Mimoza Rexhvelaj: Eci me hapa fluturash
Dritarja ime është në Hënë.
Nga aty shoh botën që fle
e pastaj zgjohet prej zhurmës
së saj
si një det që kurrë s’gjen qetësi.
Qielli rrëshqet mes gishtërinjve,
hapësirat bosh i mbush me dritë.
Drita vjen si një mik i heshtur,
i kaltër
që s’ka nevojë të trokasë.
Përkul kokën ngadalë,
dua të shoh ku fshihet
ai engjull blu i ëndrrave të mia,
hije e butë në skajin e verbër të natës.
Yjet dëgjojnë psherëtimat
ndërsa frymëmarrja e botës
ngrihet në blozën e kohës
dhe tretet atje tej në errësirë.
Eci me hapa fluturash
nëpër buzën e horizontit,
atje ku s’ka shkelur askush,
atje ku fillon pafundësia…