Albspirit

Media/News/Publishing

Shaip Kamberi: Serbia nderon kryekriminelin, Ratko Mlladiç

Po sikur Gjermania e pasluftës ta kishte nderuar Adolf Eichmannin, Herman Göringun apo Joseph Goebbelsin?

Serbia ka njoftuar se Ratko Mladić, i dënuar përfundimisht nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake.

Paramendoni për një moment sikur Gjermania e pasluftës të kishte vendosur të nderonte me të njëjtat nderime shtetërore Adolf Eichmannin, Hermann Göringun apo Joseph Goebbelsin.

Si do të reagonte Evropa?

Do ta konsideronte të papranueshme. Dhe me të drejtë.

Atëherë, pse duhet të jetë ndryshe kur bëhet fjalë për Ratko Mladićin?

Mladić nuk ishte thjesht një ushtarak i përfshirë në një luftë. Ai u dënua përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përgjegjësinë për krimet e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.

Prandaj, nderimi shtetëror i tij nuk është një akt neutral apo thjesht familjar. Është një mesazh politik: një përpjekje për ta shndërruar një të dënuar për gjenocid nga përgjegjës për krimet në figurë kombëtare për t’u nderuar.

Dhe këtu qëndron paradoksi:

Serbia pretendon të jetë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa njëkohësisht nderon një njeri të dënuar për gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare.

Vlerat evropiane nuk maten vetëm me ligjet që miratohen apo kapitujt që hapen. Ato maten edhe me mënyrën se si një shoqëri përballet me krimet e së kaluarës.

Gjermania e pasluftës e ndërtoi rrugën e saj drejt Evropës përmes përballjes me nazizmin dhe krimet e tij, jo përmes glorifikimit të autorëve të tyre.

Serbia nuk mund të kërkojë të njëjtën Evropë duke glorifikuar ata që drejtësia ndërkombëtare i ka shpallur përgjegjës për gjenocid.

Nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetën.

Nuk mund të ketë Evropë pa vlera.

Dhe nuk mund të ketë integrim evropian duke nderuar kriminelët e luftës.

Kjo nuk është vetëm çështje e Serbisë.

Është edhe një test për Bashkimin Evropian: a do t’i mbrojë realisht vlerat mbi të cilat është ndërtuar? Sidomos tani kur kemi lajme se në veri të Kosovës po zbulohen varreza të reja masive.