“Gruaja që endej hijeve”, si univers njerëzor midis kujtesës, tranzicionit dhe kërkimit të identitetit
Prof. As. Dr. Ardian Tana
Vëllimi “Gruaja që endej hijeve” nuk është thjesht një përmbledhje me dhjetë tregime, por mozaik letrar që ndërton historinë shpirtërore të shqiptarëve gjatë dekadave të fundit. Tregimet vërtiten rreth një boshti, atij njerëzor përballë fatit, kujtesës, moralit, dashurisë, zhgënjimit dhe përpjekjes për të ruajtur dinjitetin në kohë të trazuara. Edhe pse secili tregim ka veçantinë e vet narrative, të gjithë së bashku ndërtojnë një roman të heshtur të shoqërisë shqiptare. Një nga arritjet më të rëndësishme të këtij libri është gjuha e thjeshtë e cila shmang retorikën dhe artificin në stilistikë, duke ndërtuar një ligjërim të natyrshëm, të rrjedhshëm dhe emocionalisht të besueshëm. Fjalori mbështetet mbi shqipen e gjallë, ku bashkëjetojnë standarti me nuancat e ligjërimit popullor, proverbat, frazeologjinë dhe psikologjinë e të folurit shqip. Pikërisht kjo e adapton librin për një komunikim të natyeshëm me mua si lexues.
Stili i autores udhëton nga realizmi psikologjik, introspeksioni deri te ndërtimi i përshkallëzuar i dramës njerëzore. Ngjarjet nuk mbështeten vetëm mbi ndjesitë por edhe mbi konfliktet e brendshme të personazheve. Përshkrimet nuk janë dekorative, por funksionale pasi peizazhi, shtëpia, kopshti, shiu, rrushi, rruga apo drita bëhen simbole që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të personazheve. Një veçori tjetër stilistike është ndërthurja e kujtesës personale me historinë kolektive. Përmes fateve individuale, lexuesi përjeton diktaturën, tranzicionin, emigracionin, varfërinë, zhgënjimin dhe transformimet morale të shoqërisë shqiptare. Dhjetë tregimet e këtij vëllimi dëshmojnë pjekuri narrative. Personazhet e librit dhe pse janë njerëz me kontradikta, dobësi dhe virtyte, kanë finesë e autencitet psikologjik.
Në këtë libër takon një ekuilibër rrëfimi mes realizmit dhe simbolikës, dialog natyral, atmosferë të fortë emocionale, strukturë narrative të qëndrueshme, reflektim filozofik mbi jetën dhe fatin. Në shumë tregime ndihet ndikimi i prozës moderne evropiane, ku ngjarja nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të depërtuar në ndërgjegjen e njeriut. Një nga temat më të rëndësishme të librit është pozicionimi i gruas shqiptare në diktaturë dhe në tranzicion. Autorja rrëzon mitin e emancipimit formal të sistemit komunist, duke treguar se gruaja vazhdon të mbetet e kufizuar nga patriarkalizmi, paragjykimi dhe morali kolektiv. Në tranzicion ndryshojnë rrethanat ekonomike, por barra morale dhe familjare mbetet mbi supet e saj. Figura si Egla dhe Nëna i shoh si përfaqësuese të dy mënyrave të mbijetesës së gruas shqiptare, revolta dhe sakrifica.
Thelbi i këtij libri është ai i kërkimit të identitetit njerëzor përmes kujtesës. Çdo tregim shtron të njëjtën pyetje themelore:
-Si mund të mbetet njeriu, njeri kur historia, shoqëria apo familja përpiqen ta tjetërsojnë? Në këtë kuptim, libri nuk flet vetëm për personazhet e tij, por për vetë ndërgjegjen shqiptare gjatë gjysmëshekullit të fundit.
Në vepër ndihet humanizmi edhe kur trajtohet tradhtia, varfëria, dhuna psikologjike apo zhgënjimi, pasi autorja nuk gjykon personazhet, por përpiqet t’i kuptojë. Kjo i jep tregimeve një dimension filozofik.
Libri mbart edhe një ndjenjë të fortë shprese: njeriu mund të rrëzohet, por nuk duhet të humbasë aftësinë për të dashur, për të falur dhe për të ringritur jetën.
Irena Dragoti në këtë vepër na thotë se liria si formë nuk ka vlerë pa lirinë e ndërgjegjes. Shoqëria mund të ndryshojë sistemet politike, por nëse nuk ndryshon në vetvete, nuk mund të ndryshojë mënyrën si sheh njeriun, gruan, familjen dhe dinjitetin njerëzor.
Libri ngre zërin për nevojën e empatisë, të përgjegjësisë morale, të dashurisë familjare, të kujtesës historike dhe të guximit për të qenë vetvetja.
Ky vëllim pasuron prozën bashkëkohore shqiptare me një zë autentik, që ndërthur realizmin psikologjik me reflektimin filozofik. Ai dëshmon se tregimi mbetet një gjini me potencial të madh artistik, kur ndërtohet mbi karaktere të besueshme dhe mbi konfliktin e vërtetë njerëzor.
Libri zgjeron hartën tematike të prozës sonë duke sjellë me ndjeshmëri çështje si trauma, kujtesa, identiteti, emigracioni, transformimi moral dhe roli i gruas në shoqëri. si një këndvështrim i ri mbi realitetin shqiptar. Tregimet shërbejnë si dokumente letrare të një kohe dhe të një shoqërie që ka probleme me ndryshimin. Si një pasqyrë e sinqertë e vetvetes, autorja fton lexuesin të reflektojë mbi paragjykimet, mbi peshën e kujtesës, mbi plagët e diktaturës dhe të tranzicionit, mbi përgjegjësinë ndaj familjes dhe mbi respektin për dinjitetin e çdo individi. “Gruaja që endej hijeve” mbetet një vepër që nuk synon vetëm të rrëfejë histori, por të zgjojë ndërgjegje e të kthejë letërsinë në akt njohjeje, kujtese dhe humanizmi.