Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta Margarita Papandreu, figurë e rëndësishme e lëvizjes feministe

Margarita Chant-Papandreu, aktiviste e njohur për kontributin e saj në forcimin e të drejtave ligjore dhe sociale të grave në Greqi, ka ndërruar jetë në banesën e saj në Athinë, vetëm pak ditë para se të mbushte 103 vjec.

E lindur në Shtetet e Bashkuara, në Oak Park të Illinoisit, më 30 shtator 1923, Chant-Papandreu ishte bashkëshortja e ish-kryeministrit grek Andreas Papandreu.

Djali i tyre, Giorgos Papandreu, shërbeu gjithashtu si kryeministër i Greqisë dhe prresidenti i Republikës së Greqisë,

Konstantinos Tasulas, vlerësoi rolin e saj në reformimin e legjislacionit dhe në përmirësimin e pozitës së grave në shoqërinë greke.

Sipas tij, Chant-Papandreu “mbështeti dhe frymëzoi reformën e së drejtës familjare, ndryshimin në të drejtat sociale dhe politike dhe përmirësimin e pozitës së grave në shoqërinë greke”.

Ajo ishte gjithashtu e angazhuar në luftën kundër kancerit, tuberkulozit dhe poliomielitit.

“E donte thellësisht Greqinë. Ishte bashkëshortja e një kryeministri dhe nëna e një kryeministri, por mbi të gjitha ishte një qytetare e angazhuar”, u shpreh Tasulas.

Chant-Papandreu ishte aktive në lëvizjen feministe dhe drejtoi Bashkimin e Grave të Greqisë.

Ajo kontribuoi në promovimin dhe hartimin e ndryshimeve ligjore që sollën reforma të rëndësishme për gratë, përfshirë heqjen e sistemit të prikës dhe vendosjen e martesës civile në vitin 1982.

Ajo mbështeti gjithashtu reformat që garantuan të drejta të barabarta për gratë dhe burrat në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve pas divorcit.

Pas studimeve të para në gazetari, Chant-Papandreu u njoh me Andreas Papandreun në Universitetin e Minesotës në vitin 1947. Çifti u transferua në Greqi në vitin 1961, ku ajo e shoqëroi nga afër angazhimin politik të bashkëshortit.

Andreas Papandreu u zgjodh kryeministër i Greqisë në vitin 1981, në krye të Partisë Socialiste PASOK, duke luajtur një rol qendror në politikën greke në vitet pas rënies së diktaturës së kolonelëve në vitin 1974. /atsh