Albspirit

Media/News/Publishing

Alket Veliu: Çamëve u mohohet vendlindja! Komiteti i Helsinkit: Do të ndjekim shqetësimet

Sot, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, zhvilloi një takim të hapur, konstruktiv dhe shumë bashkëpunues me Erida Skëndo, Kryetare e Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Gjatë takimit u diskutuan problematikat që lidhen me të drejtat e mohuara të shqiptarëve të Çamërisë dhe nevoja për t’i trajtuar ato në kuadrin e standardeve europiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua shkeljes së së drejtës së lëvizjes së lirë për shqiptarët e Çamërisë, të cilëve, edhe pse kanë lindur në trojet e tyre, u mohohet e drejta për të vizituar vendlindjen, shtëpitë ku kanë lindur dhe varret e të afërmve të tyre.

Po ashtu, u diskutua e drejta e mohuar e pronës, duke evidentuar faktin se mijëra familje çame vazhdojnë të mos kenë akses në pronat e tyre dhe të mos disponojnë mjete efektive për mbrojtjen e kësaj të drejte themelore.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte mungesa e aksesit efektiv në gjykatat greke për shqiptarët e Çamërisë, të cilëve për dekada u është mohuar mundësia për të kërkuar nëpërmjet rrugëve ligjore rivendosjen e të drejtave të tyre civile dhe pronësore. E drejta  për një proces të rregullt ligjor është një nga shtyllat themelore të të drejtave të njeriut dhe nuk mund t’i mohohet askujt.

Gjatë takimit, znj. Skëndo shprehu vëmendjen dhe interesin e saj për këto problematika, duke theksuar se Komiteti Shqiptar i Helsinkit do të angazhohet institucionalisht për t’i ndjekur dhe adresuar këto shqetësime, si në nivel kombëtar ashtu edhe në bashkëpunim me organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut.

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” vlerëson këtë qasje serioze dhe bashkëpunuese, duke besuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk njeh kufij dhe se çdo çështje e pazgjidhur meriton vëmendje, trajtim dhe drejtësi.

https://5pyetjet.al/2026/06/23/alket-veliu-cameve-u-mohohet-vendlindja-komiteti-i-helsinkit-do-te-ndjekim-shqetesimet/?fbclid=IwY2xjawSnnEhleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEeqMyOwQIv2f82WiQ7fUcybzdyvAlvKq4DA-1wQUap71kWwQfZB94MX3lc8OU_aem_vHupOM2cmtEoPtBQ-uu4vg