Behar Metohu: Zërat e munguar
Tregim
Kur shtrihej për të fjetur nuk mendonte gjë tjetër veçse të dëgjonte hapësirat përtej mureve të ftohtë dhe të heshtur. Ai nuk mbyllte sy e as mendja nuk i qetësohej, ndërsa veshët i mbante të ngrehur, si ai lepuri në lëndinë për të dëgjuar çdo tingull. Askush nuk i fliste ato ditë vape në atë orë. Kërkonte të ishte në lirinë e vetvetes se ndoshta “çudibërëse” ato ishin orët më të lumtura, por edhe që e tërhiqnin drejt asaj që kërkonte. Të ishte i lirë, i rehatuar e i kënaqur me vetveten. Por, ja që nuk ndjehej i lirë edhe në ato orë ku fliste me veten.
U ngrit nga kravati dhe pa hijet e së shoqes, që ishin gjysëm të mbulurara. Ai u largua në errësirën e korridorit duke u çapitur rëndë, mjaft rëndë. Pasi kaloi në dhomën ku kishte ato ilaçet që i mbante nëpër qese të vogla të tijat rrëmbeu një kuti me nxitim dhe e hodhi në fytyrë në pjesën pranë hundës. Mjekra ju pudros duke i sjell ndjesinë e përhumbjes në vetminë e tij.
Pastaj u ul tek kolltuku pranë dhe ndejti pa lëvizur. Ai shtrëngoi fort kutinë që kishte në dorë dhe ajo kërciti zhurmshëm. Ai qëndroi i heshtur përsëri. Në vesh ndjeu tingujt ritmikë mjaft të qetë të sahatit të murit. Akrepat lëvzinin duke u rrotulluar.
Ai vështroi në errësirën e thellë këtë lëvizje dhe e zurri tmerri. Ora një e natës apo e mëngjesit 2… 3… dhe numrat shtoheshin në realitet, por edhe në fantazinë e tij. Siç po iknin orët njëra pas tjetrës, po aq vrullshëm po i ikte gjykimi i arsyeshëm. Ai këtë e kishte ndjerë në shumë raste, por dinakërisht mendja e tij i thoshte unë jam më i miri, më i zgjuari. Pse ka mbi mua një tjetër njeri që të mendoj kaq thellë dhe kaq bindshëm se sa unë? Po a mund të zëvendësohem unë pikërisht tani? Dhe si? Duke u vetdorëhequr nga presioni i disa dhjetra injorantësh apo të papjekurish, që nuk dijnë të lidhin dy mendime bashkë? Si unë mund të vihem përballe tyre në këtë mënyrë?!
Heshtja e natës ishte e tmershme për të. Kështjella, pranë malit që e kishte si shtëpi banimi me muret e saj prej betoni, qëndronte në heshtje dhe dukej sikur dëgjonte dhe shikonte gjithçka ai thoshte dhe vepronte. Një lehje qensh nga ana e komshinjve e acaronin duke kapur kokën me dy pëllëmbët e duarëve që dikur mendonte se kishte dorën më me fat që bënte kosha basketbolli, por që kurrë nuk e duartrokitën dhe gishta të hollë që hidhte si ca shkopa që përdridheshin nga era, të cilat nuk realizuan kurrë një tabllo pikture për ta quajtur nje piktor gjigand. Por, ai mendonte se ato duar i kishte shumë të fuqishme dhe të shkathta për të lëvruar… afera… Ah… ah! Gishtrinjtë i rëshqitën nga koka e tij tullace e djersitur nga ethet e “ilaçit të bardhë” që si miell e kishte transformuar në klloun cirku, në errësirën e asaj dhome të ftohtë.
Ai uli duart mbi tryezën prej xhami të kristalte me diamante marramendëse dhe vuri re se po i dridheshin. Sytë i shndrrinin mbi kristalet verbuese dhe ndjeu se gishtrinjtë po i dridheshin. Instiktivisht mblodhi grushtin ngadalë dhe duke kuptuar se disa zëra nga thellësia e mureve të “kështjellës” së së heshtur po vinin në veshët e tij edhe më fort edhe më këmbues. Llahtaria e mbërtheu aq fort, sa ai pa kuptuar dhe pa marrë vesh edhe vetë bërtiti në ekstazë duke ulur grushtin me forcë mbi tryezën e diamantë – joooo … joooo kurrë, ndërsa copa xhami po përplaseshin mbi tapetin e tij ngjyrë mavi.
Hodhi sytë përtej në errësirë. Me veshët e ngrehura ndjeu lëvizjet dhe hapat e rojës që vigjilent ruante kështjellën pranë malit. Atë mbrëmje kishte ndjerë vetminë e frikshme që e kishte pushtuar aq thellësisht. Ai kishte bërë gjithë balancat në mendjen e tij, por zërat që vinin nga bulevardi, ia shkëpusnin mendimet. Ai kurrë nuk i kishte besuar, se do të vinin ato zëra kaq të vendosur, kaq autoritar, sa ai të stepej i çuditur i befasuar dhe i mahnitur.
Po ç’dreqin nga erdhën kështu këta zëra, këto thirrje. Ata flisnin hapur dhe qartë, ai duhet të mbrohej nga këta zëra dhe, i mbështetur në murin pranë hyrjes së kështjellës, shikonte siluetën e rojes nën ndriçimin e hënës. Hapat e hijes ishin të kujdesshme, për të mos shkaktuar zhurmë, por ai i ndjente aq shumë sa që duke i bashkuar me zërat e atyre në bulevard ndjente më tepër atë vetmine vrasëse. Ai shqetësimin e shikonte të lidhur me moskuptimësinë e gjërave. Ai nuk kishte gjumë. Ai ndoshta kishte humbur. Dhe s’kishte pse dhe se si mund të flinin qelizat e trurit çudibërës A jam unë? Pra ekzistoj… ekzistoj unë pa janë shumë, e shumë, shumë të tjerë. Lavdi margaritari i pjelljes së mendjes sime, ato zëra do të shuhen do humbasin përtej malit që kishte pranë se nuk mund të jenë kurrë mbi mua. Pa ekzistoj unë, që në këtë qoshe të humbur të Ballkanit të rrojnë njerzit e zotit. Dhe këta janë më të rëndësishmit, që mund të ketë kjo qoshe e ballkanit kundrejt Evropës, që të kthehet në një qendër e madhe.…
Iu morën mend dhe ai shtriu dorën fort drejt murrit për të qëndruar, por nuk mundi dhe gjunjët i ranë në pllakat shumëngjyrshe dhe më pas trupi iu rrotullua dhe ra në to.
Kur u përmend ndjeu se një dorë e fortë ishte mbështetur mbi shpatullat e tij. Hapi sytë, të cilat ndeshën hënën që ndriçonte fort sa që i vrau sytë.
- Shefi si je? – dëgjoi zërin e njeriut, që kishte një zë të lëkundur dhe gjysëm të mekur.
Ai nuk foli, por pa automatikun e tij dhe u ngrit duke kthyer kokën andej nga qyteti. Malin e kishte pas. Filloi të ecë nëpër rrethinat e “kështjellës” dhe mundohej të kapte jehonat e zërave që ndoshta mund të vinin përtej qendrës së qytetit.
Ecja e rëndë përreth asaj mase betoni dhe hëna që rrinte e vështronte e buzëqeshur kishte krijuar misterin ritual të gjithë mbrëmjeve të kësaj vere të çuditshme që kurrë nuk e kishte imagjinuar se do të shfaqej në atë formë aq pështjelluese, kaq të rrëmbyeshme dhe njerëz të rinj, zëra të rinj dhe kaq të vendosur për ta larguar atë nga pushteti. Po a vallë duhet të dorezohem?! Ai kujtoi dorezat e boksit që i shfaqi në publik në mënyrë mjaft të rafinuar duke u lënë të kuptojnë ato zëra se do të grushtohen fort nga kampionë të përhershëm siç e ndjente veten. “Shqipëria është ajo që dua më shumë”, – e ndërsa mendonte këtë gjë, lehje qensh iu bashkuan qetësisë së natës.
Duke ngërdheshur fytyrën, u ul i rënduar në shelzonin, që ndodhej në anën e pasme të oborrit duke iu fshehur buzëqeshjes ironike të hënës dhe lehjes së qenëve! Ai shpresoi se zërat që vinin nga bulevardi do të rralloheshin derisa të zhdukeshin.
- + +
Tetori hyri i ftohte siç askush nuk e priste. Njerëzit ecnin nëpër rrugë tashmë të veshur më trash. Ai mbrëmjet i kishte më të qeta. Vizita në Amerikë dhe Evropë kishte ngrirë dhe ngrohur damarët duke i sjell shqetsime. Ai kishte hyrë i vendosur që vera e këtij viti të çuditshëm të harrohej shpejt. Mbyllja e kapitujve dhe hapja e të tjerave në bisedimet me Europën i kishte krahasuar edhe në publik si dyer që hapen dhe mbyllen duke shtrirë hapat më tej. Ai përfytyronte përballë bashkëbiseduesve evropianë vetëm flamurin kuq e zi. Do ta vendos patjetër këtu në mes të Europës, – i thoshte vetes dhe atyre që kishte marrë nga Shqipëria si delegacion, por përsëri megjithëse buzëqeshte pranë kamerave herë pas herë i fanepsej sikur edhe pas mureve të Brukselit dëgjonte jehonën e thirrjeve të njerëzve, që buçisnin me zërat e çuditshëm: JEPE DORËHEQJEN… JEPE DORËHEQJEN… Tirana kaloi në kaos dy ditë më vonë. Ç’të bënte?!
15 gusht- 14 tetor 2026.