Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Mbi novelën “Vallëzim i vonë” të Luljeta Gërmenjit
Dashuria dhe kujtimet mbeten gjallë me kalimin e kohës edhe pse koha ecën dhe ndërron ritmet e saj. Bazuar në këtë qasje tematike-motivore, prozatorja Luljeta Gërmenji na ka dhënë një novelë që e përmbush shtjellimin e kësaj tematike me sukses dhe arrin të përcjellë një frymë poetike, sado që kalimi i kohës dhe ndikimi i saj në jetën e njeriut bëjnë të humbasë ndonjë ndjenjë apo mendim.
Sakrifica dhe humbja janë dy përparësi të kohës, e cila nuk mund të pengojë dot reflektimin e njeriut për të ndrequr atë që mund të ndreqet.
Duke pasë parasysh një thënie ekzistencialiste të Albert Kamysë se “jeta është shumatore e zgjedhjeve të tua”, njeriu përpiqet të zgjedhë më të mundshmen dhe të fitojë lirinë e ndjenjës dhe kështu përpjekja për të zgjedhur e për të fituar liri, përbën ekzistencializmin e tij, por njëkohësisht zhgënjimin dhe dramacitetin apo trishtimin. Autorja na bën me dije se njeriu formohet me zgjedhjet që bën në rini. Dashuria dhe përvoja janë gjithnjë një bazë për të ecur më tej. Përvojat dhe ndjenjat e reja vijnë e nuk na lënë të qetë, ardhmëria sillet rreth tyre dhe inspiron për të reja, por koha ndryshon njerëzit, e megjithatë, dashuritë e forta nuk harrohen plotësisht, ato nuk mund t’i fshijnë ndjenjat e thella dhe kujtimet e rëndësishme.
E kaluara sjell edhe dhimbje, edhe kënaqësi, si duhet të mësohet njeriu me to dhe vallë, a mundet ai? Për njerëzit me botë të pasur shpirtërore, kjo është e kuptueshme. Kujtimet, jo të gjitha, janë një tipar identifikimi i ndjenjës që merr një kah të së tashmes. Sidomos, kujtimet e dashurisë që kanë ardhur me një përjetim të fortë emocional, mbeten gjithmonë të gjalla dhe të pashlyeshme në jetën e njeriut.
Të shkruash një novelë ku të mos fokusohesh thjesht te ngjarja, por më tepër te bota e brendshme e individit dhe të arrish në përfundimin që lexuesi, para se të kënaqet për të papriturat e intrigës rrëfimtare, duhet të mendojë më tepër për jetën, për vendimet që ai ka marrë dhe merr dhe të mos e shohë të kaluarën si pjesë të humbur dhe të përjashtuar, por si pjesë të tij që ndikon edhe në të tashmen dhe të
ardhmen.
Kjo qasje konceptuale e bën prozën e Luljeta Gërmenjit moderne, ku leximi ofron alternativa të jetës dhe ngecje të tyre, kalime dhe kthime ndiesore, kahe ndjesish të orientuara drejt një bote të gjallë dhe të pastër e të pasur, por edhe turbulluese. Si një histori e thellë për dashurinë dhe kujtesën dhe për ndryshimin-të tre këto komponentë motivore, autorja i shtjellon me kujdesin e një rrëfimi të pjekur psikologjik. Vërtet jeta njerëzore duhet pranuar si të vijë apo siç e ke zgjedhur dhe ndërtuar ti vetë, por kurrsesi nuk duhet pranuar se njeriu çdo gjëje ia nis nga e para. Gjithmonë është diçka pas, që reflekton pa e ditur dhe duke e kuptuar magnetizmin e saj racional ose iracional këtë përjetim nuk duhet të mos e
gjykosh.
Në këtë kuptim, novela “Vallëzim i vonë” mbetet shembulli i një proze filozofike, por edhe realiste, jashtë konceptimit të përgjithshëm për metodën realiste që thuhet rëndom. Linda në novelën “Vallëzim i Vonë” është një nga figurat më të rëndësishme dhe më komplekse, sepse përmes saj pasqyrohet gjithë ideja e kujtesës dhe ndikimit që e kaluara ka mbi jetën e njeriut. Ajo nuk është thjesht një personazh që ecën me ngjarjet, por një grua që i përjeton thellë ato dhe i rikthen vazhdimisht në mendje, duke i dhënë kuptim çdo detaji të jetës së saj.
Në rininë e saj, Linda paraqitet si një vajzë e hapur, e ndjeshme dhe plot ëndrra. Ajo beson fort te dashuria dhe te një e ardhme e bukur, ku emocionet dhe marrëdhëniet njerëzore kanë vlerë të madhe. Kjo e bën atë një personazh idealist në fillim, që e sheh jetën me optimizëm dhe me besim te njerëzit. Pikërisht, kjo ndjeshmëri e thellë e saj e bën më vonë të përjetojë më fort edhe zhgënjimet. Me
kalimin e kohës, Linda përballet me realitetin e jetës, i cili nuk është gjithmonë siç e kishte imagjinuar dhe detyrohet të marrë vendime të vështira, të përballet me humbje ose ndarje që e ndryshojnë emocionalisht.
Këto përvoja e bëjnë më të pjekur, më të rezervuar dhe më reflektuese. Nga një vajzë e ëndërruar, ajo kthehet në një grua që mendon më shumë, analizon dhe kupton më mirë pasojat e zgjedhjeve të saj. Një tipar shumë i rëndësishëm i Lindës është lidhja e fortë me kujtimet. ndërsa jeton shpesh mes së kaluarës dhe së tashmes. Kujtimet nuk janë thjesht pjesë e historisë së saj, por një realitet emocional që e shoqëron çdo ditë. Ajo rikthehet te momentet e dashurisë, te njerëzit që kanë pasur rëndësi për të dhe te vendimet që kanë ndryshuar rrjedhën e jetës së saj. Kjo e bën Lindën nostalgjike, që nuk e shkëput dot plotësisht veten nga e kaluara.
Nga ana psikologjike, ajo paraqitet si një person që shpesh ndjen brenda vetes konflikt. Dhe përpiqet të pranojë jetën që ka ndërtuar, por njëkohësisht, nuk i harron dot ëndrrat që ka lënë pas. Ky procedim artistik krijon një tension të brendshëm mes asaj që është dhe asaj që mund të kishte qenë. Pikërisht ky konflikt e bën personazhin të thellë dhe realist. Dashuria në jetën e Lindës është një element qendror. Ajo e përjeton dashurinë si një ndjenjë të paharrueshme, e cila nuk zhduket lehtë edhe kur rrethanat e jetës ndryshojnë.
Përmes saj, autorja tregon se dashuria nuk është gjithmonë e përjetshme në formën e saj fizike, por mbetet e gjallë në kujtesë dhe në ndjenjat e njeriut. Pa e fshirë të kaluarën, por e pranon si pjesë të vetes së saj. Kjo e çon drejt një lloj pjekurie shpirtërore dhe qetësie të brendshme. Në këtë mënyrë, Linda bëhet simbol i njeriut që përballet me kohën, me humbjet dhe me vetveten, duke kërkuar kuptime të cilat herë qartësohen e herë ia bëjnë mendjen ujem.
Artani, në novelën “Vallëzim i vonë” paraqitet si një figurë e lidhur ngushtë me historinë emocionale të Lindës dhe me zhvillimin e ngjarjeve kryesore, ai mbetet një personazh që ndikon në jetën e saj dhe përfaqëson dashurinë, zgjedhjet dhe rrugët e ndryshme që marrin njerëzit në jetë. Në fillim, shfaqet si një djalë i ri me ndjenja të forta dhe me lidhje emocionale të sinqerta dhe përfshihet në një marrëdhënie që ka shumë ëndrra dhe pritshmëri për të ardhmen. Kjo e bën atë pjesë të rëndësishme të historisë së dashurisë në libër.
Lidhja e tij me Lindën është e thellë, por njëkohësisht e ndikuar nga rrethanat dhe vendimet që i detyrojnë të ndahen ose të ndryshojnë rrugë. Artani përfaqëson edhe anën e njeriut që përballet me realitetin dhe përgjegjësitë e jetës.
Ai nuk mbetet vetëm te ndjenjat, por përpiqet të përshtatet me kushtet që i sjell koha. Kjo e bën personazhin më realist, sepse tregon se jo gjithmonë dashuria mjafton për të mbajtur bashkë dy njerëz, kur jeta i vendos në drejtime të ndryshme.
Në aspektin emocional, Artani mbart brenda vetes kujtime dhe ndjenja që nuk zhduken lehtë. Edhe pas ndarjes apo ndryshimeve në jetë, lidhja me të kaluarën mbetet e pranishme, duke treguar se përjetimet e forta lënë gjurmë të thella në karakterin e njeriut. Në përgjithësi, Artani shërben si figurë që plotëson
historinë e Lindës dhe ndihmon në ndërtimin e temës kryesore të romanit: dashuria, koha dhe zgjedhjet ndryshojnë fatin e njerëzve.
Novela “Vallëzim i Vonë” dallohet për një stil të ndjerë, reflektues dhe emocional, ku theksi vihet te bota e brendshme e personazheve dhe jo vetëm te ngjarjet e jashtme. Ngjarjet paraqiten më me gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, të pasur me ndjenja, me një stil rrëfimtar të qetë, ku ky stil rrëfimtar i qetë ndërthuret shpesh me monologë të brendshëm. Për nga natyra e rrëfimit, fjalitë kanë qasje përshkruese dhe reflektive. Ritmi i ngadaltë i narracionit e thellon edhe më tonin psikologjik dhe i jep rëndësi emocionit, duke e sjellë prozën e saj si prozë psikologjike me poetizim të ndjenjës.
Natyrshëm, ndjenjat, dilemat dhe gjendjet shpirtërore të protagonistes e thellojnë dhe e ngarkojnë natyrshëm në indet e rrëfimit këtë prozë të shpirtit njerëzor, Gjithashtu toni i qetë me peshë emocionale të thellë, ngarkohet edhe me nostalgji për të shkuarën. Shfaqja natyrshëm e dialogjeve zbulojnë edhe karakterin e personazheve, botën e tyre shpirtërore. Kjo prozë zgjedh në mishërimin e tyre të duhur edhe disa figura letrare si: krahasimi që shërben për të përforcuar ndjenjat dhe përjetimet emocionale, metafora, e cila e shenjon ngjashmërinë e kohës dhe të kujtimeve, duke nënvizuar ngjashmëritë, ndërsa vetë vallëzimi si fjalë e nëntekst kthehet në një simbol të një ndjenje që nuk mund të humbasë dhe e shtrin shëmbëlltyrën në të tashmen.
Prozatorja jo rrallë përdor përsëritjet si nevojë theksimi dhe shtjelle psikologjike që nuk pranon humbjen. Me një stil që kombinon rrëfimin me analizën psikologjike dhe reflektimin meditues, vepra mund të lexohet e ashtu siç sillet me këtë situatë vlerësimi të asaj që ndodh në kohë dhe në shpirt, si prozë
poetike, modelet e të cilës nuk janë të rralla në letërsinë tonë e atë botërore, si “Netë të bardha” të Dostojevskit, por autorja sjell zërin e saj rrëfimtar origjinal, një zë që jehon brenda thelbit të poezisë së dashurisë dhe të jetës.
Fjali të tilla, si: “Kujtoi takimin, ujëvarën dhe atë shëtitje mbi Niagarë, pastaj përqafimin dhe atë puthje të lehtë mbi faqe, ku u shpërvol gjithë llava e zjarrtë dhe dashuria e atij momenti. dhe të gjitha këto i kaluan brenda syve të mendjes, si një celuloid filmi”, flasin qartë për një botë të fuqishme femërore, një botë ku dashuria ndihet më mirë se në çdo qenie tjetër dhe aty e fiton shprehësinë e një brishtësie të kristaltë.
Në përgjithësi, fjalitë kanë shumë sensualitet dhe krijojnë ndjesi të fuqishme, shpesh ato vijnë si nevojë e brendshme e shprehjes së shpirtit dhe jo si ilustrim apo dekorim i jashtëm episodesh. Ato përshkohen nga një ritëm që shpreh ankthin e ndjenjës dhe vlerën sipërore të saj. Fjalitë janë mbushur me imazhe dhe asosacione, sjellin vagullimin e shpirtit dhe qartësinë e tij, vetiu tregojnë nxitjen për të reflektuar apo dëshirën për t’i mbajtur sa më gjatë këto reflekse në shpirt.
Ky rrugëtim shpirtëror-imagjinativ e konkret, me të njohura dhe të panjohura, ku bashkohet dhe vendos kufij të mezidukshëm realja dhe imagjinata, të ngjan se vjen nga një burim i fshehtë që nuk e shikon, por e ndjen. Fjalitë përforcojnë botën intuitive të femrës, por edhe lëvizin vetëdijen e saj për gjykim ndaj dashurisë dhe për të gjithmonë ky gjykim nuk mund ta përjashtojë përjetimin.
Ato janë të gjata në momentet kur personazhit i duhet të përshkruajë një situatë, një kujtim apo ndjenjë, por befas bëhen të shkurtra, dhe inkadeshente, atëherë kur jepen gjendje ankthi apo dilema.
Këtë nevojë të artikulimit të fjalës dhe të fjalisë, autorja e njeh mirë dhe e materializon në mënyrë elegante dhe artistikisht. Gjuha e saj është e aftë dhe gjen fjalët më adekuate për të na sjellë nuancat më të holla të ndjenjës dhe të emocionit.
Duke zgjedhur teknikën e paralelizmit midis të shkuarës dhe të tashmes, shkrimtarja nuk e parashikon të ardhmen, por e lë të shkruar në vijimësi të këtij raporti me të tashmen. Dhe kjo është e kuptueshme.
Novela “Vallëzim i vonë”, si organizim strukturor, krahas asaj që thamë më lart, përdor ndonjëherë letrën (mesazhin) apo tipare të ditarit, si shënime, çka e bën më të zhdërvjellët leximin dhe i shmanget njëtrajtshmërisë së rrëfimit, duke krijuar thyerje në narracion. Megjithëse kjo teknikë është e rrallë dhe jo si fokus kryesor për ta ndërtuar gjithë novelën ashtu, në raste të caktuara, me këtë thyerje kompozicionale shkrimtarja ka ditur ta ndalë sadopak ritmin e rrëfimit si mundësi për t’u thelluar më shumë në aspektin psikologjik të pasqyrimit të botës shpirtërore të personazheve të saj. Dhe këtë e bën me sukses, teknika ndihmon. Novela “Vallëzim i vonë” mbetet një prozë, ku sinqeriteti i ndjenjës pasqyrohet me ngrohtësi dhe dashuria merr vlerë përmes këtij sinqeriteti, dukei i dhënë letërsisë shqipe, një prozë bashkëkohore me ndjenja të fuqishme.
Tiranë-Vlorë, qershor 2026.