Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Xh. Duka: Udhëkryq në bulevard!

Ironikisht, ndonse në bulevard, protesta sot ka hasur në udhëkryq. U nis për Zvërnecin por e ngriti
“pjacën” për t’iu kundërvënë, dhe me të drejtë, mbarë zullumit të politikës e qeverisjeve BeRama në
tranzicion dhe tashmë duhet të bindë qytetarin që ia vlen dhe e ka mundësinë për të qënë bartëse e
ndryshimit në vënd.
Kurth apo domosdoshmëri!
Koha ka treguar se protesta për protestë, edhe kjo e sotme, nuk shpie kund. Me gjasa, sa kohë ajo nuk
evoluon politikisht e në format, do të zbehet duke u shndërruar në bumerang për motivin fillestar. Do të
fuqizojë më tej zullumin politik se ajo që nuk të vret, të bën më të fortë. Nuk është punë numrash, jo
2000 apo 8000 por kauze e misioni e vlen qoftë dhe një i vetëm në shesh.
Ajo është tashmë pre e BeRamës qoftë për t’u denigruar e degraduar ashtu edhe manipuluar
për të mos cënuar vijimësinë e abuzimit politik. Retorika e mospolitizimit të protestës vetëm e asgjëson
atë ndaj dhe ajo, jo vetëm nuk duhet të kompleksohet nga politizimi por duhet urgjentisht të politizohet
sa më shpejt si premisë për besueshmëri e alternativë ndaj BeRamës që ka monopolizuar tregun politik.
Politizimi i protestës është jetik për arritjen e qëllimit të saj. Një test për politikanët e partitë e
reja që të lënë mënjanë ndasitë e të bashkohen për të mirën e të gjithëve. Ndryshe, nëse nuk janë të zot
të bashkohen, kot lëshojnë ultimatume e tororisin popullin në bulevard.
Anonimati i drejtuesve të protestës dhe meraqet për presione e manipulime nga pushteti nuk
përçojnë mesazhin e besimit e shpresës tek qytetari për t’iu bashkuar asaj. Nuk dëshmon dinjitet e
guxim politik e qytetar dhe shpie ujë në mullirin e BeRamës.
Protesta fiton identitet me politizimin e saj. Ajo duhet të jetë shtrat për një grupim opozitar që
përmbledh partitë e reja, ato që nuk u pajtuan me PD e PS, qytetarët patriotë etj, një bashkim ky ad-hoc
për aq sa kohë demokracia të futet në hulli. Një entitet që shmang çdo mëdyshje e mosbesim për
protagonizëm e qejfmbetje përmes një trupe udhëheqëse apo grupi nismëtar që garanton rrotacion,
veto e unanimitet për më tej.
Bllofi Rama
Dialogu është domethënës në demokraci ndaj edhe ai i protestës me Ramën nuk duhet përjashtuar por
përkundrazi duhet shfrytëzuar për të dëshmuar publikisht maturi e risi në ballafaqimin me të vjetrën në
politikë. Dialogu është një shans për të afishuar identitet politik; në botë bisedojnë edhe ata që vriten e
priten ndaj dhe një lëvizje e re politike nuk duhet të shmangë dialogun si praktikë e preçedent normal e
thelbësor demokratik. Ndryshe, vetëm do të paragjykohet për sertësi, refraktarizëm e arrogancë ende
pa dalë mirë nga veza dhe kjo nuk lë përshtypje të mirë për më tej.
Përfaqësuesit e protestës duhet të mos tuten nga bllofi i pushtetit për dialog. Është një shans
për të diskretituar publikisht pushtetin dhe ngjizur besueshmëri se përfaqësojnë realisht shpresën për
ndryshimin e shumëpritur në vënd dhe lënien pas të tranzicionit famëkeq.

Tik-taku kohor vlen si për politikën e korruptuar ashtu edhe protestën e ngjizjen e shpresës
qytetare pas saj. Tejzgjatja deri në lodhje e protestës e mpirja qytetare bulevardit nuk shpie kund. Është
koha për të bërë “Zapatën” se edhe ai në pushtet që bëri “Zapatën” vetë dikur, nuk e ka aq kollaj të fusë
emra në rreth.
Një kokë më lart
Protesta nuk duhet të përçojë mesazhin e revolucionit me ultimatume, thirrje luftarake, etiketime
ekstreme etj si retorikë që lë gjurmë në psikikën qytetare më tej. Ajo duhet të jetë një dritare për të
parë se si duhet të sillet politika në demokraci. Nëse premton politikë ndryshe, duhet të sillesh si e tillë.
Fatin politik të Ramës e të kujtdo tjetër në demokraci e vendos vota, ndryshe, “karma” e
revolucionit rikthehet e kjo cënon shtetin ligjor e demokracinë. Abuzimin politik nuk duhet t’a
kontrollojë rruga e sheshi por sistemi e ligji dhe ky duhet të jetë edhe objektivi i politikës së re.
Politika abuzon sepse Kushtetuta pas së cilës fshihet ajo, pasi u miratua dikur në referendum,
është arnuar deri në tjetërsim me kulisa e pazare partish në Kuvënd. Politika abuzon sepse u hoq qafe
ligji zgjedhor mazhoritar që varte çdo berr nga këmbët e tij dhe Kuvëndi-noter është taborr eunukësh
listash që prodhon ligji aktual zgjedhor. Politika abuzon sepse referendumi është thjesht stoli në
Kushtetutë dhe Këshillimi Kombëtar e sondazhet janë surrogato për të përligjur zullumin qeveritar.
Drejtuesit e protestës duhet të dëshmojnë se janë një kokë më lart se politika e zullumit dhe nuk duhet
të sillen e bëjnë demagogji si BeRama dikur. E keqja e hequr me revolucion e nxjerr sërisht kokën
ndërkohë e hequr sipas rregullave, arkivohet pakthim.
Drejtuesit e protestës duhet t’a nisin me një mea-culpa qoftë për mbështetjen që i është dhënë
direkt apo indirekt BeRamës ndër vite ashtu edhe për heshtjen e gjatë e indiferentizmin ndaj së keqes që
nuk zuri fill me Zvërnecin por u pranua pa u ndjerë si “bretkosa” e përvëluar gradualisht. Nuk ua ul
dinjitetin por i bën njerëzor dhe të besueshëm për më tej.
Ndonse tranzicioni BeRama dogji plot breza, rinia e sotme po e refuzon këtë fat e fatalitet duke
tentuar t’a marrë vetë fatin në dorë. Protesta zuri vënd në “hartë” për sytë e gjithë botës e ajo që
nevojitet tani është përshkallëzimi përmes politizimit e shpalosjes së ofertës politike së saj. BeRama ua
ka bërë kollaj atë.
Temjani që mban larg BeRamën
Një ofertë politike është mundësi jo vetëm për identitet e imazh publik por edhe “vaksinë” ndaj
kolonave të pesta të BeRamës në bulevard. Një grupim opozitar që ofron një ofertë që nuk i shkon sipas
midesë BeRamës, është vetvetiu e garantuar nga rreziku i “klonimit” të abuzimit në vënd.
Opozita e protestës duhet të ofrojë gjëra që BeRama nuk i honeps por që qytetari i dëshiron.
Flamuri i saj duhet të jetë respektimi i pronës historike, ligji zgjedhor, insitucioni i referendumit, kufizimi
i mandateve në qeverisje, identiteti historik etj.
Vota është “atomi” i demokracisë ndaj duhet që të rikthehet një sistem zotësie si ai mazhoritar,
të eleminohen financimet e privilegjet nga buxheti të partive, të depolitizohet trupa zgjedhore etj
rregulla që ulin politikën me këmbë në tokë dhe e freskojnë atë vazhdimisht si parti e individë. Është
“temjan” për BeRamën dhe e mban larg atë.

Referendumi duhet të shndërrohet në mekanizëm efikas dhe rutinë për mbarëvajtjen e jetës
demokratike e social-ekonomike në vënd. Kriteret për të duhen saktësuar psh. lokale apo kombëtar për
investime përtej një shume monetare të caktuar, lënia e derës hapur për brezat që vijnë për të
rikonfirmuar apo ndryshuar atë etj. Është “temjan” për BeRamën dhe e mban larg atë.
BeRama polli pabarazi e padrejtësi me ligj ku e para prona historike është nëpërkëmbur gjatë.
Politika e protestës duhet të premtojë kompensim urgjent të pronarit historik, në natyrë në pronën e tij
apo gjetiu, kompensim financiar sipas tregut të indeksuar me inflacion sikurse ndodh me të
persekutuarit, ndonse dosjet e persekutimit u futën në thes dhe ordineri u barazua me disidentin. Deri
edhe anullim të 7501 e rikthim në pronën e të parëve apo dorëzimin e pronës historike kur zë një të
dytë, aplikimin e kredive të buta për pronarët e 7501 për të kompensuar pa vonesë ata historikë,
shndërrimin e së drejtës së pronësisë sipas 7501 në atë të përdorimit përkundrejt një takse pronarit
historik etj. Është “temjan” për BeRamën dhe e mban larg atë.
Politika e re duhet të përqafojë e inkurajojë rishikimin e historisë në gadishullin Ilirik për të
zyrtarizuar vijimësinë e gjuhës e historisë pellazgo-iliro-epiriote-maqedonase e më tej arbërore e
shqiptare këtu. Kemi nevojë për identitet historik që na faktorizon e na bën krenar më tej në botë dhe e
bën akoma më të çmuar vëndin e të parëve tanë. Duhet të zyrtarizohen gjetjet e reja arkivore, të
rishikohen tekstet mësimore, toponimet etj pa u merakosur për trillimet e sajesat e fqinjëve që na kanë
bërë me hije gjatë. Shqiptarët braktisin vëndin jo thjesht se nuk ka mirëqënie por se nuk ka barazi e vetë
BeRama nuk rri në “barkë” me qytetarin hallexhi. BeRama po tenton të na pështirosë vëndin e nxitur
emigrimin masiv edhe duke mohuar historinë e të parëve tanë nga lashtësia gjë që cënon ndjenjën,
motivin e idealin qytetar për të kontribuar në atdhe. Patriotizmi është “temjan” për BeRamën dhe e
mban larg atë.
Plazhi ku shkriu “akulli”
Problemi i Zvërnecit nuk është projekti, sado i bukur dhe unik ai apo se kush do të paguhet për tokën
atje. Problem është mungesa e transparencës që është bërë rrugë nga BeRama në tranzicion. Gjërat
propozohen, premtohen e u zgjidhen tavolinave e jahteve duke shndërruar institucionet në formalitet e
shpërfillur zërin qytetar.
Mbase Zvërneci pasurohet më tej nëse ndërtohet një kompleks turistik, mbase përkundrazi ai
tërheq me shumë vizitorë e turistë nëse mbetet i virgjër e unik siç është tani dhe kjo vlen edhe për
Sazanin nëse ai vlen më shumë si ishull turistik ku nuk dihet ku do të shkojnë paratë e nxjerra atje, si
ishull ushtarak apo si ishull i paprekur për mijra vite me rradhë. Turizmi nuk është vetëm diell e shezlong
por edhe kuturisje në natyrë sikurse ndodh me Alpet në veri sot për të cilat ka interes turistik.
Fundja edhe Ivanka u mahnit me një ishull të virgjër e jo “dubai” në Adriatik. Se e betonizon
bregdetin greku, kroati etj, nuk kemi pse e bëjmë majmunin edhe ne përkundrazi, do të binim në sy për
mirë se bukurinë e paprekur naturore nuk e konkurron dot kush.
Të gjitha këto dilema zgjidhen me transparencë që BeRama nuk e ofron. Ata kanë tjetërsuar
mbarë habitatin në vënd sipas vizionit të tyre duke mos lënë më gjë për brezat më pas dhe kjo ngutje,
sesa era dëshirë për ndryshim, kutërbon abuzim.
Katrahura e Zvërnecit është këmbanë alarmi e letër “lakmuesi” për mungesën e transparencës,
arrogancën e karshillëkun e BeRamës kudo e kurdo në tranzicion. Për drejtuesit e protestës, bulevardi sot është “Ja sheshi ja mejdani”. Boll me episode pafund protestash vënd e pa vënd që lodhin qytetarin
deri edhe bllokojnë jetën qytetare kur sheshin Skënderbe atje e kanë. Protesta duhet të dëshmojë pa
vonesë se jo vetëm duan por edhe dinë e janë gati t’i dalin për zot vëndit për më mirë! Kauza lyp mision!