Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Një thirrje për diasporën shqiptaro-amerikane, Shqipëria ka nevojë për zërin tonë

Unë jam vetëm një shqiptaro-amerikan dhe nuk flasë as nuk shkruaj në emër të askujt. Por ndonëse në moshë, gjithnjë kam një zë si qytetar i lirë i këtij vendi të madh e demokratik, dhe si i tillë, atë zë do ta përdori, siç e kam përdorur ndër dekada, e deri në ditët e sotëme, në mbështetje të lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare dhe kudo në botë. Ngjarjet e ditëve të fundit në Tiranë duhet të na shqetësojnë të gjithëve, kudo që jetojmë. Pamjet e përplasjeve në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, përdorimi i gazit lotsjellës dhe i ujit me presion nga policia, raportimet për qytetarë të lënduar dhe dëmtimet e institucioneve publike e të pronës private janë një kambanë alarmi për gjendjen e demokracisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet shtetit e qytetarëve në atë vend.

Për ne, shqiptarët e Amerikës, Shqipëria nuk është thjesht vendi i origjinës. Ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar, e historisë sonë dhe e përgjegjësisë që ndiejmë për të ardhmen e Kombit shqiptar. Prandaj, nuk mund të qëndrojmë indiferentë kur në atdheun tonë e të parëve tanë ngrihen pyetje serioze për sigurinë e qytetarëve, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe përgjegjësinë e institucioneve të shtetit dhe të qeverisë.  Kur shohim pamjet e dhunës në rrugët e Tiranës, kemi të drejtë të themi: Kjo nuk është Shqipëria dhe Evropa që duam! E drejta për të protestuar paqësisht është një nga themelet e demokracisë perëndimore. Qytetarët, studentët dhe të rinjtë kanë të drejtë të ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, për kushtet e arsimit, mundësitë e punësimit, padrejtësitë dhe të ardhmen që dëshirojnë për veten dhe vendin e tyre. Po kështu, dhuna ndaj policisë, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës publike apo private nuk mund të justifikohen si forma të protestës demokratike. Por, asnjë incident nuk mund të përdoret si justifikim për përdorimin e pakufizuar të forcës nga autoritetet kundër protestuesve. Çdo ndërhyrje policore duhet të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale. Çdo pretendim për shkelje të të drejtave të qytetarëve duhet të shqyrtohet në mënyrë të paanshme dhe transparente. Përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe provave, jo të simpative politike e partiake.

Parlamenti duhet të jetë institucioni ku qeveria jep llogari dhe ku debati politik prodhon zgjidhje. Përplasjet partiake nuk duhet të zëvendësojnë përgjegjësinë ndaj njerëzve. Asnjë qeveri nuk është e përhershme dhe asnjë pushtet nuk mund të pretendojë se është mbi ligjin. Shqipëria nuk u përket udhëheqësve të radhës. Ajo u përket qytetarëve të saj dhe brezave që kanë detyrimin ta bëjnë Shqipërinë më të lirë, më të drejtë dhe më dinjitoze.

Një shtet demokratik nuk provohet nga mënyra se si sillet me ata që e duartrokasin, por edhe nga mënyra se si i trajton ata që e kundërshtojnë.  Zhvillimet në rrugët e Tiranës nuk mund të shkëputen nga nevoja për përgjegjësi politike dhe institucionale.  Këtë e kam thënë ç’prej fillimit të protesave. Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij duhet të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve, sidomos të rinjve, të cilët kërkojnë arsim më cilësor, mundësi reale punësimi dhe besim te e ardhmja e tyre në Shqipëri.  Parlamenti duhet të jetë institucioni ku këto shqetësime trajtohen me seriozitet, ku qeveria jep llogari dhe ku debati politik prodhon zgjidhje. Përplasjet partiake nuk duhet të zëvendësojnë përgjegjësinë ndaj njerëzve. Asnjë qeveri nuk është e përhershme dhe asnjë pushtet nuk mund të pretendojë se është mbi ligjin. Shteti u përket qytetarëve, ndërsa institucionet janë të detyruara t’u shërbejnë atyre, pavarësisht bindjeve politike. Kur qytetarët ndihen të padëgjuar, kur protestat shndërrohen në përplasje dhe kur lindin dyshime për mënyrën se si ushtrohet autoriteti shtetëror, përgjigjja duhet të jetë dialogu, transparenca dhe llogaridhënia.

Përballë gjendjes politike tepër të tensionuar, unë vetëm si një shqiptaro-amerikan, gjithmonë i interesuar për fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo, në emër të askujt, përveç në emrin tim personal, kam një thirrje për Diasporën Shqiptaro-Amerikane: Bashkatdhetarë të dashur në Shtetet e Bashkuara!  Diaspora shqiptaro-amerikane ka një histori të gjatë në mbrojtje të çështjes kombëtare, të lirisë dhe të aspiratave demokratike të shqiptarëve. Breza të tërë kanë punuar për të ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe për të mbështetur të ardhmen e Shqipërisë e të Kosovës.  Sot, kjo trashëgimi na kërkon të mos heshtim përballë sfidave që prekin demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve në atdhe.  Thirrja ime nuk është për të mbështetur një parti kundër një partie tjetër. Është një thirrje për t’u bashkuar rreth parimeve që duhet të jenë mbi çdo interes partiak: lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësisë së pushtetit ndaj qytetarit.

Ne nuk duhet të zgjedhim udhëheqësit e Shqipërisë në vend të qytetarëve që jetojnë atje. Por kemi të drejtë dhe përgjegjësi morale të shprehim shqetësimin tonë, të kërkojmë transparencë dhe të mbështesim institucionet demokratike.  Si organizata shqiptaro-amerikane dhe si qytetarë të lirë në këtë vend, le të përdorim zërin tonë në mënyrë të përgjegjshme, përmes organizatave tona, komuniteteve shqiptare, mediave dhe komunikimit me përfaqësuesit amerikanë, për të mbështetur respektimin e të drejtave të njeriut, lirinë e shprehjes dhe funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Interesi kombëtar i Shqipërisë dhe shqiptarëve është më i madh se çdo parti politike dhe më i rëndësishëm se çdo udhëheqës ose lider shqiptar i radhës.

Shumë mirë që më në fund, duket se Shqipëria ka zgjedhur rrugën e integrimit evropian. Por Evropa nuk është vetëm një objektiv diplomatik, një flamur apo një premtim politik. Evropa është respekt për ligjin, për lirinë e shprehjes, për protestën paqësore dhe për dinjitetin e çdo njeriu. Është një sistem ku policia vepron brenda kufijve të ligjit, institucionet japin llogari dhe qytetarët kanë mundësi të kërkojnë drejtësi. Prandaj, ngjarjet e fundit në Tiranë duhet të shërbejnë si një thirrje për reflektim dhe veprim. Shqipëria ka nevojë për hetim të paanshëm të incidenteve, për përgjegjësi aty ku provohen shkelje dhe për një angazhim serioz të institucioneve për të parandaluar përsëritjen e tyre. Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë një demokraci evropiane nëse të drejtat e qytetarëve mbeten vetëm fjalë në dokumente dhe deklarata zyrtare.  Aspiratat evropiane maten me mënyrën se si shteti sillet me qytetarin, veçanërisht kur ai proteston dhe kërkon llogari nga pushteti.  Përballë zhvillimeve shqetësuese, nuk duhet ta humbim besimin te Shqipëria dhe te populli shqiptar.  Edhe ky brez do të nxjerrë udhëheqësit e vet. Udhëheqës me integritet, vizion, kulturë demokratike dhe përgjegjësi kombëtare; njerëz që nuk e konsiderojnë pushtetin pronë personale, por detyrë në shërbim të qytetarëve.  Të rinjtë shqiptarë meritojnë një vend ku të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin si të vetmen rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë.Meritojnë arsim cilësor, mundësi punësimi, drejtësi dhe institucione që i trajtojnë me respekt.

Shqipëria nuk u përket udhëheqësve të radhës. Ajo u përket qytetarëve të saj dhe brezave që kanë detyrimin ta bëjnë Shqipërinë më të lirë, më të drejtë dhe më dinjitoze.

Të nderuar bashkatdhetarë, thirrja ime , si një shqiptaro-amerikan, është le të mos heshtim përballë dhunës, por të mos justifikojmë as dhunën e kujtdo qoftë.  Le të kërkojmë drejtësi, por edhe respekt për ligjin. Le të mbrojmë të drejtën e protestës paqësore dhe të kërkojmë që çdo shkelje e mundshme, sidomos ato nga përfawsues të pushtetit, të hetohet në mënyrë të paanshme.  Le të bashkohemi jo rreth një individi apo partie, por rreth idealeve që kanë frymëzuar breza shqiptarësh: lirisë, dinjitetit, drejtësisë dhe dashurisë për atdheun.  Po e thekosj prap, për të disatën herë. Shqipëria nuk është pronë e një partie, e një qeverie apo e një udhëheqësi. Ajo është atdheu i të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve.  Dhuna nuk është Shqipëria që duam. Shpërfillja e qytetarit nuk është demokracia që meritojmë. Dhe heshtja nuk duhet të jetë përgjigjja jonë ndaj sfidave të kohës.

Megjithë shqetsimet e mia përballë situatës së krijuar në Tiranë dhe anë e mbanë Shqipërisë, unë jam i besimit se ky brez i shqiptarëve do të nxjerrë udhëheqësit e vet. Detyra jonë — si shqiptaro-amerikanë me përvojën tonë si qytetarë të lirë të këtij vendi të madh e të bekur ku jetojmë, është të mbështesim parimet dhe institucionet që do t’u mundësojnë atyre të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, të lirë e demokratike.  Shqipëria ka nevojë për zërin tonë. Por, mbi të gjitha, ka nevojë për një shtet që dëgjon qytetarët e vet, i mbron të drejtat e tyre dhe u jep llogari për çdo veprim.  Për këtë Shqipëri duhet të punojmë të gjithë, në Tiranë, në Prishtinë, në Nju-Jork, në Boston, në Detroit, në Çikago dhe kudo ku jeton diaspora shqiptare.