Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Maskarada e shpalljes presidenciale të monstrave si vlera kombëtare

Ujq të pudrosur me miell

Ka një përrallë të ujqve që pudrosen me miell, ujq që shtiren si nëna Dhia, që t’i mashtrojnë dhe mandej t’i kollufitin kecat.

Këtë e dimë që nga fëmijëria, do të thoni. Po. Por unë e kam fjalën për një përrallë të gjallë dhe përrallë për ne të rriturit. Përralla ujqit e dikurshëm të lyer me miell, i sjell në jetën e sotme publike si qengja të urtë, si ujq nën lëkurë, por të pudrosur me miell të bardhë, si qingja përsipër. Kjo një përrallë e ditës, e përditësuar.

Në zyrat më të larta të shtetit shqiptar ujqit e tillë, të maskuarit me blegërima qengji, janë të pëlqyer, të shpërblyer me poste, edhe me dekorata më të larta.

Në shtypin e shkruar herë pas here paditen persona të së kaluarës komuniste. Persona që që kanë mbajtur maskë… gra e burra me jetë të dyfishtë. Ndodh që këta të kenë qenë emra të shquar, personalitete në kulturë si shkrimtarë, muzikantë, piktorë, këngëtarë lirikë… por njëherësh kanë qenë dhe bashkëpunëtorë të fshehtë të Sigurimit.

E pakta, të tillët janë nga ata që i etiketuam si ujq të pudrosur me miell. Për fat të keq, i kemi midis nesh, peshqesh nga e kaluara. Nuk i shmangim dot, edhe po të mos i dinim, edhe sikur t’i dinim (dhe i dimë) si të tillë.

Arritjet e tyre në art janë të respektuara. Mosha u jep hirin e gjyshave flokëbardhë.

Prapë nuk duhet harruar që poshtë këtij imazhi prindëror, fle ujku i dikurshëm. Dhëmbët e thonjtë e përgjakur të këtyre ujqve u janë hedhur, u janë ngulur në fyt miqve të tyre artistë…

Të neveritshëm, por edhe durohen, edhe tolerohen… nga të ngjashmit, kolegët, publiku, familjarët.  Të thinjur, kërrusur, plakur. Vlerat si xhaketa të rënda dimri, ua mbulojnë thonjtë e dikurshëm të ujkut të përgjakshëm.

Ata që e pësuan prej tyre, ata që dikur u burgosën, që humbën familjen, jetën, karrierën, ata sot heshtin… Shumica kanë vdekur. Si viktima, si njerëz me jetë të pajetuar mes të mirave. Edhe po dolën nga burgu, si Lukë Kaçaj janë pa miq, pa familje… edhe nga publiku të harruar. Ata i zuri poshtë rrota e fatit. Ata i hëngri ujku i diktaturës.

Por, por, por… në ditët tona, jo viktimat, ujqit po nderohen. Dhe kjo po ndodh shpesh.

Papritur dëgjojmë që këta ujqërit e dikurshëm, këta të zinjtë e pudrosur me miell të bardhë, nderohen zyrtarisht me dekorata të larta. Dëgjon që katranë të tillë shpallen dhe Nder i Kombit. Kjo të revolton. Kjo nuk tolerohet. Por ndodh shpesh. Kemi midis nesh persona që janë dhe ish-spiuna (dje) dhe Nder i Kombit (sot). Poeti i varur në litar Havzi Nelaj është ‘Nderi Kombit’ dhe gjykatësi që e dënoi me varje në litar Havziun është shpallur ‘Nder i Kombit’. Ky gjykatës mund të ishte turp i kombit, po të kish dekoratë të tillë. Kjo tollovi e vlerave barazon viktimën me kriminelin që atij i vari litarin në qafë.

Po siç e thamë, kjo përsëritet. Çdo President i Republikës në detyrë shpall si të virtytshëm, nderon me urdhëra e medalje monstrën e radhës. Këta lloj mostrash kanë miq në rangjet e larta të zyrave. Ky dubëlstandard i turpshëm në fakt vlerëson më shumë mostrat, i vë ata në rang më të lartë vlerash sesa viktimat e tyre.

Ujqit e pudrosur me miell, pa ua mohuar vlerat e shquara si artistë, a si profesionistë të fushës, nuk ke pse t’i shpallësh ‘Nder i Kombit’.

Kjo maskaradë e shpalljes si vlera kombëtare të monstrave, me kohë duhet të kishte marrë fund.