Cikël poetik nga Valbona Kolaveri
UNË JAM
Unë jam,
Dhe nuk kam nevojë për vërtetim,
Urë lidhëse ndërmjet të dukshmes dhe të padukshmes,
Asfiksuese e territ në vallëzim mes hijesh,
Pa projoksione drite,
E brishtë,
E egër,
E plotë në të gjithë pranimet e vetvetes,
Triumfatore heshtjes që lufton me sy,
Unë jam,
Dhe nuk lyp pranim
Aty ku autenciteti prishet ekuilibrash,
Unë jam,
Dhe vazhdoj të jem në kupola energjish
Që të stepin,
Por që asnjeherë s’të gënjejnë.
FUNDI I FUNDEVE
Kalova mbi një udhë dështimesh të humbura,
Si mbi një hienë që ulëret dhe kafshon me forcë
Ku dhembja të kalon tejpërtej syrit
Ia pashë të gjitha rrënjët e mashtrimit,
Prita gjatë,
Deri ti shkuleshin thatësirës së mosbesimit
Të shihja ringritjen prej hirit,
Aty, ku fundi I fundeve
Të mëson të ecësh,
E të mos ndalesh më prej hiçit.
ULKONJË E VETMUAR
Flakëroj nën sy
Një zjarr
Unë,
Ulkonjë e vetmuar
Ulëras nën zë
Gjithë heshtjet
Dhe marr frymë lirisht
Kur vetes i betohem mbi një psalm.
PSE TË DESHA
E zbrita mallin tënd
Mbi qerpikun e fatit tim
Lot më rrodhën
Ngashërimesh të pafajshme
Dhe qau fëmija brënda meje,
Të shërohej pse të desh.
MOS HESHT
Mos hesht nën zë o i mbytur
Dhe pse je robin i fatit tënd,
Rrudhjesh, kohësh mos rri strukur
Gjej një shkak për të bërtitur,
Dhe fol kur duhet mos u tremb
Mos hesht nën drojë
Në të kan shtypur,
Mos qaj pë fatin që s’të priu,
Dil, çlirohu nga zinxhirët e shpirtit
Lirinë puthe, mos hezito.
JAP NGA VETJA
Aty ku Venusi
Takon Afërditën
Aty,
Rrumbullakoj dashninë
Harkimet e trishta
I vesh me diell
Zgjoj fëmijën brënda vetes
Të jap nga vetja
Çiltërsinë e shpirtit
Të gugas hareshëm
Prekjet e mëngjeseve
Ku majë gishtash,
Të prek qiejt.
NUANCË YLBERESH
Ti, bijë e shiut,
Që mes nuancash loz ylberesh,
Në cilën ngjyrë i falesh vetes?
Ti, bijë e diellit,
Që mes ylberesh i falesh shpirtit,
Në cilië rreze krijon orbitat e tua planetare?
Ta sfidosh gjithë botën.
NJË MIJË E NJË
Një mijë e një heshtje
Do të mbyteshin dhembjesh
Nëse s’u lexohen sytë
Një mijë e një zëra do të çirreshin
Nëse nuk dëgjohen larg
Një mijë e një arsye
Nuk kanë pse të jepen
Kur zemrat s’kanë pse tremben
Një mijë e një rrëfime,
Kanë se ku të shkruhen
Kur shpirtrat shkruajnë njē mbishkrim të vetëm
Një mijë e një të thëna
Do shkruhen historisë
Kur tokës i përkulen bijtë me krenari.
KËRKIME TË PËRKORA
Kërkime të përkora po buçasin udhët
Shpirtra nën zjarr po kërkojnē lirinë,
E etshme ëndrra kur buçet nga turmat
Një ndryshore e re nën një shpirt të ri.
FLAMINGO
Ti, bir i ndryshimit
Ngjyrë rozë e purpurt,
E një zemre të butë
Flamingo e shtegëtimit
Fluturo ndër shtigje të reja
E puth gushë qiejsh plot dritë
Edhe vetëm gëzohu,
Gëzohu për veten,
Hënës blu ti lutesh bukur
Për një ardhmëri që të përket
Vetëm ty
PRAGJE TË GURTA
Ti kurrë s’ma lexove shkëlqimin e syve
Se fjalët u mbytën me heshtjet,
Dhe heshtjet,
Po dergjen ndër vargje në letër
E u bënë pragje të gurta
Të një zemre që vuan.
MĒ MUND, S’MË MUND
Mbyllur në një cikël hezitimi
Heshtjesh përballë vihemi,
Më mund s’më mund
Ky hall i madh na vu përfund
Fitove ti?
Se unë kurrë s’fitova mes egosh,
Në luftë nuk ka zgjidhje
Prej paqes shpëtova
Më mund s’më mund
Kapur peng prej krenarisë,
Unë prej vetes shpëtofsha
Gjithashtu ti prej vetes mos humb.
ËNDRRA
Çdo natë kopsis nga një ëndërr
Në këmishën e bardhë të natës
Që furfuliset nga erë ndryshimesh
Marr dhe jap me shpirt
Në dihatje të mbytura,
Të arrij atje
Ku yjet shkëlqimet si kanë të rreme
Vrapoj në shtigje ku zanat këndojnë këngë të pakëndueme,
Mbaj për krahësh babain edhe pse i vdekur
Më duket si atëherë kur ish i sëmurë
I bindem dhembjes dhe pse rrejshëm e takoj në gjumë
Ai s’më flet si zakonisht,
Por shoh që malli ia qep gojën të mos flasë
E më pas kalëroj
E hyp mbi kuaj të kuq drejt instiktesh fluturuese.
PERASH
Është një udhë në qytetin ku linda fëmijët e mi
Që natën fle ndër shpirtra gjethesh
E zgjimet I ka në ditët mes buzëqeshjesh që të japin dritë
Quhet Perash
Në të bukurēn Shkodër që flet me hyjnitë
Një udhë që fillimet I ka në ngjizje ëngējsh
E në pranverë bleron ndër lule bliri.
EMOCION
Mes gjëndjesh amorfe të shpirtit
Emocionet luajnë kukamshehti lojën e çmendur të frikës
Qiejt të shëmben brënda vetes
Në terri të egos
Dhe zëri brënda teje shuhet
Të sëmbon përtej të prekshmes
Të rrëmbejnë ngadalē pëllumbat e heshtjes.
MISTER
Misteri i ftohtë i heshtjes
Të ka vēnë pritë
Çarmatosëse zemra
Tek gulfon nën zjarr
Të ndjej për së largu
Dhe bëhem shēndetligë
Kur dita i druhet dhembjes
Për ty t’më më sjell njē fjalë..
NJË FIBONAÇ
Kam zgjedhur të veçoj
Gjithë të panjohurat e çdo dite
Edhe kur shumfish më trazojnë gjëndjet më absurde
Trajtës së pathjeshtuar kohëve
Guaskës si një Fibonaç
Thyej konturet e të pamundurës
Barazimet,
Shpirtit mos t’më marrin vlerë
Shumatoreve të turmës.
ËNDËRR
O ëndërr pranvere
E një nate të sëmurë
Gjykofsh veç për mirë
Se shpirti ka nevojë për zgjim
Këtij agu pa mbarim.