Albspirit

Media/News/Publishing

Delo Isufi: Rapsodi Mato Hasani – kronikani i kujtesës poetike kombëtare

Duke lexuar librin “Rapsodi Mato Hasani”, të mbledhur, përgatitur dhe pajisur me shënime burimore nga autori Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, lexuesi përballet me një personalitet që të befason me pasurinë e mendimit, ndjeshmërinë poetike dhe urtësinë popullore. Që në faqet e para kuptohet se Mato Hasani nuk është thjesht një rapsod i talentuar, por një krijues që e ka shndërruar përvojën e jetës në art dhe kujtesën popullore në poezi.

Mato Hasani lindi më 12 dhjetor 1866 në Brataj të Vlorës, një nga qendrat më të njohura historike të Labërisë, trevë me tradita të lashta kulturore e patriotike dhe me vazhdimësi historike, që nga lashtësia deri në ditët tona. Pikërisht ky mjedis, ku historia, natyra dhe tradita ndërthuren natyrshëm, do të bëhej djepi i formimit shpirtëror e krijues i rapsodit Mato Hasani.

Mali i Lungarës, ujërat e Shushicës, burimet e ftohta të Mihoçit, aroma e rigonit, dafinës, trëndelinës dhe sherebelës, të cilat i përjetoi që fëmijë si bari, lanë gjurmë të pashlyeshme në botën e tij të brendshme. Edhe vitet e gjata të shërbimit si nizam në Anadoll, Izmir e Janinë, trembëdhjetë vjet, gjatë Perandorisë Osmane, ku mësoi edhe gjuhët turqisht, persisht dhe greqisht, zgjeruan horizontin e tij jetësor dhe ndikuan në formimin e një njeriu me përvojë të pasur dhe ndjeshmëri të veçantë artistike. Natyra, për Mato Hasanin, nuk ishte një sfond dekorativ; ajo ishte bashkëbiseduesja e tij e përhershme dhe një nga burimet më të rëndësishme të frymëzimit poetik.

Vendlindja, Brataj dhe mjedisi i krahinës së Mesaplikut mbetën gjithmonë burimi i frymëzimit të tij. Asnjë krijues nuk lind i shkëputur nga vendlindja; ku rritet bëhet pjesë e karakterit dhe e botës së tij shpirtërore. Edhe krijimtaria e Mato Hasanit mban vulën e këtij formimi, duke pasqyruar në mënyrë të natyrshme historinë, zakonet, gjuhën dhe ndjeshmërinë e Labërisë.

Kam pasur fatin ta njoh nga afër, si bashkëfshatar dhe si i ri që isha, e shikoja me admirim. Shumë prej këngëve të tij këndoheshin në dasmat e fshatit dhe ishin bërë pjesë e jetës së përditshme të banorëve. Matoja ishte edhe valltar i shkëlqyer; vallet që ai kërceu me aq mjeshtëri u bënë të njohura, sa në Brataj u quajtën “vallet matohasançe”, duke mbetur edhe sot një kujtim i gjallë i personalitetit të tij.

Megjithatë, Mato Hasani nuk mund të shihet vetëm si një rapsod popullor. Ai ishte një dëshmitar poetik e pjesëmarrës i historisë shqiptare 1912-1914, një njeri që përjetoi periudhën nga fundi i Perandorisë Osmane deri pas Luftës së Dytë Botërore dhe i shndërroi ngjarjet e kohës në këngë. Ai luftoi me trimëri në mbrojtjen e trojeve shqiptare në Janinë, Borsh, Tatzat e Delvinë në krah të luftëtarve si: Memo Mete Brati, Isuf Seraj, Çarçan Seferi e shumë të tjerë Pikërisht kjo e bën figurën e tij të veçantë dhe e ngre përtej kufijve të folklorit, duke e bërë objekt të denjë të një studimi letrar, gjë që ë ka realizuar me shumë kujdes në parathënien e librit studiuesi Bardhosh Gaçe.

Historia e letërsisë shqiptare nuk është ndërtuar vetëm nga poetët e shkolluar dhe autorët e librave. Një pjesë e rëndësishme e saj u krijua nga rapsodët popullorë, të cilët, me zë, me veglat tradicionale muzikore dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme, ruajtën ngjarjet më të mëdha të kombit. Ata u bënë kronikanët e popullit, duke përjetësuar në vargje heroizmin, dhimbjen, dashurinë, besën dhe krenarinë shqiptare.

Në këtë plejadë zë vend të veçantë Mato Hasani, biri i Bratajt të Labërisë. Ai nuk ishte historian në kuptimin akademik të fjalës, por historia jetonte në kujtesën e tij dhe merrte jetë përmes vargut. Poezitë e tij nuk janë thjesht këngë folklorike; ato janë dokumente poetike që dëshmojnë mënyrën se si populli shqiptar i përjetoi ngjarjet vendimtare të historisë së vet. Nga Shpallja e Pavarësisë dhe Lufta e Vlorës, te Revolucioni i Qershorit, periudha e Mbretërisë, pushtimi fashist dhe Lufta Nacionalçlirimtare, Mato Hasani i përjetoi dhe i përjetësoi me gjuhën e popullit. Kjo dëshmohet qartë edhe në librin e Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, i cili e sjell krijimtarinë e rapsodit me përkushtim dhe seriozitet shkencor.

Mato Hasani – kronikani poetik i historisë

Një nga veçoritë më të spikatura të Mato Hasanit është mënyra se si ai e këndoi historinë në poezi. Ai nuk shkruan si historian, por si dëshmitar i kohës. Për të, historia nuk është një varg datash dhe faktesh të ftohta; ajo është përjetim, emocion dhe kujtesë kolektive. Pikërisht kjo e bën krijimtarinë e tij të kapërcejë kufijtë e folklorit, duke marrë vlera të rëndësishme historike dhe artistike.

Ndryshe nga historianët, të cilët mbështeten në dokumente, arkiva dhe burime të shkruara, Mato Hasani mbështetet në kujtesën e popullit. Kjo kujtesë bëhet burimi i frymëzimit të tij, ndërsa kënga shndërrohet në mjetin më të fuqishëm për ruajtjen e së vërtetës historike. Në këtë kuptim, ai mund të quhet me të drejtë kronikani poetik i kohës së vet.

Në këngët e tij nuk gjejmë analiza politike apo interpretime historike. Gjejmë mënyrën se si populli i përjetoi ngjarjet, si i vlerësoi heronjtë, bëmat, ngjarjet dhe si i ruajti në kujtesën e brezave. Pikërisht ky këndvështrim popullor u jep rapsodive të tij një vlerë të veçantë dokumentare. Kjo duket qartë në poezinë kushtuar Ismail Qemalit, ku rapsodi këndon:

“Që më dymbëdhjetën

shpalli pavarësinë,

vendosi flamurin

dhe zhduku Turqinë…”

dhe më tej:

“Vlora kishte zotë,

gjithë ata bilbila,

Ismail Qemalin,

Hasan Prishtinë,

Luigj Gurakuqin,

Mehmet Gucinë,

Isa Boletinin

e shumë burra trima…”.

Në këto vargje, fjala “zot” nuk përdoret në kuptimin fetar apo feudal. Në traditën gjuhësore të Labërisë ajo shpreh njeriun që mban përgjegjësi për fatet e vendit, udhëheqësin që i prin popullit në çaste vendimtare. Kështu, fjala fiton një ngarkesë të fuqishme simbolike dhe bëhet sinonim i prijësit që mishëron shpresën kombëtare.

Po aq domethënëse është metafora “bilbila”, me të cilën autori emërton figurat më të shquara të Rilindjes dhe të Pavarësisë. Bilbili, në traditën popullore, është zëri më i bukur i natyrës; në poezinë e Matos ai shndërrohet në simbol të njerëzve që i dhanë zë dhe jetë Shqipërisë.

Një tjetër veçori artistike është ritmi i fuqishëm i vargut. Foljet “shpalli”, “vendosi” dhe “zhduku” krijojnë një lëvizje dinamike, duke i dhënë poezisë energji dhe solemnitet. Në vetëm pak vargje autori arrin të përmbledh një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare.

Poezia mbështetet edhe mbi figuracione të tjera artistike. Flamuri shfaqet si simbol i lirisë dhe i shtetit shqiptar; renditja e emrave të Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit e patriotëve të tjerë, krijon një tablo të plotë të elitës kombëtare që ngriti shtetin shqiptar. Kjo mënyrë e të shprehurit nuk ka karakter thjesht informues; ajo synon të zgjojë krenarinë kombëtare dhe të forcojë kujtesën historike.

Po aq e rëndësishme në krijimtarinë e Mato Hasanit është urtësia popullore. Ai nuk predikon dhe nuk moralizon. Flet me thjeshtësinë e njeriut që ka jetuar gjatë dhe që ua përcjell brezave përvojën e vet, siç ndodh edhe në poezinë: “Shokë, do t’u them ca fjalë…”,

u vini veshin me radhë,

një shekull jetë kam parë,

sikur kam zbritur një shkallë,

këmbët më janë tharë

dhe sytë zën’ e më të qajnë,

veshët janë vrarë.

Të jesh nashtinë djalë,

që të shohë këtë radhë,

dhe të vdekurit u ngjallë.

Rapsodi arrin të përmbledhë në pak vargje filozofinë e jetës. Përshkrimi i këmbëve që janë lodhur, syve që lotojnë dhe veshëve që janë rënduar nuk është vetëm pasqyrim i plakjes fizike; ai merr vlerën e metaforës së kalimit të kohës. Ndërsa dëshira që “të vdekurit u ngjallë” shpreh, përmes hiperbolës, mallin për rininë, për trimërinë dhe për kohët kur Shqipëria kishte më shumë nevojë për bijtë e saj.

Në qendër të gjithë kësaj krijimtarie qëndron atdheu. Për Mato Hasanin ai nuk është një nocion abstrakt, por një realitet i gjallë, për të cilin jetohet, luftohet dhe, kur është e nevojshme, edhe flijohet. Heronjtë marrin madhështi jo për lavdinë personale, por sepse mishërojnë idealin e lirisë dhe të shërbimit ndaj vendit.

Ndryshe nga poezia e kultivuar, e cila shpesh zhvillon reflektime filozofike, Mato Hasani i beson fuqisë së ngjarjes. Ai zgjedh një episod, një betim, një figurë historike ose një thirrje dhe, me pak vargje, arrin ta ngrejë në nivel simboli. Pikërisht kjo është arsyeja pse poezia e tij mbetet e gjallë dhe vazhdon të komunikojë me lexuesin edhe sot.

Heroi kolektiv dhe epopeja e Luftës së Vlorës

Një nga tiparet më të veçanta të krijimtarisë së Mato Hasanit është se ai nuk e kufizon poezinë e tij te lavdërimi i figurave të veçanta historike. Përkundrazi, në qendër të shumë rapsodive të tij qëndron heroi kolektiv – populli shqiptar. Pikërisht kjo e dallon atë nga shumë autorë të tjerë të epikës historike.

Në rapsodinë “Seneja më dymbëdhjetë”, Mato Hasani nuk ndalet vetëm te komandantët dhe udhëheqësit. Ai përmend me emër edhe djemtë e fshatrave që ranë për lirinë e vendit. Në këtë mënyrë, ai i jep historisë një dimension më njerëzor dhe më demokratik. Nëse historia zyrtare ruan emrat e prijësve, historia popullore ruan edhe emrat e luftëtarëve të thjeshtë. Kur shkruan:

“Djemt’ e Bratit, djem astritë,

për vatan jetën e dhanë”.

autori arrin të përmbledhë në vetëm dy vargje filozofinë e gjithë krijimtarisë së tij patriotike. Epiteti “astritë” nuk përshkruan thjesht djem të shkathët apo trima; ai merr një kuptim simbolik, duke i paraqitur si bij të ndritur të vendit, të pajisur me guxim, fisnikëri dhe dinjitet.

Kulmi i frymëzimit patriotik shfaqet në ciklin kushtuar Luftës së Vlorës, një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Poezi si:

“Më njëzet luftën e parë,

Moj Vlor’ e bukur në gropë,

Kërkon Goti Piaçentinë,

Qysh do bëjmë more shokë…”.

nuk përshkruajnë vetëm zhvillimin e betejave. Në to pasqyrohet gjendja shpirtërore e luftëtarëve, ankthi para përplasjes, vendosmëria për të mos u dorëzuar, besimi në fitore dhe krenaria për mbrojtjen e vendit. Kjo është arsyeja pse këto rapsodi vazhdojnë të përcjellin emocion edhe sot. Një element tjetër artistik me vlerë është përdorimi i dialogut.

Në poezinë kushtuar bashkëfshatarit të tij “Memo Brati Syfajkoi”, Ismail Qemali shfaqet duke folur drejtpërdrejt me heroin. Ky dialog:

“Memo, o trimi me pallë,

male e prita kaptoi,

erdhi e poqi Qemalë.

-Ti, Memo, qëndro në Sqelë,

qëndro aty në doganë,

kij mëndjen nga Italia,

se ata janë barbarë.

Kemi një punë sekrete,

po fjala të mos na dalë,

………………………..”

i jep gjallëri rrëfimit dhe krijon ndjesinë e një skene dramatike, ku lexuesi nuk mbetet vetëm dëgjues, por bëhet pjesëmarrës në ngjarje. Po aq domethënëse është mënyra se si Mato Hasani paraqet armikun. Ai nuk mjaftohet ta përshkruajë si kundërshtar ushtarak, por përdor ironinë dhe humorin popullor për ta zhvlerësuar moralisht. Në poezinë “Qysh do bëjmë more shokë”,

“sulme të bëjnë mbi ta,

ta sosim, ja të na sosë,

breshkaqeni fuqi s’ka,

vetëm top e mitralozë,

futur si estraſkulla,

natë e ditë rri në gropë,

të dalë sheshit si na,

shqiptarët t’i njohë,

Vlorën me trimat që ka”.

Shprehja “breshkaqeni fuqi s’ka” është një figurë satirike që synon të rrëzojë autoritetin e pushtuesit dhe, njëkohësisht, të forcojë besimin e luftëtarëve shqiptarë në fitore. Kjo është një nga veçoritë më të njohura të folklorit luftarak shqiptar: armiku mposhtet jo vetëm me armë, por edhe me forcën e fjalës.

Një nga poezitë e tij emblematike është ajo me titull “Nuk e bëjmë kabullna” e cila më 3 Shtator 1920 u hoq valle nga luftëtarët popullor të Bratit me në krye Mato Hasanin në manifestimin ë fitores së Luftës së Vlorës, në Sheshin e Flamurit në qytetin ë Vlorës:

Nuk e bëjmë kabull na

të jemi për nën botë,

llaf’i Qemalit që tha,

historia ashtu thotë

aferim o fukara

gjithë u vratë e u plagostë…

Vetëm këto vargje të rapsodit Mato Hasani përmbledhin me një gjuhë të thjeshtë popullore një ide të fuqishme kombëtare: dinjitetin e shqiptarëve dhe refuzimin e çdo nënshtrimi. Poezia mbështetet në frymën e rapsodisë labe, ku fjala është e prerë, ritmike dhe bart peshë historike. Këtu, vargu hapës:

“Nuk e bëjmë kabull na / të jemi për nën botë” është një deklaratë kundërshtuese dhe krenare. Shprehja popullore “nuk e bëjmë kabull” ka kuptimin nuk e pranojmë, nuk pajtohemi. Përdorimi i trajtës dialektore “na” i jep vargut autenticitet krahinor dhe e lidh poezinë me traditën gojore të Labërisë.

Metafora “për nën botë” nuk duhet kuptuar vetëm në kuptimin fizik, por sidomos në atë moral e kombëtar: të jesh i nënshtruar, i përulur, pa dinjitet. Kështu, poeti shpreh refuzimin kategorik të një ekzistence të ulur nën të tjerët.

“llaf’i Qemalit që tha / historia ashtu thotë”, Këtu rapsodi i referohet Ismail Qemalit, figurës themeluese të shtetit shqiptar. Fjala e tij paraqitet si autoritet moral dhe historik. Nuk kemi thjesht një citim, por një thirrje ndaj kujtesës kombëtare. Shprehja “historia ashtu thotë” i jep mendimit karakter të vërtete të provuar nga koha. Historia bëhet dëshmitare e qëndrimit krenar të shqiptarëve dhe e aspiratës së tyre për liri e pavarësi.

Në këto vargje, të shkëputura nga poezia “Nuk e bëjmë kabull na” spikatin:

-Mohimi i fuqishëm: “Nuk e bëjmë kabull” krijon ton sfidues.

-Metafora: “për nën botë” simbolizon nënshtrimin dhe humbjen e dinjitetit.

-Aluzioni historik: përmendja e Qemalit sjell në tekst gjithë simbolikën e Pavarësisë.

-Gjuha popullore: përdorimi i dialektit rrit besueshmërinë emocionale dhe afërsinë me popullin.

Këto shfaqet qartë shpirti atdhetar dhe krenaria e ligjshme kombëtare. Mato Hasani nuk predikon urrejtje ndaj të tjerëve; ai kërkon që shqiptari të mos pranojë poshtërimin. Atdheu vendoset mbi interesat personale dhe mbi çdo formë nënshtrimi. Fryma e vargjeve është ajo e një populli që kërkon të jetojë me kokën lart.

Edhe pse të shkurtër, këta vargje kanë forcë të madhe emocionale dhe ideore. Mato Hasani arrin, (ashtu si në të gjitha rapsoditë tij), me mjete të thjeshta të poezisë popullore, të ndërthurë krenarinë kombëtare, kujtesën historike dhe besnikërinë ndaj idealit të lirisë. Fjala e Qemalit dhe zëri i rapsodit bashkohen në një mesazh të vetëm: shqiptari nuk e pranon jetën në nënshtrim, sepse historia e tij është histori dinjiteti dhe pavarësie. Sipas studiueseve të folklorit dhe Institutit të Kulturës Popullore, kjo valle polifonike pai përhapje të gjerë në fshatrat dhe krahinat ë Jugut, ajo është regjistruar në 147 vende.

Nga gjithë kjo krijimtari del qartë se Mato Hasani nuk është vetëm këngëtar i ngjarjeve historike. Ai është poeti që e shndërron faktin në art dhe kujtesën në trashëgimi shpirtërore. Rapsoditë e tij nuk synojnë vetëm të tregojnë atë që ka ndodhur; ato ruajnë krenarinë kombëtare, ushqejnë kujtesën historike dhe edukojnë brezat me ndjenjën e dashurisë për atdheun.

Poeti i dashurisë dhe i natyrës

Megjithatë, do të ishte e mangët ta njihnim Mato Hasanin vetëm si poet të historisë. Krahas rapsodit patriot jeton edhe një poet lirik me ndjeshmëri të hollë, i cili u këndon dashurisë, bukurisë njerëzore dhe natyrës. Pikërisht në këtë ndërthurje zbulohet plotësia e talentit të tij krijues.

Në folklorin shqiptar, poezia patriotike dhe ajo lirike bashkëjetojnë natyrshëm, dhe kjo vërehet qartë edhe te Mato Hasani. Pas këngëve kushtuar Ismail Qemalit apo Luftës së Vlorës, lexuesi ndeshet me poezi ku protagoniste bëhen një vajzë pranë krojit, një natë me hënë, një vështrim i fshehtë ose një çast dashurie.

Në poezinë “Atje përposhë të kroi”, ndjenja nuk shprehet me deklarata të drejtpërdrejta. Ajo lind nga një shikim, nga një gjest dhe nga heshtja plot domethënie.

“Shamibardha pse më shkoi,

me vetulla më shënjtoi…”.

Me vetëm pak fjalë autori arrin të krijojë një portret të plotë artistik. Shamia e bardhë bëhet simbol i pastërtisë dhe bukurisë, ndërsa shprehja ” me vetulla më shënjtoi ” shndërrohet në një metaforë të dashurisë që godet zemrën pa fjalë. Edhe vargjet: “Zjarr i saj më përvëloi…” dhe”Zjarr i saj si zjarr xheneti…” janë ndër figurat më të bukura të poezisë së tij lirike. Zjarri nuk është më element fizik; ai bëhet metaforë e pasionit dashuror, ndërsa krahasimi me “zjarrin e xhenetit” sjell jehonën orientale që Mato Hasani e kishte përvetësuar gjatë viteve të rinisë në Anadoll dhe Izmir ku kishte përvetsuar edhe artin poetic të poetit të madh turk Yunus Emre ( 1238-1328, themlues i poezisë turke në gjuhë popullore), Rapsodi Mato Hasani shumë vargje të Junus Emre i dinte përmendhsh.

Një tjetër tipar interesant është përdorimi i dialogut në poezitë e dashurisë. Bisedat ndërmjet nënës dhe vajzës, qortimet, përgjigjet e tërthorta dhe heshtjet krijojnë skena të gjalla, ku ndjenja shprehet me shumë finesë. Dashuria nuk shpallet; ajo nënkuptohet. Pikërisht kjo e bën poezinë më të natyrshme dhe më bindëse.

Po aq poetike është edhe marrëdhënia e autorit me natyrën. Në poezinë:

“Del o yll, del o hënë

Këtu mbi Stoguan tënë,

Fustanbardha pëndë-pëndë,

Ç’më rri kundruall aq rëndë?

Rri Xhixho, se s’të jam vënë,

të çkreh këmbë më këmbë,

ti e di ku e kam vëndë,

te rrapi nënë shkëmbenjë,

po s’jam ai që kam qenë.”

Këtu, ylli, hëna, mali dhe rrapi nuk shërbejnë si elemente dekorative. Ato marrin pjesë në jetën emocionale të poetit dhe bëhen simbole të botës së tij shpirtërore. Kështu, njeriu dhe natyra krijojnë një harmoni që është një nga veçoritë më të bukura të lirikës popullore shqiptare. Në shumë poezi të rapsodit Mato Hasani gjejmë:

Metaforën, si “zjarri i dashurisë”, “bilbilat”, “shkabonja”.

Epitetin, si “djem astritë”, “trim me pallë”, “fustanbardha”.

Simbolin, si: flamuri, shqiponja, hëna, kroi, mali.

Apostrofën, në thirrjet drejtuar flamurit, hënës ose shokëve.

Personifikimin, kur flamuri “tundet”, Shqipëria “thërret”, Vlora “ka zot”.

Ironinë, në përshkrimin e pushtuesve.

Hiperbolën,kur dëshira dhe trimëria marrin përmasa të jashtëzakonshme.

Anaforën, në përsëritjen ritmike të fjalëve në fillim të vargjeve.

Enumeracionin, në renditjen e emrave të luftëtarëve dhe patriotëve.

Këto figura nuk përdoren si zbukurime. Ato janë pjesë organike e mendimit poetik.

Përfundime

Një nga vlerat më të çmuara të krijimtarisë së Mato Hasanit është gjuha.

Ai nuk përpiqet ta shmangë dialektin lab. Përkundrazi, ai e përdor me krenari dhe ngjyrime emocionale fjalë si: çkul, duall, jeshëm, rrënjëdalë, nashti, lefteros, habere, syfajkoi, kamte, astritë, shamibardha, pëndë-pëndë, breshkaqeni, gjiton, prëmë, tënë, kundruall, sos, aferim e shumë të tjera nuk janë pengesë për poezinë. Ato janë vula e autenticitetit të saj. Ë folura labe këtu nuk është vetëm mjet komunikimi. Ai është identitet kulturor, ruan ritmin, melodinë dhe frymën e Labërisë. Nëse këto poezi do të shkruheshin në gjuhën standarde, ato do të humbnin një pjesë të ngjyrës së tyre artistike.

Nëpërmjet dialektit të përdorur nga rapsodi shfaqen: historia, psikologjia, tradita, zakonet dhe kultura e Labërisë. Pikërisht kjo i jep poezisë së tij freski, ritëm dhe një autenticitet që i reziston kohës. Po aq origjinale është edhe thjeshtësia e stilit. Mato Hasani nuk kërkon efekte të bujshme artistike dhe nuk ndërton figura të stërholluara. Ai përdor fjalën e popullit, të ngrohtë, të drejtpërdrejtë dhe plot jetë. Kjo thjeshtësi nuk është varfëri shprehëse, por dëshmi e një talenti të lindur, që arrin të thotë shumë me pak fjalë. Pikërisht për këtë arsye këngët e tij vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e njerëzve, të këndohen dhe të përcillen nga një brez te tjetri.

Në krijimtarinë e Mato Hasanit ndërthuren natyrshëm historia dhe poezia, trimëria dhe dashuria, urtësia popullore dhe bukuria e natyrës. Ai nuk i këndon vetëm luftës, por edhe jetës; nuk lartëson vetëm heroin, por edhe njeriun e zakonshëm; nuk ruan vetëm kujtimin e së kaluarës, por edhe botën shpirtërore të popullit të tij. Në këtë mënyrë, rapsoditë e tij kapërcejnë kufijtë e folklorit dhe fitojnë përmasa të mirëfillta artistike e kombëtare.

Merita e Prof. Dr. Bardhosh Gaçes është e veçantë, sepse me punën e tij kërkimore ka mbledhur, sistemuar dhe dokumentuar një pasuri të çmuar të trashëgimisë sonë gojore, duke e shpëtuar atë nga harresa dhe duke ua përcjellë brezave si një vlerë të qëndrueshme të kulturës shqiptare.

Mato Hasani mbetet një nga ata krijues të rrallë që nuk jetojnë vetëm në faqet e një libri, por në kujtesën e një populli. Ai nuk ndërtoi monumente prej guri; monumenti i tij janë këngët që u kënduan në oda, në dasma, në kuvende e në ditët e luftës. Ato kanë sfiduar kohën, sepse janë ngjizur me të vërtetën, me dashurinë për vendin dhe me urtësinë e brezave.

Sa herë që rikthehemi te vargjet e tij, nuk dëgjojmë vetëm zërin e një rapsodi. Dëgjojmë jehonën e maleve të Labërisë, murmurimën e Shushicës, frymën Pavarsisë Kombëtare dhe të Luftës së Vlorës, këngën e dashurisë dhe zërin e një populli që, përmes poezisë, ka ditur të ruajë historinë dhe identitetin e vet.

Prandaj, Mato Hasani nuk mbetet vetëm një emër i nderuar i folklorit shqiptar. Ai është një zë i gjallë i kujtesës sonë kombëtare, një poet që e shndërroi jetën në këngë dhe këngën në histori. Dhe për sa kohë që do të këndohet një varg i tij, do të jetojë edhe shpirti i atij rapsodi të urtë të Bratajt, i cili i dha zë jo vetëm Labërisë, por gjithë Shqipërisë.