AVNI SKËNDERI DHE MASAKRA E KAGJINASIT NË ERSEKË GJATË LANÇ-it
(Në respekt, mirënjohje e nderim të bijëve të fshatit Kagjinas: Avni (Hamdi) Skënderi – Frashëri, Mehmet Halim Amdiu, Sadik Telo Amdiu, Safet Myrteza Amdiu, Shyqyri Sali Bahollari, Sali Shyqyri Bahollari, Vezir Rasip Kapo, Muharrem Rasip Kapo, Muhamet Ali Tare, Teko Ramo Ferhati, atdhetarë dhe patriotë që u ekzekutuan me pushkatim nga trupat gjermane më 18 gushtin e vitit 1943. Mirënjohje përjetë bijëve të Kagjinasit të Ersekës që gjakun e derdhën për lirinë dhe do të jetojnë përjetësisht në panteonin e përjetësisë së Atdheut dhe kombiti shqiptar, në panteonin e shqiptarizmës. Masakra e Kagjinasit është vijimësi e masakrës së Borovës e datws 6.7.1943)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Lufta çlirimtare e shqiptarëve gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka shënuar disa nga ngjarjet më kulmore dhe më të përgjakshme të historisë sonë, me masakra të papërsëritshme, siç ka qenë masakra e njohur e Borovës, ku trupat gjermane ekzekutuan 107 shqiptarë të pafajshëm. Por kjo masakër u pasua nga dhjetëra operacione masakruese ndaj popullsisë së fshatrave të Kolonjës. Përgjakja vijoi jo vetëm në korrik, por edhe në gusht të vitit 1943. Në arkiva gjejmë emrat e të masakruarve në Borovë, por edhe emrat e dhjetëra të tjerëve në fshatrat përreth. Një ndër masakrat që ende flet dhe dëshmon për atë periudhë është Masakra e Kagjinasit, ku gjermanët hynë furishëm më 18.8.1943. Banorët e Kagjinasit nuk e harruan dhe nuk do ta harrojnë ndër breza ekzekutimin që nazistët gjermanë kryen në këtë fshat aq patriot dhe atdhetar. Ata bënë sa mundën. Historia shkroi me shkronja gjaku në qendër të fshatit emrat e dhjetë bijve të Kagjinasit të ekzekutuar atë ditë të përgjakshme gushti. Krahas tyre, atë ditë u ekzekutuan edhe kryetari dhe sekretari i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Ishin dhjetë bij e bija të ekzekutuar me breshëri plumbash në dyert e shtëpive të tyre dhe, më pas, shtëpive iu vu flaka. Nazistëve ende nuk u kishte dalë inati nga masakra e Borovës dhe nuk ishin ngopur me gjakun e shqiptarëve.
Në masakrën e Kagjinasit humbën jetën, në lulen e djalërisë dhe burrërisë kagjinase: Avni (Hamdi) Skënderi-Frashëri, Mehmet Halim Amdiu, Sadik Telo Amdiu, Safet Myrteza Amdiu, Shyqyri Sali Bahollari, Sali Shyqyri Bahollari, Vezir Rasip Kapo, Muharrem Rasip Kapo, Muhamet Ali Tare dhe Teko Ramo Ferhati. Që të gjithë meritojnë titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Kërkesa të shumta kanë bërë fshati, familjarët, ish-partizanët dhe pasardhësit e tyre. Ata kanë dëshmuar dhe deklaruar vazhdimisht, por zëri i tyre ka “humbur” në humbëtirën dhe vorbullën e jetës, si edhe në distancën gjeografike nga Tirana. Ka humbur mes “mungesës së akteve juridike”, “vakumit ligjor” dhe letrave të pafundme që kanë përfunduar në duart e burokratëve që i kanë trajtuar çështjet në mënyrë të paplotë. Por populli nuk i harron kurrë bijtë e vet. Erdhi një kohë kur emrat e tyre jo vetëm që nuk u harruan, por u skalitën me shkronja gjaku në qendër të fshatit, në lapidarin e dëshmorëve të luftës të Kagjinasit, pranë shkollës dhe pranë çezmës së ujit, ku banorët shuanin etjen, mblidheshin dhe bisedonin. Ata kujtonin kohën e pushtimit, djalërinë që gjermani ua ekzekutoi në pragjet e shtëpive. Një jetë në luftë me hallet e kohës, por edhe në luftë me pushtuesit. I tillë ka qenë fati i shqiptarit ndër shekuj. Biografitë e të rënëve, të ekzekutuar në dyert e shtëpive të tyre brenda fshatit, janë pothuajse të njëjta: histori jetësh plot halle dhe mundime, biografi që u flasin brezave me zërin e kohës. Në këtë shkrim kemi marrë në analizë biografinë e njërit prej dëshmorëve të pashpallur të Masakrës së Kagjinasit, Avni (Hamdi) Skënderi-Frashëri.
*
Avni (Hamdi) Skënderi (Frashëri), dëshmori nga oxhaku i Frashëllinjve
Avni (Hamdi) Skënderi (Frashëri) ka qenë një pinjoll i njohur i oxhakut të Frashëllinjve të Mëdhenj, që i kanë bërë nder kombit shqiptar. Avniu, ose Hamdiu, siç gjendet emri në disa dokumente të kohës, lindi në një mjedis atdhetar e patriotik, në Frashërin e Dangëllisë. Ai erdhi në jetë në mars të vitit 1915. Prindërit e tij kishin ndërtuar jetën në Frashër, vendin e njohur në histori, mes një natyre të lirë, por në kushte të vështira ekonomike. Kur lindi Avniu, pavarësia shqiptare ishte vetëm trevjeçare, ndërsa vendi ndodhej në kohë lufte, pasi kishte filluar Lufta e Parë Botërore. Ai nuk e njohu fëmijërinë siç e kuptojmë sot, sepse në atë kohë fëmijët rriteshin shpejt dhe detyroheshin të punonin që në moshë të vogël për t’u bërë krah familjes. Derën e madhe të Frashëllinjve e njihnin si miqtë, ashtu edhe armiqtë. Frashëllinjtë i kishin dhënë shqiptarizmit më shumë se çdo oxhak tjetër në Shqipëri në aspektin e Rilindjes Kombëtare, të mendimit politik e kulturor shqiptar, duke nxjerrë shkrimtarë, studiues dhe poetë që identifikoheshin me vetë kombin. Avniu, i etur për dituri, arsimin bazë e mori në Frashër dhe më pas u bë krah dhe shtyllë e familjes. Ai kreu edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitet 1933–1935 dhe më pas iu kthye punëve të fushës e sidomos të malit. Koha e vështirë dhe kushtet e rënda të jetesës e detyruan të shpërngulej brenda vendit dhe të vendosej në Kagjinas të Kolonjës. Atje bleu një copë tokë pranë çezmës së fshatit dhe, pas 5–6 vitesh, ndërtoi një shtëpi të re. Por pushtimet nuk iu ndanë vendit. Avni Skënderi krijoi në Kagjinas një jetë dhe familje të re. Ai pati dy fëmijë që erdhën në jetë para vrasjes së tij: Adilen, vajzën e madhe, e lindur në vitin 1941, dhe djalin Ruzhdi, i cili ishte vetëm një vjeç e gjysmë në verën e vitit 1943. Vajza e dytë e Avniut dhe Bylyres ishte ende në barkun e nënës ditën kur u vra babai i saj. Kështu, Hanëmja nuk e njohu kurrë të atin. Bashkëshortja e Avniut ishte një grua burrneshë, e cila nuk iu tremb kurrë vështirësive të jetës, e ndërkohë pas çlirimit ajo martohet me Nuri Skënderin, edhe me mbështetjen e vëllezërisë së saj dhe solli në jetë edhe dy djem e tri vajza. Në një artikull të shkruar nga profesori Bernard Zotaj, me titull “Gjurmët naziste në memorien e një fëmije”, që i referohet të birit të Avni Skënderi-Frashërit, Ruzhdi Frashërit, shkruhet: “I tillë është edhe një prej pinjollëve të familjes Frashëri, për të cilin meriton të shkruhet me gërma të arta. Ruzhdi Frashëri (në kohën e shkrimit Ruzhdiu ishte ende gjallë) është sot 80 vjeç dhe, si çdo bashkëmoshatar i tij, lufton me sëmundjet e moshës. I lindur më 20 shkurt 1942 në Kagjinas të Kolonjës, fati i keq e solli që ai të përballej që në fëmijërinë e hershme me vështirësitë e jetës. Më gusht 1943, ai ishte vetëm një vit e gjysmë, kur trupat e Divizionit të Parë Malor të Ëehrmacht-it, duke udhëtuar nga Korça në drejtim të Janinës, u përballën në dalje të Barmashit me një pritë të organizuar nga njësitet partizane vendase, të udhëhequra nga Riza Kodheli dhe Petrit Dume…”. Pas kësaj goditjeje ndaj autokolonës gjermane, forcat partizane u larguan nga zona, ndërsa gjermanët ndërmorën aksione hakmarrëse në Borovë dhe në fshatrat përreth. Për këto ngjarje flitet pak. Megjithatë, masakrat në Gozhdarazhd, Kamnik, Sanjollas, Podë dhe sidomos në Kagjinas përbënin akte të ngjashme terrori ndaj popullsisë civile, me vrasje të njerëzve të pafajshëm dhe djegie shtëpish.Ndër viktimat ishte edhe Avni (Hamdi) Frashëri, babai i Ruzhdiut. I ardhur në Kagjinas vite më parë nga Frashëri i Përmetit, nga një oxhak i njohur në mbarë trevat e Kolonjës, Përmetit dhe Skraparit, Avniu la jetim djalin Ruzhdi dhe dy vajzat e tij, Adilen dhe Hanëmen, e cila ende nuk kishte lindur.Në një intervistë të dhënë sa ishte gjallë, Ruzhdi Frashëri, i pyetur nëse kujtonte diçka të veçantë nga fëmijëria dhe nga ajo ditë e përgjakshme e gushtit 1943, kur nazistët i vranë të atin, dëshmonte:“Kur erdhën gjermanët në Kagjinas, rastisa të isha me nënën Bylyre te çezma e fshatit, ku ajo kishte shkuar të mbushte ujë. Në atë kohë isha rreth një vjeç e gjysmë dhe nëna më mbante në krahë. Më ka treguar gjithmonë se një ushtar nazist u afrua për të më marrë nga krahët e saj. Ajo më kishte shtrënguar fort pas gjoksit, e tmerruar nga ajo që po ndodhte. Një oficer i lartë gjerman qëndronte hipur mbi kalë dhe kishte pranë ordinancën e tij. Ai urdhëroi që djalin e vogël ta sillnin pranë tij. Ushtari zbatoi urdhrin dhe më çoi te komandanti. Oficeri më përkëdheli, më puthi në ballë, më ngriti lart me të dyja duart dhe më tha diçka në gjermanisht. Ndoshta kujtoi fëmijët e tij në Gjermani. Më pas më ktheu te nëna, e cila po priste me gjakun e ngrirë. Kur nëna u kthye në shtëpi, burrin e saj e gjeti të ekzekutuar me breshëri plumbash. Babai im, Hamdiu, ishte krejtësisht i pafajshëm dhe nuk kishte kryer asnjë veprim kundër ushtrisë gjermane. Shtëpia jonë u dogj nga nazistët si hakmarrje për pritën e Borovës”. Në familjen Skënderi-Frashëri kishte ngjarë gjëma se ishte vrarë me ekzekutim trari i shtëpisë, burri fisnik 28 vjeçari Avdi (Hamdi) Skënderi-Frashëri. Hakmarrja gjermane vijoi në të gjithë fshatrat e zonës, duke lënë mjaft të vrarë dhe shumë shtëpi të djegura. Pushtuesit nuk e njihnin dashurinë e shqiptarëve për lirinë dhe nuk e njihnin as fisnikërinë shqiptare.
*
Në Arkivin Ushtarak Gjerman të Freiburgut “flenë” të vërtetat e masakrave në Shqipëri
Nga një vizitë zyrtare që kam bërë në fillim të prillit të vitit 2011 në Arkivin Ushtarak Gjerman në Freiburg, kam parë një “mal me blloqe-ditarë” nga të gjitha frontet e luftës së gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore, si dhe një zyrë hartash me rreth 3000 harta lufte, mesatarisht dy harta për çdo ditë lufte. Kur pyetëm drejtorin e arkivit të Freiburgut nëse kishte blloqe ditarësh të oficerëve dhe ushtarëve gjermanë që kishin vepruar si pushtues në Shqipëri, përgjigjja ishte: “Patjetër”, por zbardhja e tyre do të kërkojë kohë. Të dhënat e palëve ndërluftuese zbardhen në mënyrë të dyanshme nga historiografia e pushtuesve dhe e mbrojtësve, por me siguri masakrat do të vazhdojnë të ndriçohen nga historia ushtarake e së ardhmes. Megjithatë, emrat e dëshmorëve të rënë në trevën e Kolonjës dhe në mbarë hapësirën shqiptare nuk janë numra, por jetë të flijuara për lirinë e Atdheut. Ne jemi borxhlinj ndaj brezave që ranë për atdheun. Shteti vijon të jetë përgjegjës për të nderuar gjakun e derdhur për liri. Aktorët dhe faktorët lokalë e qendrorë mund dhe duhet të kujdesen për zbatimin e ligjit, dhe vetëm të ligjit, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”. Në më shumë se tetë dekada janë miratuar mjaft akte ligjore dhe nënligjore për dëshmorët, por Ligji nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në Kreun II, “Kriteret për shpalljen e statusit ‘Dëshmor i Atdheut’”, neni 5, është ndër më të plotët, me 21 pika të specifikuara. Në pikën “d” thuhet: “Shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945”. Ligji përmban gjithashtu edhe pikën “ë”, ku thuhet: “Shtetasit shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët kanë humbur jetën brenda datës 9 maj 1947 për shkak të sëmundjeve, plagëve të marra ose fatkeqësive të ndryshme, duke qenë në krye të detyrës luftarake”. Aktorë dhe faktorë të ndryshëm, si familjarët, kryetari i degës së OKDA-së, Jani Dhimitri, së bashku me kryesinë në Ersekë, përgjegjësja e muzeut Ardiana Konini, një studiuese e përkushtuar dhe shtetare serioze, Shoqata e Historianëve Ushtarakë Shqiptarë, prefekturat, këshillat e qarqeve, këshillat bashkiakë, Departamenti i Dëshmorëve dhe stafi teknik që punon përditë, me në krye MSc Fatbardha Mashën, deri te Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe mbarë shoqëria shqiptare, mund dhe duhet të mbrojnë gjakun që shqiptarët kanë derdhur për lirinë. Listat e personave që meritojnë vlerësim janë të shumta edhe për Bashkinë e Ersekës dhe kërkojnë vëmendje e nderim deri në shpalljen e tyre me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Më konkretisht, për bijtë e masakruar në Kagjinas: Avni (Hamdi) Skënderi-Frashëri, Mehmet Halim Amdiu, Sadik Telo Amdiu, Safet Myrteza Amdiu, Shyqyri Sali Bahollari, Sali Shyqyri Bahollari, Vezir Rasip Kapo, Muharrem Rasip Kapo, Muhamet Ali Tare dhe Teko Ramo Ferhati. Për bijtë e fshatit Podë, të ekzekutuar në korrik të vitit 1943: Sefedin Ali Meko, Tahir Hysen Rushaiti, Ili Mitre Fane, Mitre Konin Konikola, Thomaidha Kozma Konikola, Koço Mitre Konikola dhe Thomaidha Mitre Konikola. Në Gërmenj është ekzekutuar Pilo Kolë Kotonika, ndërsa të vrarë ka pasur edhe në Ersekë, Leskovik, Gozhdarazhd, Kamnik, Sanjollas etj. Realisht një hakmarrje e përbindshme.
Nën përkujdesjen e ish-Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi u realizua shpallja me titullin “Dëshmor” për 107 të ekzekutuarit e Masakrës së Borovës më 6 korrik 1943, një nismë në përputhje me ligjin dhe në fakt gjithë të vrarë nga nazifashistët gjermanë, 107 civilë, prej tyre 64 gra dhe 43 burra, pa kursyer edhe fëmijët e vegjël, ku viktima më e vogël ishte 4 muajsh dhe më i vjetri 84 vjeç. Dëshmorët që u shpallën nga të masakruarit e Borovës janë: Venetija Thoma Toti, Koço Thoma Tota, Aleko Ngjelo, Zoica Totoni, Kristina Ilija Andon, Ilija Andon, Parako Andon, Stefani Peti Andrea, Vasiliqi Peti Andrea, Andronika Peti Andrea, Marija Koli Proko, Konstandin Ilija, Andronika Ilija, Nikolla Ilija, Eftali Pando Tota, Poliksen Pando, Sotir Petro Zoto, Afrovit Pilo, Sotir Taqe, Sotir Petro, Kleanthi Janaq, Mariko Janaq, Sofia Janaq, Ilia Janaq, Anastas Simoni, Maria Anastas, Josif Mingo, Dhimitro Josif, Aleksandra Pali, Lirika Pali, Pando Josif, Akondisa Mingo, Telo Jani, Vasillaq Llambi, Maria Stefan, Androniqi Kozma, Ksanthip Kozma, Dhevgjenia Kozma, Ollga Kozma, Paskal Kozma, Arqimandrit Grigor, Ollga Thoma, Piro Thoma, Taqi Thoma, Anastasi Thanas, Koço Thanas, Dhoksia Mikel, Dhimitrulla Vangjel, Mërtiro Thanas, Mihal Petro, Eftalia Mihal, Jane Aleks, Afrovit Lula, Sotiraq Lula, Aleks Lula, Fillareta Lula, Stefano Thoma, Eftalia Thoma, Dhora Thoma, Urani Thoma, Aleks Serafim, Jorgji Kristo, Spiro Jorgji, Afrivit Jorgji, Thoma Kondaku, Serafim Kuke, Eftalia Lani, Ollga Lani, Stefano Sokrat, Viktoria Sokrat, Gjergo Sokrat, Josif Pano, Katerina Pando, Katerina Stefan, Efthimia Koço, Josif Buzi, Vasil Anastas, Katerina Josif, Mitro Mihal, Llambi Vasil, Evgjeni Vasil, Koço Llambi, Theodhora Llambi, Vasiliqi Ilija, Gaqi Josif, Polikroni Josif, Evanthi Gaqi, Pali Gaqi, Josof Gaqi, Paravi Gaqi, Andronika Gaqi, Peti Sino, Katerina Peti, Sofia Peti, Dhimitri Peti, Simo Peti, Thomaidha Peti, Katerina Sotir, Marianthi Sotir, Polikron Sotir, Vesel Gaqe, Eleni Lazi, Thomaidha Lazi, Miço, Pilo Konioni, Zoga Punde, Perikli Zhuku, dhe (107)Poliksen Vasil, rënë në Borovë. Por bazuar në dokumentacion titullin dhe përjetësinë dëshmorë e meritojnë dhe Efthim Petro Paskal rënë në Barmash, Sofia Vasil Hormova, Parashqevi Caci Pande, Zoica Stefan Prifti, Jan Dano, Koço Kono, Janaq Vangjel, dhe (115) Sofia Mitre, rënë në Barmash. (bazuar në dok e AQSH, fondi 152, viti 1943, dosja 834, fleta 15).
Në 79-vjetorin e masakrës, më 6 korrik 2022, viktimat dhe familjet e tyre janë nderuar me statusin e lartë “Dëshmori i Atdheut”. Ata morën vlerësimin moral por mbi të gjitha kanë nevojë për vlerësimin dhe dinjitetin shtetëror, sepse Borova u kthye në simbol i sakrificës së popullit shqiptar në Luftën II Botërore. Dhe jo vetëm Borova. Është për tu shënuar se Masakra e Borovës u përkujtua edhe në vitin 2013 në 70-vjetorin e saj ku nuk nguroi të vinte edhe i biri i një prej nazistëve pjesëmarrës në atë batërdi gjakatare, i cili në një akt qytetar e njerëzor kërkoi falje për krimet e të atit.”Kërkoj të falur në emër të babait tim. Ai ka marrë pjesë në vrasjet e më shumë se 100 civilëve të pafajshëm në Borovë. Ma la amanet që dikur të gjeja mundësi për të kërkuar ndjesë në emër të tij”, do të shprehej Markus Burger më 6 korrikun e 2013-s, që tregoi që brezat që vijnë duhet të qytetërohen të dinë të kërkojnë edhe falje për barbaritë e prindërve të tyre. Borova flet me dhimbjen e saj, ashtu sikurse flet edhe Kagjinasi, Gërmenji, Erseka, Leskoviku, Gozhdarazhd, Kamniku, Sanjollasi etj, është dhimbja e dhimbjeve që nuk do të pushojë kurrë. Prandaj respektimi i të ekzekutuarve nga dora gjakatare e pushtuesve duhet nderuar e respektuar sipas ligjit.
Me shpalljen dëshmorë të këtyre bijve nderohet vetë kombi shqiptar, pasi dëshmorët kanë qenë, janë dhe do të mbeten mbrojtës të kombit dhe të shqiptarizmit. Ata janë dhe do të mbeten shenjtëri të përhershme në rrënjët e kombit shqiptar. Fisnikëria dhe zemërbardhësia e bijve dhe bijave të Frashëllinjve vazhdon edhe te pasardhësit e dëshmorit të lirisë Avni Skënderi-Frashëri. Ajo vazhdon te nipërit dhe mbesat e tij, sepse fisnikëria është një virtyt që transmetohet brez pas brezi, por që shfaqet gjithashtu me modesti dhe mirësi njerëzore. Kjo duket edhe te fëmijët e Ruzhdi Skënderi-Frashërit, si Kastriot Frashëri, studiues, publicist dhe avokat i mirënjohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, me kontribute të rëndësishme në historinë e demokracisë shqiptare dhe të shoqërisë civile, por edhe te pasardhësit e tjerë të këtij oxhaku familjar: Lumturia, Festimi, Thanasi, Margarita, Iliri, Alketa dhe Alsoni. Jeta rrjedh si uji i kulluar i Frashërit dhe i Kagjinasit, ku historitë familjare nuk shterojnë kurrë. “E drejta zhytet, por nuk mbytet”, thotë me të drejtë një maksimë proverbiale shqiptare. Edhe shtëpitë dhe gurët e fshatit tregojnë të vërtetat e mëdha të masakrave në Borovë, Kagjinas dhe Podë; të vërteta që, edhe pas 83 vitesh, flasin përmes heshtjes së tyre të gjatë. Fakt është se, ligjërisht, të rënët për Atdheun nën breshëritë e pushkatimeve naziste gjermane e meritojnë plotësisht emrin e lartë dhe titullin e nderit “Dëshmor i Atdheut”.
*
Burimet e studimit:
Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, “Dëshmorët e Atdheut”, Publikuar nga Ministria e Mbrojtjes me rastin e 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar (në 1000 kopje), Tiranë: Realstamp, 2012; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Dëshmorët në Rrënjët e Kombit shqiptar, Tiranë: SHB: “Emal”, 2021; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Nga Istria në Ambraki, Tiranë, 2026; Të dhëna nga AQSH (fondi 152, viti 1943, dosja 834, fleta 15), të dhëna nga fondet dokumentare të AQFA, të dhëna profesionale nga Muzeu i Ersekës nga përgjegjëses së muzeut zonja Ardiana Konini, të dhëna nga Kryetari i OKDA dega Ersekë Jani Dhimitri, të dhëna nga nipi i dëshmorit Kastriot Ruzhdi Frashëri; të dhëna nga Zyra qendrore kombëtare e Organikatës kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut; të dhëna nga deklarata të ndryshme të familjarëve të të rënëve në masakrat që pushtuesit kanë organizuar në trevën e Kolonjës; Periodiku i gazetës “Ushtria” dhe revista “Mbrojtja”, të dhëna nga periodiku iu revistës “Pavdekësia”, të dhëna nga dosja e 107 dëshmorëve të Borovës dhe masakrat përreth saj të përgatitura nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj dhe Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi; Gazeta “Sot”, Fisnikëria e një Frashëlliu në jetë, 22.10.2021.(https://sot.com.al/opinion-editorial/fisnikeria-e-nje-frashelliu-ne-jete-i470652/); Ruzhdi Frashëri Zbatues i mirë i mësimeve të Naim Frashërit, 2.11.2021 (https://www.cna.al/2021/11/02/ruzhdi-frasheri-zbatues-i-mire-i-mesimeve-te-naim-frasherit; të dhëna nga portale “Albspirit” etj.