Arben Iliazi: Musa Vyshka erdhi, shkoi dhe… mbeti
“ Vijmë e shkojmë…
si gjith të tjerët,
midis një djepi e një varri
një shpirt digjet.
Shekujt dëgjojnë
por askush nuk përgjigjet
për ata që vijnë vonë
e për ata që ikin herët…”
Në 6 dhjetor 2010, miku im Musa Vyshka më dhuroi librat e tij “Vijmë dhe shkojmë” dhe “Muzg…”. Musai ishte një nga poetët tanë më të shquar të brezit të viteve ’60-70, i cili ka mbetur në letërsinë shqipe, pasi është pëlqyer shumë si poet lirik i ndjenjës e i pasionit, si poet i mendimit të lirë, i çliruar nga mëdyshjet e vetvetes.
Individualiteti i tij është i dukshëm dhe mbi të gjitha shpirtëror, në kuptimin, perceptimin, shqetësimin dhe komunikimin e ndjenjës në mendim dhe të mendimit në ndjenjë. Tek M. Vyshka shquajmë një kadencë poetike shpirtërore të vetën, një varg emocional e ritmik, një ndjeshmëri të gjallë poetike dhe një komunikim të sinqertë shpirtëror meditativ. Asocacionet e tij poetike janë janë sa abstrakte, aq dhe humane, të tejdukshme.
Musa Vyshka u përshëndet nga të gjithë sa ishte gjallë, si poet i sinqertë, me frymëmarrje të rrallë dhe pa poza artistike. Ishte mjeshtër i vjershërimit, që shkroi me urtësi dhe çiltërsi dhe ndoqi rrugën e tij:
Ti fundi je i pritjes që s’ka fund,
Je prehja e shqetësimit që s’qetohet
Sapo të shoh mërzia krahët shkund
Trishtimi i trishtuar larg largohet.
Aq shumë të dashkam sa as vetë s’e di.
O dashuri! O dritë e kësaj bote!
Sa herë dal në pasqyrë, për çudi,
Veten kërkoj, më del fytyra jote!
Një poezi ku shpërthejnë tronditjet e thella, në molepsjen e ëmbël të marramendjes, që është kënaqësia më e madhe e ndjesisë artistike.
Forca e figurave nuk të lë shteg as për lirinë më të vogël të hamendjes. Përshkrimi i poetit është aq i përpiktë, aq i hollësishëm, saqë mendja jonë duhet të ndjekë si e hipnotizuar. Nga zjarri i pasioneve të veta poeti krijon parregullisht, me ngjyrimet më të holla, “pranverën e dashurisë” me sy jotokësorë, ku gjithçka është sa njerëzore, aq dhe e pakuptimtë.
Gjatë gjithë jetës Musa Vyshka nuk e vendosi këmbën jashtë kufijve artistikë, moralë apo estetikë të vendlindjes së tij, Elbasanit. Ky poet ka një vitalitet të çuditshëm, një gjendje të paqtë, ëndërrimtare; një stil me hijeshinë e arkitekturës së vet. Mbi të rëndon graviteti i disa epokave, thëngjijtë e mbuluar të kohës së shkuar, por edhe e sotmja me ethet e vrullshme dhe të hirta. Ishte flladi i lehtë i shpirtit romantik ai që ia godiste velat.
BIOGRAFIA
Musa Vyshka lindi në Elbasan më 28 qershor 1942 dhe u nda nga jeta më 14 dhjetor 2023. Ai ishte një prej figurave të shquara të letërsisë dhe arsimit shqiptar, duke u dalluar si poet, gazetar dhe pedagog. Që në rininë e tij, Vyshka tregoi prirje të veçanta për krijimtarinë letrare, duke botuar që herët në revista të njohura të kohës si “Pionieri” dhe “Zëri i rinisë”. Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs të organizuar nga revista “Pionieri”, çka shënoi fillimin e një rruge të gjatë krijuese. Formimi i tij arsimor nisi në Normalen e Elbasanit, ndërsa më pas ndoqi studimet e larta në degën “Gjuhë-Letërsi” pranë Universitetit të Tiranës gjatë viteve 1960-1964. Pas diplomimit, Vyshka iu përkushtua mësimdhënies, duke punuar si mësues në shkollat e qyteteve Elbasan dhe Cërrik. Kontributi i tij në fushën akademike u kurorëzua me themelimin e katedrës së letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku shërbeu për shumë vite si pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Letërsisë deri në daljen në pension në vitin 1999. Në periudhën 1981-1991, Vyshka mbajti detyrën e Kryetarit të Degës së Shkrimtarëve të Elbasanit, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin dhe promovimin e letërsisë vendase. Po ashtu, ai ka qenë libretist pranë Teatrit “Skampa”, duke kontribuar edhe në fushën e dramaturgjisë. Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm brenda mureve të universitetit apo letërsisë; Vyshka ushtroi edhe profesionin e gazetarit dhe do të kujtohet për themelimin e gazetës “Fjala e Lirë”, një hapësirë e rëndësishme për mendimin dhe shprehjen e lirë. Krijimtaria letrare e Musa Vyshkës është shumëdimensionale dhe përfshin poezi, tregime, prozë për fëmijë si dhe tekste shkollore për lëndën e letërsisë shqipe. Libri i tij i parë me lirika, “Ne njëzetvjeçarët”, u botua në vitin 1963. Pasuan vepra të tjera si “Këngë për ditët tona” (1967), “Treni i fundit” (1972), “Këndoj për ju” (1984), “Do të vdes i dashuruar” (1998), “Mos e kthe kokën pas” (1999), “Pse rënkon kumuria ime?” (2002), “Zoti zbret në Shkumbin” (2003), “Muzg” (2005), “Lamtumirë, kumuri e plagosur” (2008), “Fryn Krasta ime” (2009) dhe “Vijmë dhe shkojmë” (2010). Poezia “Pse rënkon kumuria ime?” u vlerësua me çmimin e parë në takimin poetik “Kurora e verës” në vitin 2002. Në fushën e letërsisë për fëmijë, Vyshka la një trashëgimi të pasur me tituj si “Pranë vëllezërve” (1968), “Shkronjëzat e arta” (1979), “Nën hijen e blirit” (1980), “Në kopshtin tonë” (1984), “Djali i partizanit” (1985), “Mirëmëngjes, Klea!” (1999), “A kanë orë harabelat?” (2000), “Me fjongo të bardhë” (2001), “Mos ma grisni abetaren” (2001), “Një përrallë…në telefon” (2003), “Ku ishe ti, motër?” (2004), “Tingujt e violinës” (2004), “Po ti, me cilin je?” (2005), “Fajin e ka xhaxhai” (2007), “Ishte një harabelush” (2007), “Hape derën, mësuese!” (2008), “Mbaje fjalën, baba!” (2009), “Maçoku pa mustaqe” (2010), “Ma përqafo Blerinën” (2011) dhe “Cila stinë është më e bukur?” (2014). Përveç këtyre veprave, ai kontribuoi edhe me shumë tekste shkollore dhe komentare ndihmëse për mësues dhe nxënës. Gjatë karrierës së tij të gjatë letrare është nderuar me disa çmime kombëtare.