Balil Gjini: Ç’po ndodh kështu me ty Edi Rama?
Ç’po ndodh kështu me ty Edi Rama? E vetmja gjë që lulëzon te ne është lulja e verdhë e delirit tënd: kacaviret mureve të portaleve, zvarritet kërcëniese nëpër dritaret e fb, spërdridhet gjithë naze nëpër Instagram. Gjuha jote është kthyer në një organ seksual mashkullor dhe sa herë vjell shkulme fjalësh lë shtatzanë gënjeshtrën. Gënjeshtra s’ka pasur një bark aq pjellor, sesa kur e mbars ti. Çudi e madhe: gjithmonë mbetet shtatzanë.
Ti flet për numra. Ngado. Numra dhe numra! Kështu bënte dhe mbreti David. Sa herë donte të tregonte forcën, urdhëronte të numërohej popullsia. Kjo e bënte të ndihej i fortë. Ti s’ke nevojë ta numërosh, sepse numrin e ke fiksuar në memorandumet e Kuçit. Që aty ti tund fletët e votimit, këto fantazma të bardha pa gjak në trup. Llogaritë e tua të zgjedhjeve janë bërë në fletët e bakallit të Çiçikovit. Shpirtra të vdekur blinte ai, shpirtra të vdekur blen edhe ti. Leri numrat me numrat. Je një hajdut ordiner.
Sa herë mbaronte punë me numërimin mbreti David shkonte në shtrat me Betsabenë e bukur, gruan e shokut të tij Uriut. Pastaj i thoshte këtij të fundit: “Shko vish këpucët në shtëpi!”, dmth, shko lëre gruan shtatzanë, sipas kodit të etikës hebrease!… Sepse donte të justifikonte fëmijën që kishte me të. Kështu iu thua edhe ti sokolballëve me kompani, sa herë do të lësh shtatzanë dikënd nga haremi i qeverisë, sa herë do të biesh në shtrat me Melisën, apo Belisën, pra “shko vishni këpucët në shtëpi!”. Ç’mëkat i madh që lufta seksuale e dy kurtizaneve të oborrit tënd paraqitet si luftë e vyrtytit me vesin, gjithë kthetra e thonj, sepse, aty ku janë ngritur flamujt e bardhë të brekëve si gjest dorëzimi, s’mund të ngrihen flamujtë me zambakët e vyrtytit në mes.
Ç’po ndodh kështu me ty Edi Rama? Gjuha jote s’është vetëm një organ mashkullor, por edhe një lloj lëpjetë fushe pa përmbajtje. Tundet e tundet dhe, kur shkon në katunde, ki kujdes: po ta panë lopët do të ta hanë.
Në sheshin e politikës ti s’je thjesht mbreti. Jo. Ti je zdrukthtari që ke bërë gjithë figurat e tjera. Atyre të gjithëve iu duket vetja prej gjaku e mishi, por në fakt janë prej druri. Duart e gjata si kapanxha i ke futur në lehet ku ndodh fermetimi dhe rritja natyrale e fidanëve të gjërave. Kjo ka prishur gjithë konkurrencën dhe dobishmërinë. Një idiot dhe hajdut si Braçe ti e bën zëvëndëskryeministër, vetëm e vetëm për t’u gajasur me të. Me siguri, kur bisedoje me atë, të dukej vetja se po i flisje një miu gjirizesh, me turinjtë e hollë, me mustaqet spic. Ç’kënaqësi perverse! Kumbaron e bëre kumbarë të partisë, thjesht për efekt të emrit, por edhe këmborë të saj.
Nuk rri dot pa folur çdo ditë me një zengjin. Dhe kur s’gjen dot ndonjë zengjin, atëherë thërret Zengjinenë. E bëre vëndin zengjinë dhe Zengjine.
Me siguri e ke zili mbretin David, ngaqë ai ishte i vogli që mundii përbindëshin
Goliath. Hobeja e tij u bë hobi yt. Duhej të fitoje ndaj Evropës me çdo mjet: përgjunjje, puthje duarsh, lajka, dhënie trojesh si dorovi. Me hobe nuk ke hedhur gurë, por fjalë…Të thuash të drejtën Evropës i ka mbetur në fytyrë veçse verniku i qytetërimit.
Dhe, ndërsa veproje si Davidi me Evropën, me vëndin tënd silleshe si Goliathi. Gjeje hojet e vjetra të arrëzave të komunizmit dhe i mbushje me polen propagande: këngë e valle, gju më gju me popullin, plehëroje kultin e individit tënd… Një tmerr i vërtetë.
Ç’po ndodh me ty kështu Edi Rama. Ti, që ishe betuar se s’do të rrije një sekondë më tepër, kur do t’a kuptoje se s’do të donin, je bërë një lloj midhje që iu je qepur shkëmbinjve të pushtetit dhe s’ka duar peshkatari që të shkul prej andej. Ti je shteti, domethënë shkopi që godet, protestuesit janë shkopi që i hap rrugën moçalit që t’i ke krijuar! Duhet ta kuptosh: duke ikur ti, në këtë vend nuk do të ndodhë ndonjë ndryshim i madh. Jo. Sepse, siç thotë Markez, edhe nëse do të vinte një ditë që muti do të kishte një farë vlere, të varfërit do të lindnin pa bythë. Kështu. Por një gjë dihet me siguri: kushdo tjetër do të jetë më i mirë se ty. Njerëzit duan figura, të reja, ngjarje të reja. Mbi banakun e jetës kofshët mamuthore të ngjarjeve duhet të kullojnë gjak. Ti duhet të ikësh. Je mishi i kalbur i frigoriferëve. Nuk vlen më për asgjë. Aritmetika e numrave të tu është krekosëse, poshtëruese. Në fund të fundit, siç thoshte Lacani, aritmetika është një kanistër me fundin bosh…