Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: MBRETI ME HUNDË PALAÇOJE

Letra e arkitektit holandez Reiner De Graff drejtuar Edi Ramës, e përfshirë nga ky në librin “THE ALBANIAN FILES – FREEDON AND ARCHITECTURE”, më kujtoi se historia është plot me shembuj ku artistë të mëdhenj kanë punuar për mbretër, papë, perandorë apo diktatorë.

Por ajo më solli në mendje edhe një anekdotë të njohur…

“Një tiran thirri poetin më të njohur të vendit.

– Dua të shkruash një odë për madhështinë time, i tha ai.

Poeti u kthye pas një jave me vetëm një varg.

– Vetëm kaq? – u zemërua tirani.

– Po, madhëri.

– Lexoje!

Poeti lexoi: “Pas teje, historia do të ketë shumë punë”.

Tirani u ngrit në këmbë.

– Gjeniale! Do të thotë se do të jem i pavdekshëm!

Dhe e mbuloi poetin me flori.

Kur doli nga pallati, një nxënës e pyeti:

– Mësues, a nuk kishe frikë?

Poeti buzëqeshi.

-Historia nuk e ka zakon të merret gjatë me njerëzit e mëdhenj. Ajo lodhet vetëm duke pastruar rrënojat që lënë pas”.

Kjo na kujton se shpesh artistët janë tallur me “bukëdhënësin” e tyre. Në mesjetë ekzistonte figura e bufonit të oborrit. Ai ishte i vetmi që mund t’i thoshte mbretit gjëra që askush tjetër nuk guxonte t’ia thoshte. Sekreti ishte forma: ai nuk e akuzonte mbretin; e lavdëronte aq shumë, sa lavdërimi bëhej pasqyrë. Dhe ndonjëherë mbreti qeshte, sepse e kuptonte lojën. Ndonjëherë qeshte, sepse nuk e kuptonte. Mjaft të kujtojmë rastin e të famshmit Wolfgang Amadeus Mozart. Ai u shërbeu princërve dhe aristokracisë, por opera The Marriage of Figaro është një thumbim i privilegjeve të fisnikërisë. Aristokratët duartrokisnin muzikën, ndërsa nuk e kuptonin gjithmonë se po qeshnin me veten.

Do desha ta lexoj kështu edhe letrën e Reinier de Graaf, duke e futur atë në një traditë shumë të vjetër: ku arti i oborrit i thotë mbretit të vërtetën në formën e një komplimenti.

Por ngaqë dykuptimësia – lavdërim apo tallje – është vështirë të provohet në tekstin e arkitektit holandez, po i lejoj vetes pak hamendeshim. Shoh tre skenarë.

Skenari i parë: Rama e ka lexuar si ironi dhe pikërisht për këtë e ka përfshirë. Kjo do të ishte në përputhje me imazhin që ai ka kultivuar prej vitesh: një politikan që nuk trembet nga ironia dhe që madje e përdor atë si pjesë të vetëpromovimit.

Skenari i dytë: Rama e ka lexuar si një kompliment të ekzagjeruar. Njerëzit shpesh pranojnë hiperbolat kur ato përforcojnë një narrativë që u pëlqen. Ai mund të ketë menduar se lexuesi do të ndalej te ideja se Shqipëria është bërë “Mekë e arkitekturës”, ndërsa pjesa për “mbretin” do të lexohej si një zbukurim retorik.

Skenari i tretë, mbase dhe më interesanti, është se Rama nuk është aq delirant sa nuk e ka kuptuar talljen. Ai ka kuptuar ambiguitetin. Njëri ta shohë lavdërim, tjetri satirë. Pikërisht kjo dykuptimësi e ka tërhequr. Letra bëhet tërheqëse sepse vetë fakti që një emër i madh i arkitekturës shkruan për të, kryeministri ka llogaritur se përfitimi nga autoriteti i Reinier de Graaf dhe nga ideja e Shqipërisë si qendër e arkitekturës është më i madh se çdo thumb i fshehur që mund të përmbajë teksti.

Satira më e mirë, në fund të fundit, nuk e sulmon drejtpërdrejt personazhin; ajo e lë atë të mbytet në tepricën e lavdërimeve. Sepse lavdërimi, kur kalon një kufi, pushon së qeni lavdërim.

Këtu fillon paradoksi.

Nëse letra është lavdërim, ajo e dëmton figurën e një politikani demokratik, siç vetëvizatohet Rama, sepse e krahason me një mbret. Nëse është tallje, po ashtu e dëmton, sepse e kthen në objekt ironie. Pra, pavarësisht se si lexohet, figura e “mbretit” nuk është një fitore retorike për kryeministrin sa pa u shpallur akoma mbret.

Kjo letër “nga një mik që i do të mirën” kthehet në karikaturë. Kur oborrtari të propozon kurorën, nuk është kollaj të kuptosh nëse po i shërben mbretit apo po e vizaton me hundë prej palaçoje.