Artan Xh. Duka: Mirësevini në “shtëpi”!
Ajo që na bën të veçantë në turizëm nuk janë malet e detet me bollëk në planet, as ngrehinat e arkitekturat turistike e urbane që bota i ka pa hesap por trashëgëmia gjuhësore, historike e kulturore unike ku gjen veten turisti vetë.
Turisti dëshiron atë që nuk ka në vëndin e tij, sidomos kur nuk gjënden kollaj gjetiu dhe identifikohet me to. “Thesari” gjuhësor, kulturor e historik i yni jo vetëm është unik por dhe i mundëson turistit “makinën e kohës” për të prekur, parë, dëgjuar e mësuar për të shkuarën e të parët e tij.
“Muzeu” i Europës
Pas 90 u hap “Kutia e Pandorës” edhe për rolin e vëndin e paraardhësve tanë në qytetërimin europian që, në mos i shtrëmbëruar, ishte i “arkivuar” e i “pagojë” me boshllëkun të mbushur me sajesa e të pavërteta rreth historisë sonë.
Falë përkushtimit të emrave të shquar të së shkuarës e brezit të sotëm të studjuesve e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj, sot po faktohet nga arkivat e kërkimi shkencor se jemi jo vetëm vëndi plot merita i shqiptarëve por edhe “muzeu” i qytetërimit europian nga gjuha, historia, ADN etj që plotësojnë “mozaikun” historik e gjuhësor europian.
Gjuha jonë konsiderohet gjuha më e lashtë aktive në Europë me “Science” që e shtrin evolucionin e pandërprerë në 6 mijë vjet. Sot supozohet se gjuha e jonë iu shkëput e para trungut indo-europian, në mos ishte vetë ky trung nga ku evoluan gjuhë të tjera në kontinent ndaj, kur turisti dëgjon shqipen, me shumë gjasa “dëgjon” edhe të parët e vet e Shqipëria i duket si “shtëpi” e dytë.
Shkrimet mesapike sot pohojnë se jo vetëm gjuha e të parëve është shkruar shumë më herët nga sa mendohej por dhe se alfabeti, rëndom i quajtur grek, është pellazg, një vlerë për identitetin tonë dhe atë europian. Sot ka hipoteza se gjuha “babeliane” me gjurmë në toponime, etimologji etj, është gjuha ende e gjallë tek populli më i lashtë në kontinent.
Arkivat e kërkimet po qartësojnë vijimësinë pellazgo-iliro-arbërore-shqiptare që sqaron edhe origjinën plot figurave të bujshme historike nga perandorë, mbretër, papë, politikanë, presidentë, dijetarë, artistë e shkencëtarë etj. Mitet për figurat, legjendat, ngjarjet e lashtësisë nga Troja, tregimet e Homerit etj po rishikohen dhe lashtësia flet gjithnjë e më shumë pellazgjisht e ilirisht e kjo grish edhe kuriozitetin turistik.
Rilindja 2.0
U jemi vërtet mirënjohës të gjithë studjuesve të huaj e vëndas që po zhbirojnë historinë në respekt të së vërtetës. Rishikimi nuk është revanshizëm e dielli nuk mbulohet me shoshë. Arvanitasit mbase ndjehen grek por gjuhën e flamurin kuq e zi duhet t’a shpalosin si vëllezërit në Itali. Jo për hatër të Shqipërisë por të parëve të tyre që bashkë me Skënderbeun, ua ngriti kokën lart.
Njëlloj si rilindasit dje që krijuan vetëdije kuq e zi pas 5 shekujsh robëri, edhe brezi i sotëm i studjuesve shqiptarë që po heqin “pluhurin” e harresës nga “thesari” i historisë dhe gjuhës unike në kontinent po ndihmojnë në krijimin e një vetëdije të re që lë pas tabu e klishe dhe përgatit shqiptarët për shekullin e tyre dhe kurorën e meritën që u përket.
Kjo veprimtari për kauzën e së vërtetës pa komplekse nga e shkuara duhet të mbështetet nga shteti duke mos u paragjykuar apo denigruar apriori me institucionet shkencore të parat mëndjehapura ndaj risive të kohës.
Sot bota pranon se gjuha shqipe është më e lashta në kontinent, etimologjia provon se jemi “tulla” e gjuhëve atje, se kemi dhënë më shumë se kemi marrë fjalë nga bota etj fakte që bëjnë të interesuar e krenar të gjithë, përfshirë edhe të huajt të interesuar nga vijnë.
Nëse supozohet se plot gjuhë në kontinent kanë në gjenezë pellazgjishten, atëhere shqipja si trashëgimtare e saj duhet të entuziazmojë të gjithë. Shqipja nuk evoluoi teknikisht si gjuhët e tjera (rregulla, gramatika etj të diktuara nga lart) sepse u përndoq dhe ironikisht, evoluoi natyrshëm e “nëndhe” duke ruajtur e vetme “kodin” e komunikimit të të parëve pellazgë.
Nëse Trump i tha Europës se pa ata ajo do të fliste gjermanisht, kur Çarls u tha amerikanëve se pa ta ata do flisnin frëngjisht edhe pa ne Europa do të fliste turqisht! Jo vetëm flasim ende gjuhën që flisnin dikur të parët e europianëve të sotëm por edhe mbrojtëm mozaikun e këtyre gjuhëve kur u ndeshëm me hordhitë Osmane edhe për ta!
Arkivat po tregojnë se heronjtë e lashtësisë ishin iliro-pellazgë, se luftuam perandori dhe i drejtuam ato, krijuam Zotat e më pas lejuam Krishtërimin, se betejat epike të lashtësisë ishin mes atyre që flisnin të njëjtën gjuhë, se alfabetet e gjuha nga ku dolën të tjerat (latinishtja për gjuhët latine), bazoheshin vetë tek alfabeti e leksiku pellazgo-ilir që ruan ende “kodin” tek shqipja etj.
E shkuara po dëfton se nuk jemi “brum” dosido ndaj dhe e ardhmja shihet më me besim e shpresë. Po del “hipnoza” e kjo falë brezit të rilindasve të sotëm që njëlloj si të mëparshmit, janë “priftërinjt” e “dishepujt” e përkushtuar të rradhës në “altarin” kuq e zi.
Ne nuk jemi aq të vegjël sa të përgjërohemi e ulemi në gjunjë për t’u integruar në BE. Jemi të parët dhe të vetmit “roje” të thesarit historik e gjuhësor të së shkuarës që është në zanafillë të vetë Europës. Nuk jemi një shtojcë për BE por ajo që i mungon asaj për t’u identifikuar qysh nga gjeneza.
Për mal e det, por edhe të parët e vet!
Pa ne, lashtësia e Europës mbetet mister. Nëse Europa e 1913 do të zhdukte Shqipërinë, do të zhdukte pakthim edhe origjinën e saj dhe “pasaportës” e “CV” së Europës do i mungonte “fleta” e parë dhe koha e vëndlindja do të ishte bosh!
Kur europiani viziton Shqipërinë, i jepet mundësia të kuptojë nga vjen, të dëgjojë si tingëllonte gjuha e të parëve, të mësojë kuptimin e llogjikën pas plot fjalëve të përditshme, të mësojë se plot figura historike europiane janë bij të shqipes, se një perandor me origjinë nga ky vënd myslyman u mundësoi Krishtërimin, u dha papë e Nënë Terezën, i mbrojti nga rreziku myslyman Osman, se lashtësia e kontinentit është flet pellazgjisht etj.
Turizmi në Shqipëri, aq sa qejf e argëtim, është dhe surprizë e bukur që i hap sytë botës për të shkuarën e pashkruar deri më sot. Kurioziteti është njerëzor dhe kur bëhet fjalë për veten, nuk njeh kufinj.
Shqipëria ofron për turistin atë që imagjinata nuk mundet. Një “kthim” pas në kohën e të parëve të vet duke filluar nga “fosili” i gjallë i gjuhës që flitet për mijra vjet, historia etj ndaj dhe në funksion të turizmit, vetëdijes e krenarisë kombëtare, shteti duhet të përkushtohet më tej në shpalosjen e nxitjen e këtyre vlerave.
Nga popullarizimi i alfabetit pellazg si thesar kombëtar, futja në proçesin mësimor, prania si shkrim i dytë në tabelat publike etj.
Mbushja e shesheve me statuja heronjsh, personazhe mitologjike pellazgo-ilire, studjues të shquar, albanolog të huaj e vëndas me kontribut. Nga Homeri, Zeusi e Zotat, Troja, Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Konstandini i Madh, Napoleoni, Uashingtoni, eruditë e pena të shquara si Kadare, Agolli, Qosja, Zheji, Kola etj pafund të mëdhenj që kanë rrënjët tek kjo tokë e “vogël”.
Përkujdesje për kulturën, zakonet e traditat nga jugu në veri që kudo e kurdo turisti të mësojë për këngën labe, lahutën e malësisë, serenatën korçare, veshjet shqiptare etj. Veshjet zyrtare të rojeve të nderit duhet të fusin traditën e fustanellës, xhubletës, plisit e qeleshes me antenë etj, sepse kemi “copyright” e të tjerët janë “piratë”.
Shteti duhet të nxisë emërtimin e vëndeve, rrugëve, objekteve etj me emra e ngjarje historike, të rikthejë në identitet emrat e huazuara nga bota etj deri edhe të nxisë përdorimin e emrave që simbolizojnë lashtësi e përjetësi edhe tek qytetarët vetë.
Shteti të financojë studjuesit për të gërmuar nëpër arkiva, të lobojë UNESCO-n, botën politike, kulturore, artistike, vetë Hollywood-in etj, për të tërhequr vëmëndjen që meriton vëndi i “vogël” me të kaluar të madhe.
Tekstet shkollore duhet të reflektojnë zhvillimet e reja pa komplekse sepse sot nuk diskutohen më kufijtë në një botë gjithnjë e më të hapur por duhet që të mos mbetet pezull e vërteta dhe dinjiteti që ajo përcjell.
Institucionet shkencore e kërkimore duhet të jenë në pararojë të kërkimeve e botimeve rreth zhvillimeve të reja pasqyruar këto në fjalorët e gjuhës, etimologji, histori etj. Gjuha zyrtare duhet plotësuar më tej me gegërishten si “këmba” e dytë, tok me toskërishten, e “urës” që lidh shqipen me lashtësinë.
Një shtet demokratik në BE do të davariste çdo paragjykim të stisur nga gjeopolitika antishqiptare. Vëndi amë i nderuar e respektuar për të shkuarën e të sotmen do të ishte pikë referimi e burim krenarie vetëdije kuq e zi për çdo bashkëkombas të ri apo të hershëm në botë.
Turisti i huaj që vjen në Shqipëri do të bëhet kurioz kur të suprizohet nga monumentet në shesh, tabelat turistike kudo që flasin për ngjarje historike europiane, vëndasit që e kuptojnë leht3 etj. Kur të kuptojë se plot prej tyre lidhen edhe me të parët e origjinën e tij, do të kuptojë e nuk do habitet kur t’a presin ndonjë ditë edhe me urimin “Welcome home” apo “Mirësevjen në shtëpi”!