Luan Rama: Ku janë “Rrënjët greke” në Korçë?
—-
Ku janë rrënjët e grekëve në Korçë? – habitet lexuesi shqiptar kur shikon e dëgjon deklaratat e zevendës-ministrit të Jashtëm të Greqisë Konstandinos Gkiulekas. Në vizitën e para disa ditëve të tij në Korçë ai u bëri thirrje qytetarëve grekë të vizitojnë Korçën për të njohur rrënjët e tyre. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas deklaratës së presidentit grek në Paramithi dhe shfaqjes në Derviçan ne një ekspozitë e kriminelit dhe zbatuesit të shfarosjes etnike të çamëve në Camëri, pse ishin ata ishin të besimit musliman. Dikush në Derviçan e kishte ngritur nga varri Zervas-in për të na e ekspozuar me krenari dhe për të fyer kështu kujtimin e mijra viktimave. Gjithë kjo të ngjan me një sulm propagandistik të politikës greke pasi të gjitha këto na rishfaqin në horizont politikën famëkeqe të « megalo-ideas-s » të ideuar dy shekuj më parë.
Zoti zevendës-ministër, kam respekt për statusin e diplomatit dhe mendoj se para se të deklarojmë diçka, mendoj se bashkëpuntorët tuaj duhej tu kishin informuar më mirë se ku janë «rrënjët» greke në Korçë apo në Shqipëri. Dihet që ne kemi një minoritet grek në Shqipëri me të cilin kemi marrëdhënie të mira dhe duhet që ato ti forcojmë akoma më shumë si një urë miqësie mes dy vendeve tona, ndërkohë që ju kujtoj se shqiptarët e Camërisë kanë vuajtur nga regjimi grek dhe janë shfarosur. Meqë kam shkruar disa libra historik do tu sugjeroja disa burime historike pasi në dosjet që ju kanë dhënë ka shumë pluhur nacionalist. Në librin tim «En Grèce avec les Arvanites» («Në Greqi me arvanitasit») mes të tjerave kam sjellë dhe raportin e konsullit francez në Athinë në shekullin XVII, Jean Giraud që duke përshkruar jetën e Athinës më 1674, në «Relation de l’Attique», ndër të tjera për shqiptarët e qytetit antik, shkruante: “Lidhur me shqiptarët, ata janë të pakët brenda qytetit, por të shumtë në rrethinat e Athinës. Gjithë fshatrat janë të banuara nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur prej kohësh nga Shqipëria. Ata janë të fuqishëm dhe gazmorë, pavarësisht se ushqehen shumë keq… Por edhe pse kaq të mjerë, rrallë ndonjë prej tyre bëhet turk, pasi janë më të rreptë përsa i përket fesë edhe pse devotshmëria e tyre qëndron në atë që për karem të bëjnë veç kryqin disa herë pa lutje të tjera. Madje shumica e tyre nuk dinë as “pater noster“. Në fundin e shekullit XVIII konsulli tjetër francez, François Fauvel, kur numuron shtëpitë e shqiptarëve të Athinës tregon se ata janë të shumtë në qytet. Më vonë, po ky konsull, në një raport drejtuar Ministrisë së Jashtme në Paris për ngjarjet gjatë Revolucionit shkruan: « Nuk ka më athinas në qytet. Sot athinasit nuk janë më asgjë, por zotër janë të huajt, barbarët e maleve të Epirit. Ata janë shërbëtorë të devotshëm të despotit Gurra që është prijësi aktual i tyre. Ndër 100 banorë mund të ketë ndoshta një athinas. Janë ilirianët, epirotasit, që nuk e flasin gjuhën greke, dhe unë vdiqa këtu duke përsëritur të njëjtën gjë se në Paris duan ripërtëritjen e Greqisë dhe besojnë në këtë. Edhe tregtarët grekë e latinë e thonë këtë me klithmë. Elita e fisnikërisë së Europës së veriut vjen këtu në ndihmë të këtyre që pretendojnë se janë pasardhës të helenëve, duke u vrarë pa asnjë lloj rezultati, duke vdekur madje dhe urie. Nuk ka më komb në Athinë dhe ju s’mund ta mbroni konsullin tuaj. Ai nuk ju është më i nevojshëm për asgjë. Përse atëherë doni ta nisni përsëri në Athinë”?
Vallë këto janë «rrënjët» shqiptare në Athinë? Vallë shqiptarët ishin zotërit e Athinës? Në një moment historik ata mund të ishin të tillë, si forcë aktive atëherë dhe më pas, por në fund të fundit shqiptarët ishin të ardhur aty dhe bashkëpunuan fuqimisht me grekët. Meqë flasim për « rrënjët greke » në Korçë po ju sugjeroj të lexoni gjithashtu veç historianëve evropianë edhe librin tim «L’Albanie du consul Auguste Dozon», («Shqipëria e Auguste Dozon») i cili ishte konsulli francez në Janinë në vitet 1869-1874 dhe që ishte një historian i vërtetë me botimet e tij akademike për Shqipërinë, Greqinë, Serbinë apo Bullgarinë. Në këtë libër kam vendosur dhe përshkrimin mjaft interesant që ai ndërmori nga Janina në drejtim të Kolonjës, Korçës e pastaj drejt Tiranës e gjer në Shkodër. Ne trevat shqiptare Dozon nuk përmend asnjë «rrënjë greke». Nëse ju konsideroni «rrënjë greke» një fotografi të manipuluar dhe të botuar nga propaganda greke gjatë luftrave ballkanike me një pop dhe disa shqiptarë të varfër (rreth një duzinë njerëzish) me një flamur grek dhe deçiturën se po presin të çlirohen nga grekët, ky është një manipulim historik. Në librin tim «Bujtës të largët» mbi mbresat e udhëtarëve francezë, si historianë, arkeologë, gjeografë etj në Shqipëri gjatë shekullit XIX, kam dhe një kapitull për akademikun francez Victor Berard që e admironte Greqinë e Homerit dhe kërkoi që bashkë me fotografin zviceran Fred Boissonas të vërtetonte itinerarin e kthimit të Odiseut në Itakë. Ky helenist ne vitet 20 te shekullit XX u nis posaçërisht nga Franca dhe erdhi në Durrës për të vërtetuar tezën se helenizmi ishte gjallë në Shqipëri. Në udhëtimin e tij përmes Shqipërisë së jugut drejt Shkupit, ai më kot i kërkoi këto « rrënjë » dhe në fund të udhëtimit deklaroi se ishte zhgënjyer dhe se ky helenizëm nuk ekzistonte në Shqipëri. Po, sigurisht kishat e vjetra ortodokse ekzistonin, madje me një histori dhe art të shkëlqyer për çka mburremi, por ato vinin nga trashëgimia bizantine dhe asnjëherë nuk duhet të ngatërrojmë ortodoksinë me helenizmin. Në Shqipëri ortodoksit adhurojnë Pantakratorin e kishës ortodokse, katolikët Jezunë dhe muslimanët Profetin Muhamet.
Zoti zevendës-ministër, mund tu sillja këtu shumë burime historike por faktet janë të njohura dhe nuk kemi pse të zgjatemi në këtë çështje. Dua tu kujtoj gjithashtu dhe raportin e Fondacionit për Paqen Ndërkombëtare «Carnegie» i cili i ka kushtuar një kapitull të gjatë veprime e dhe masakrave greke ndaj popullsisë maqedonase gjatë luftrave ballkanike, metoda që u përdorën më pas dhe ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftrave ballkanike e pas tyre. Në vitin 1921 senatori francez dhe ministër, Justin Godart, udhëtoi nëpër Shqipëri dhe në librin e botuar po atë vit «L’Albanie en 1921» shkruan gjatë për masakrat e andartëve grekë ndaj popullsisë shqiptare për çka është solidarizuar dhe baroni francez Paul d’Estournel de Constant, i çmimit Nobel për Paqen. Godart i ka parë me sy, siç e deklaron në libër, fshatrat e djegura shqiptare për të cilat vë në dijeni dhe presidentin francez dhe ministrinë e jashtme franceze. Pas më shumë se një shekulli nga Godart, ju deklaroni se qytetarët greke duhet të kërkojnë « rrënjët ». Humanist i dhe politikani zviceran Eugene Pittard kur pa Leskovikun e djegur nga greket ku kishin mbetur veçse rrënoja bën nje akuzë te fortë kunder qeverisë greke. Po, ato janë gjurmët e çizmeve të kolonelëve dhe ushtarëve grekë në jugun shqiptar gjatë masakrave të viteve 1912-1914, kohë kur Shqipëria sapo kishte krijuar shtetin shqiptar dhe ishte mjaft e dobët për të mbrojtur territoret e saj. Mund ti referoheni sulmeve greke të cilave iu kundërvu komanda hollandeze në Shqipëri në kohën e Princ Vidit, apo përçapjeve të një « Republike autonome greke», një republikë fantomë e krijuar nga disa filogrekë. Furia e ushtrisë greke në këto vite ka qenë e jashtëzakonshme, siç shkruhet në librat tanë të historisë. Mund të verifikoni arkivat tuaja (edhe sepse ato janë të ndaluara për tu parë për historinët shqiptarë) që të kuptoni mirë rëndësinë e tyre dhe sa dëm i kanë bërë marrëdhënieve greko-shqiptare. Atëherë po ju citoj vetëm disa gjurmë apo « rrënjë » greke : Masakrat në fshatrat më 25 shkurt Pacome dhe Kuqan në shkurt të vitit 1912 ku u therrën 75 burra. Më 2 mars ranë prehë e kësaj barbarie fshatrat Zleushe, Mokricë, Gosnisht Tremishtë, Petran Rapckë, Hotovë, Badelonjë apo në Delvinë. U dogjën gjithashtu Këlcyra, Katundishta, Beduqasi, Fratari dhe Varibobi. Në Leshnje, komandanti grek Fiorgakaqi kaloi në thikë gra, burra e fëmijë. 27 foshnje u therrën nga Kocifaqi. Më 2 prill 1914 u dogj Luarasi dhe andartët hynë në Panarit ku u therrën 275 njerëz. Më 23 prill u dogj Frashëri, Kreshova, Micaki, Backa, Pagria, Lipostivani, Devrani, Senica. Po më 22-23 prill u dogjën fshatrat Luzati, Bnece, Velqot Turan, Dukaj, Memaliaj dhe Salari. Në Hormovë u therrë me bajoneta 160 burra. Oficerët grekë Jorgollqi, Farmaqi, Kocifaqi me batalionet e tyre dogjën fshatrat e Qarrishtës, Sevranit, Corovodës, Rogut, Cepanit, Prishtës, Pojanit, Zhepovës, Kajcës, Toshkësit, Dragotit, Mezhgoranit, Beshishtit. Në Backë u therrën 30 gra e fëmijë;180 familje u therrën dhe u hodhën në lumin e Zi të Skraparit… Lidhur me këto masakra të bëra dhe në Korçë, Kolonjë, Përmet, Leskovik, Përmet Këlcyrë e Tepelenë, humanistja angleze Edith Durham në librat e saj shkruan se “Ushtarët grekë edhe sikur të bëjnë pendesë gjatë një shekulli, s’kanë si ti lajnë krimet e urryera të atyre javëve”.
Pikërisht këtu zoti zevendës-ministër janë “rrënjët”, të dokumentuara historikisht. Kjo retorikë e politikës greke në Shqipëri është e rëndomtë, jo evropiane dhe jo në shërbim të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit për një të ardhme të përbashkët. Si do të bëjmë nëse në këto kohë luftrash, nuk do të bashkojmë zemrat për të mbrojtur fatet tona që në fund të fundit janë fate të përbashkëta? Shikojini më mirë dosjet që ju servirin dhe hapini rrugë bashkëpunimit të historianëve grekë e shqiptarë, bashkëpunimit të Akademive për të xhveshur historinë nga manipulimi, për ta çarmatosur atë, siç ka qenë dhe nisma e UNESCO-s “Desarmer l’histoire” (“Të çarmatosim historinë”), për të parë të vërtetën në sy pasi kështu, historianët do ti shërbejnë politikës dhe të ardhmes. Në Shqipëri portat e arkivave janë të hapura për këdo dhe ne ju presim me zemër të hapur, për të mos folur më për “rrënjë” nacionaliste.
Luan Rama, ish ambasador.