Albspirit

Media/News/Publishing

KËRKIMET EKZISTENCIALE NË NJË LIBËR POETIK TË DENIZ XHOGËS

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Portretin e poetes Deniz Xhoga e njoha si pedagoge të urtë e sqimatare, në auditorët e Fakultetit të Shkencave Humane, në degën e Gazetarisë, të universitetit “Ismail Qemali”. Prej kohësh kisha vënë re përpjekjet e saj për të zotëruar lëndët mësimore, por edhe ligjërimet në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Papritur mësova se ajo zotëronte edhe një talent tjetër, ishte poete e heshtur. Kur më ra në dorë vëllimi i saj poetik “Hijet e vetes”, Tiranë 2026, në parathënie, miku im Sadik Bejko, poet dhe estet i njohur, e cilësonte poezinë e saj, një zë i veçantë në letërsinë bashkëkohore shqipe.

Ky titull lidhet me një kuptim transedental të poezisë së Deniz Xhogës dhe fjala “hije” nënkupton kujtime, mall, dhimbje, dashuri, frikë, zhgënjime, dëshira dhe përjetime të së kaluarës. Hijet e vetes na i shpërpush në një mendim të caktuar që niset nga karakteri, përvoja, që padukshëm shoqërojnë qenien, por përmes tyre poeti e njeh veten më mirë për t’u përballur me kujtime, përjetime, emocione, të cilat vijnë nga brendësia dhe duan të dalin nga sipërfaqja për t’u formëzuar në vargje. Kështu, dashuria, malli, vetmia, kujtimi, dhimbja, koha, shpresa dhe kërkimi i vetvetes bëhen farëza që mbillen në horizontin e frymëzimit prej nga mbijnë lastarët e motiveve që varen pastaj në boshte ideore dhe përmbajtjesore.

Të gjitha këto mikromotive herë shuhen e herë ndizen e nga shuarja ato rindizen, duke lënë gjurmë në botën instiktive dhe të ndërdijes së njeriut. Njeriu e kupton veten nga udhëtimet që ndërmerr, ai udhëton në kohë, udhëton në vende të caktuara, fiton njohuri, përvojë dhe në celuloidin e kujtesës regjistron pamje, imazhe etj, por udhëtimi më i vështirë është ai brenda vetes së vet. Jo thjesht si rrëmim në vetvete, por si sundim në botën e tij të brendshme për të artikuluar përmes fjalës shumë emocione e ndjesi e për të kuptuar veten dhe nëpërmjet kuptimit të vetes ai ndërton raporte më të drejta, më të plotësuara në përmbajtje edhe me të tjerët.

Nga ana tjetër, atij i duhet të reflektojë dhe të bindet për çfarë është në të vërtetë. Duke njohur veten, ai ndërton edhe raporte estetike dhe njëherit shprehet më bukur e më mirë. Por ka edhe hije jashtë vetes, hije përndjekëse, që nuk u ngjajnë hijeve të ndërgjegjes së vrarë, por që edhe burojnë prej saj. Ky kompleksitet hijesh, duke u fytyrëzuar ato në imazhet që u japin idetë dhe figurat letrare, krijon një tronditje shpirtërore prej së cilës vjen pastaj dhe merr rrugë edhe magma e frymëzimit.

Duke qenë se poezia shpreh dhe i jep zë të pathënës, ajo bëhet e vetmja rrugë, ku fjala hije kalon me besim se do të kuptohet dhe se, dëshirat e parealizuara aty do të gjejnë tejkalimin e çdo pengese për t’u ndjerë më të plota e më të kuptuara. Hija gjithashtu ka lidhje me identitetin e njeriut, diçka që mund të merret si paradoksale, sepse identiteti e prapëson hijen, hija është e ajërt, ndërsa identiteti forcë e shprehjes dhe gjetja e vetvetes për të mos humbur, hija rrëshqet, identiteti jo etj etj përcaktime në këtë marrëdhënie.

Rëndësi i jep poetja raportit të së tashmes me të kaluarën, aty ku stacioni i hijeve është më i populluar prej tyre. E kaluara shpesh nuk mbetet vetëm një periudhë që ka përfunduar, por vazhdon të jetojë në kujtesë. “Çfarë jam e çfarë dua të jem”-pyet poetja me një dëshirë për të zbuluar dhe përcaktuar veten sikur ajo nuk e di se kush është. Lirika mohon të jetë një imazh i krijuar nga të tjerët, një kukull apo një pjesë e verbër e një mekanizmi shoqëror. Njeriu kërkon të jetë i lirë në mendime dhe në zgjedhjet e tij. Shprehja e dëshirës për të qenë “nerv” dhe “mes nervave” mund të kuptohet si dëshirë për të qenë një pjesë e gjallë, aktive dhe e pandashme e jetës.

“Për atë që s’jemi më”, poezia shpreh motivin e humbjes dhe të mallit: Poezia shpreh dhimbjen për diçka që ka ekzistuar dikur, por që tani mungon. Deti, dielli, buzëqeshja dhe elemente të tjera, shndërrohen në kujtime të një të kaluare, që nuk mund të rikthehet. Përballë humbjes, njeriu detyrohet të mësojë të jetojë me boshllëkun që ajo i ka lënë atij. Dhimbja nuk zhduket plotësisht, por bëhet pjesë e përvojës së saj.

Por poetja shpreh dëshirën për praninë e dikujt të dashur: “Unë e di/do të vish/hëna më tha/kur çau mjegullën/si një premtim që s’pyet/eja sonte, se hëna është e plotë, eja/nesër kush e di, në ç’gjumë do të bjerë ajo”. Ajo është një thirrje që përmban njëkohësisht mall, shpresë dhe dëshirë për afërsi. Poezia ndërton një atmosferë, ku e tashmja paraqitet si një mundësi për takim dhe afërsi, ndërsa e ardhmja mbetet e pasigurt dhe e panjohur.

Megjithatë, njeriu përballet vazhdimisht me sprova, vështirësi, mendime dhe gjykime. Individi ndihet i vëzhguar dhe i gjykuar nga të tjerët. Fjalët, opinionet dhe intrigat e shoqërisë e bëjnë rrugëtimin e tij një “provim” të vazhdueshëm. Por poetesha e ndjen nevojën për një komunikim që mund të shprehë ndjenja më të thella se fjalët. Përmes shikimit mund të përcillen dashuria, malli. Magjia e syve tregon se ekzistojnë emocione të forta që nuk arrijnë të shprehen me fjalë. Heshtja, në këtë rast, bëhet një formë e fuqishme komunikimi: “Sytë e tu ulërinin/në muzgun e vetmisë/dhe prapë/asnjë fjalë/që s’guxoi/të çahet kurrë”.

Pasuria e motiveve, si: motivi i detit dhe i ciklit të kujtimeve, motivi i komunikimit të pamundur, i indiferencës dhe i izolimit, i trishtimit – trishtimi shfaqet si një ndjenjë e thellë që rëndon shpirtin, i ankthit dhe shqetësimit të brendshëm – uni lirik përjeton një tension të vazhdueshëm dhe një shqetësim që nuk e lejon të gjejë qetësi, i kërkimit të qetësisë – përmes vetmisë: “pak vetmi/nervat e cingërisura/t’i qetësoj/pak muzg të krijoj…”, shfaqet dëshira për të gjetur paqe dhe qetësi shpirtërore-i muzgut dhe errësirës. Errësira dhe muzgu lidhen me gjendjen e brendshme të poetit, duke simbolizuar vetminë, trishtimin dhe pasigurinë-i vetëkërkimit – poeti përpiqet të kuptojë veten, ndjenjat dhe vendin që zë në jetë-i identitetit – shfaqet pyetja se kush është individi dhe çfarë e përcakton atë përtej pamjes së jashtme- i dyshimit.

Pyetjet e vazhdueshme: “Përse jetoj?/pyes veten natën/që rri pezull mbi mua/si një pyetje pa qiell/”, tregojnë pasigurinë dhe mungesën e përgjigjeve të qarta- i mjegullës – mjegulla simbolizon paqartësinë, pasigurinë dhe një rrugë që nuk shihet qartë, i kërkimit të kuptimit të jetës – pyetjet nuk lidhen vetëm me veten, por edhe me kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës, i vuajtjes së brendshme – dhimbja nuk është vetëm fizike, por kryesisht emocionale dhe shpirtërore; i revoltës – shfaqet kundërshtimi ndaj çdo gjëje që cenon dinjitetin dhe lirinë e shpirtit,; i kërkimit të kuptimit të jetës – kërkohet një arsye që ta bëjë jetën të vlefshme dhe me kuptim; i zbrazëtisë shpirtërore – njeriu mund të jetë fizikisht i gjallë, por të ndihet i zbrazët dhe pa një qëllim të qartë; i mallit – personi që ka mbetur pas ndien dëshirë të madhe për praninë e atij që nuk është më; i frikës nga harrimi – ekziston frika se me kalimin e kohës kujtimi i personit të humbur mund të zbehet; i pakthyeshmërisë së kohës – e kaluara nuk mund të rikthehet dhe ajo që ka ndodhur nuk mund të ndryshohet; i frikës dhe dobësisë – përfaqëson brishtësinë, pasigurinë dhe frikën; i ironisë ndaj njeriut – përmes krahasimeve me kafshët, poetja vë në dukje kontradiktat e sjelljes njerëzore dhe hendekun mes asaj që njeriu pretendon të jetë dhe mënyrës si sillet, të cilat përbëjnë një tërësi kërkimesh ekzistenciale në këtë poezi.

Ky vëllim poetik ka një bosht tematik dhe ideor ekzistencial, ku poetesha sundon në thellësi të qenies dhe me anë të poezive të dikton disa pyetje, që duhet t’ia bësh vetes: kush jam unë, ç’dua të jem, cili është kuptimi i jetës dhe përballjen nga qerthulli i vetmisë dhe i humbjes, i frikës dhe pasigurisë, dhe kjo përbën modernitetin e poezisë së saj.

Tërësia e kërkimeve ekzistenciale e bën poezinë e Deniz Xhogës meditative dhe filozofike, me një shumësi qasjesh të mençura përmes të cilave përçohet ankthi i qenies për t’u ruajtur nga tëhuajëzimi. Zbrazëtinë që dikton pikërisht kjo botë paradoksale, me mungesat e saj dhe largimin e njeriut nga thelbi i emrit të tij, poetesha kërkon ta mbushë me forcën e kërkimit për të evidentuar atë, por edhe për të sjellë dëshira normale të njeriut për të kundërtën. Përballë memecërisë dhe shurdhërisë së kësaj bote, ajo vë dëshirën për komunikim, mallin dhe afrimin e njeriut me gjërat më të bukura, që jetës nuk duhet t’i largohen “të gjithë njerëzit që dua/ikin/futen diku/ku unë s’kam formë/’-dhe duke nënvizuar pikërisht këtë konstatim poetik-poetesha është pikërisht kundër tij në tërësinë e frymës së vëllimit të saj.

Koha si përmasë e vjetër shfaqet: “Është mjegull/njeriu parahistorik godet/por s’ka shigjeta/godet me kuisje nervash”, dhe për ta kapur atë, ajo i vë përballë kohën poetike që përmblidhet në përmasë të mendimit, megjithëse përsëritjet e gabuara të saj dhe humbjet nuk zhbëhen, edhe pse kujtimet mund të zbehen për shkak të kohës reale. Poezia e Deniz Xhogës (Çupi) është poezia e së tanishmes, e cila mbushet me jehona të largëta të kujtesës dhe të mendimit, por, të vendosura në një ekuilibër të arsyetuar filozofik, këto jehona e përmbushin çastin dhe e mbushin atë me ardhmëri.

Poezia e Deniz Xhogës formëzohet me një varg të kulturuar dhe i përket një ligjërimi të lirë të konceptuar strikt, sipas idesë. Në të gjejmë lirshmërinë e vargut dhe strukturimin e vjershës. Shumë poezi fillojnë me pyetje që shtrohen në kuptimin e përsesë dhe të ndalimit, disa poezi të këtij vëllimi janë të shkurtra dhe përcjellin një mendim të thukët. Gjejmë në këtë vëllim një shumësi poezish me një mendim sintetik, i cili na sjell një prirje të vazhdueshme të krijimtarisë së saj për ta sunduar qenien në të gjitha kuptimet dhe për të shtruar disa ide universale të saj.

Vlorë-Tiranë, tetor 2026.