN E
GJUHËS SHQIPE
PREJ AT GJERGJ FISHTËS O.F.M.

***

SHQYPNIS

T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit t’em dishiri!

 I lum njimend jam un n’ gji t’ and tue rrnue,

 Tue gzue t’ pamt t’ and, tue t’ hjekë atë ajr t’ kullue,

 Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri.

 Kjé i Lumi vetë, qi mue m’ dergoi ksi hiri

 Për nën qiellë t’ande t’ kthielltë un me u përftue,

 Malet e hjedhta e t’ blerta me shikjue,

 Ku Shqypja e Burrit s’ dron se i qaset niri.

 Ktu trima léjn gjithmonë, pse ti jé Nana

 E armvet n’ zâ, qi shndrisin duerët e t’ lumit,

 Kah des për ty i rrebtë e trim si Zana.

 Eden n’ Balkan ti jé; ti prej t’ Amshu’mit

 N’ Balkan jé shkrue Mbretneshë mbi fiset t’ tana:

 Hyp fronin, pra, e sundo, Shqypni, m’ t’ liru’mit.

AT GJERGJ FISHTA O. F. M.

Koment prej At Viktor VOLAJ O. F. M.

1. ti i shpirtit t’em dishiri!: Dishir me të vertetë i shpirtit të Poetit, i cilli i kushton jeten deri në ditë të vdekjes idealit kombtar. Vështirë se mund të na permendë historija e leteraturës botnore ndonji emen qi t’ia ketë kushtue krejt veprimin  e vet letrar perlimit t’idesë kombtare si Fishta. Frymzue prej këtij ideali, Zana e tij këndon trimninë, besen, burrninë e nderen shqyptare me Lahutë; frushkulloi me fishkull djegëse veset e kombit e të Shtetit parasit me satirë; zgjoi, trandi, ngjalli me lirikë e melodrame atdhetare ndiesinë kombtare. – Tue hjekë…, tue thithë ajrin….

2.Leka i Madhi: Leka i Madh (356-323 para Krishtit). Mbret i Maqedonisë, i biri i Filipit Maqedonas, i cili shtroi Gadishullin e Ballkanit, Azinë e Vogel, Afriken Veriore e u shty ngadhnjyes deri në Hindi. Maqedonasit kjenë nji vllazni me Ilirë e Epirotas. Dihet me siguri se ata flitshin nji gjuhë krejt ndryshej prej greqishtes. Skanderbegu i biri, perdorë për trashigimtar gjaku e trimnije.

2. dergoi ksi hiri, nji dhanti këso dore, nji nderë kaq të madhe, – me u perftue: me u xanë, me lindë.

Malet e hjedhta e t’blerta: qi ngrihen madhnueshem, e të veshuna me landë e blerime.

– Ku Shqypja e Burrit: Shqypja, – personifikimi i Lirisë – e Burrit, e Pirros, mbretit t’Epiriotvet, nji fisi me Ilirët, ndej e lirë, megjthse e strukun nder male, edhe gjatë shekujve të robnisë; qaset – afrohet, nuk ka frigë se i qaset njeri (niri).

3. qi shndrisin duerët e t’lumit; qi flakrojnë në dorë të luftarit shqyptar të lumnueshem. – i rrebtë, pa iu tutë syni përballë anmikut, i vendosun, trim me zemer të fortë.

Eden n’Ballkan: antonomazi, Parriz toke, vendi ma i bukri ne Ballkan. – Hyp fronin, hyp në fron!

          – m’t’ liru’mit: – mbi bijt tu të liruem prej robnijet

                                                                    AT VIKTOR VOLAJ O.F.M. (1941 – Lirikat)

Shënim F. RADOVANI: Të gjitha materialet e botueme nga unë, janë të paprekuna!

Gjithnjë kam ruejt vlerat e origjinalit t’autorve.

Melbourne, 6 Qershor 2026.

LAVDI ATDHETARIT TË MADH, AT GJERGJ FISHTA O. F. M!