Zvërneci, të ngrihet prokurori e posaçme për hetim të pavarur mbi pasuritë publike
Eneida Jaçaj/Nju Jork
Pas protestës së madhe të vitit 1990-91, për rrëzimin e diktaturës dhe simboleve komuniste, shqiptarët, sot, më shumë se kurrë, janë mbledhur bashkë anë e kënd botës, kundër projektit të huaj të dyshimtë për zhvillimin e turizmit në Zvërnec, por edhe atij në ishullin e Sazanit. Gjaku shqiptar vlon nga zemërimi dhe padrejtësia që mund t’u kanoset tokave shqiptare nëpërmjet projekteve të dyshimta grabitqare, nga të cilat mund të përfitonin skemat kurruptive dhe kompanitë e huaja, duke përvetësuar për qëllime ekonomike bukuritë natyrore të bregdetit të Jugut. Shqiptarët e Diasporës kanë lënë vendet e punës dhe janë vërshuar “lumë” drejt Shqipërisë, ku i janë bashkuar protestave të vëllezërve të tyre, në mbrojtje të territoreve të vendit. Zëri i tyre është ngritur në instanca shumë të larta amerikane dhe europiane, duke mos mbetur i kufizuar brenda vendit, me qëllim sigurimin e standardeve të transparencës dhe mbrojtjes së pasurive natyrore të Shqipërisë.
Zemërimi qytetar deri në nivel ndërkombëtar
Protestat e fundit tregojnë një nivel të lartë pakënaqësie dhe mosbesimi ndaj institucioneve shqiptare, kryesisht ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili nuk garanton transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale mbi këtë projekt. Shumë faqe të huaja dhe media vizive kanë pasqyruar ngjarjet e fundit lidhur me projektin e dyshimtë në Zvërnec, ku i kanë bërë jehonë të drejtës së shqiptarëve për të mbrojtur me fanatizëm bregdetin e tyre. Shqiptarët nuk janë kundër investimeve, por kërkojnë transparencë të plotë mbi këto projekte të propozuara në bregdet, pasi vihet në dyshim prona publike; kërkojnë publikimin e menjëhershëm të çdo kontrate, sqarimin e plotë të statusit të pronës nëse do të shitet apo do të jepet me qera te kompania e huaj, që do të bëjë investimin. Vëllezërit shqiptarë kanë të drejtë të ngrenë çdo pikëpyetje mbi projektin bregdetar, pasi kemi të bëjmë me një territor publik, i cili nuk mund të shitet kurrsesi te një i huaj.
Të ngrihet një prokurori e posaçme
Shqiptarët janë të ndërgjegjësuar nga e kaluara e errët kur janë bërë pazare me territoret e vendit, nga vetë shtetasit e saj dhe të huaj. Gjithashtu do të ishte e udhës që të ngrihej një strukturë e posaçme hetimore ose prokurorie e specializuar, që të garantojë kontroll të pavarur mbi mënyrën se si administrohen pasuritë publike. Sipas tyre, çdo mungesë transparence në projekte të këtij niveli krijon dyshime serioze mbi mënyrën e përdorimit të pronës publike dhe mbi përfitimet reale që i kthehen qytetarëve. Në qendër të shqetësimit mbetet pyetja themelore: a kemi të bëjmë me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm apo me transferim të pasurive publike në kushte të paqarta dhe të pakontrolluara?
Zvërneci: zonë e ndjeshme ekologjike
Zona e Zvërnecit, pranë lagunës së Nartës, është një nga ekosistemet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në vend. Projekti i propozuar për zhvillim turistik në këtë zonë ka ngritur shqetësime serioze për ndikimin në mjedis, prishjen e habitatit natyror dhe ndryshimin e pakthyeshëm të karakterit të zonës. Ishulli i Sazanit, me rëndësi historike dhe strategjike për Shqipërinë, është gjithashtu në qendër të debatit për zhvillim turistik. Por edhe këtu, mungesa e transparencës mbi modelin e marrëveshjes ka shtuar dyshimet publike. Nëse bëhet fjalë për koncesion, qira afatgjatë apo forma të tjera përdorimi të pronës shtetërore, qytetarët kërkojnë që çdo detaj të bëhet publik dhe i verifikueshëm. Çdo qasje e paqartë, sipas tyre, cenon besimin ndaj institucioneve dhe krijon perceptimin e favorizimeve në dëm të interesit publik.
Debati politik dhe përdorimi i protestave
Debati mbi këto projekte është shoqëruar edhe me përplasje politike. Opozita po i përdor protestat dhe shqetësimet qytetare si argument kundër qeverisë, si i vetmi mjet i tanishëm për të rrëzuar qeverinë. Duhet t’i rikujtojmë opozitës se populli nuk harron kur ish-kryeministri i saj, Sali Berisha, në vitin 2009, nëpërmjet një marrëveshjeje për delimitimin e kufirit detar me Greqinë, tentoi t’i falte disa metra katrorë det shtetit helen, por fatmirësisht u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare. Në thelb, situata aktuale nuk lidhet vetëm me dy projekte konkrete, por me një problem më të gjerë: besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe mënyrës së administrimit të pronës publike. Në një vend me burime të kufizuara natyrore dhe vlera të larta strategjike, çdo vendimmarrje mbi territorin duhet të shoqërohet me transparencë të plotë, kontroll të pavarur dhe konsultim real publik. Përndryshe, rreziku i thellimit të mosbesimit shoqëror dhe konfliktit institucional mbetet i lartë.