Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Spiunazh i kamufluar

Aktakuza prej 80 faqesh e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Fatmir Shehollit dokumenton një akt të rëndë tradhtie institucionale. Ky dokument zyrtar shpërfaq cenueshmërinë e sigurisë kombëtare, duke provuar se petku i analistit politik dhe autoriteti i gazetarit janë instrumentalizuar si mburojë për të kamufluar operacione të mirëfillta të spiunazhit shtetëror. Provat e grumbulluara nga organet e ndjekjes faktojnë një precedent ligjor ku krimi i organizuar ndërkufitar dhe infiltrimi i shërbimeve të huaja inteligjente gjejnë strehë në hapësirën publike, aty ku ndërtohet opinioni dhe ku ligji kërkon mbrojtjen e së vërtetës.Organet e ndjekjes penale faktojnë ekzistencën e një rrjeti të strukturuar subversioni, ku i pandehuri akuzohet se ka funksionuar si agjent operativ i Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA). Urdhrat e zyrtarëve të lartë të këtij shërbimi armiqësor, si Bojan Dimiq, dhe koordinimi me figura të kërkuara për akte terroriste, si Milan Radoiçiq, vërtetojnë një mekanizëm të llogaritur për sabotim të brendshëm. Ky bashkëpunim merr përmasa alarmante sepse influenca mediatike dhe qasja në informacione janë përdorur si zgjatim i direktivave të huaja, mediatikisht dhe politikisht, me qëllimin e vetëm: minimin e sovranitetit territorial dhe destabilizimin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës.Përtej infiltrimit politik, rreziku më i madh ligjor i dokumentuar në aktakuzë lidhet drejtpërdrejt me sigurinë strategjike të vendit. Mbledhja dhe dorëzimi i shënimeve konfidenciale mbi infrastrukturën kritike, duke përfshirë pikën nevralgjike si Diga e Ujmanit, përbën një akt të hapur armiqësie që rrezikon burimet vitale të shtetit. Shitja e këtyre të dhënave sensitive për shuma prej 5,000 eurosh dhe përdorimi i materialeve të manipuluara për të ndërhyrë në proceset zgjedhore, vërteton gatishmërinë për të deformuar vullnetin politik të qytetarëve. Kjo formë e luftës hibride, e realizuar përmes figurave publike të rekrutuara, synonte krijimin e krizave artificiale në prag të ngjarjeve elektorale, duke diktuar agjendën e brendshme të Kosovës nga zyrat e inteligjencës në Beograd.Provat materiale specifikojnë gjithashtu degradimin moral që plotëson profilin e këtij aktiviteti kriminal: shantazhin ordiner dhe gjobëvënien ndaj sipërmarrësve vendas. Zhvatja e mbi 13 mijë eurove përmes kërcënimeve me video-incizime komprometuese përbën një akt të pastër gjobëvënieje financiare nën mbrojtjen e ekranit publik. Ky gërshetim i tradhtisë së lartë ndaj shtetit me krimin ordiner ekonomik shkatërron besimin e qytetarëve dhe krijon një precedent që ligji nuk mund ta tolerojë në asnjë shoqëri demokratike.Sot, kur i pandehuri ndodhet në masën e rreptë të paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë përballet me një proces gjyqësor që përcakton një kthesë për pastrimin e shoqërisë nga elementët e infiltruar. Përballë këtyre fakteve të rënda që cenojnë palcën e shtetësisë, drejtësia ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të zbatojë kodin penal pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë kompromis. Vetëm një ndëshkim shembullor dhe i prerë mund ta rikthejë dinjitetin e shkelur, të garantojë integritetin e institucioneve, të kthejë ligjshmërinë absolute në vend, të parandalojë akte të ngjashme subversive dhe të sigurojë të ardhmen afatgjatë të Republikës së Kosovës në mbrojtje të plotë të sovranitetit të saj kombëtar.