Poezia e Taip Sulkos, simfoni harmonie e një udhëtimi emocional
SPIRO KOTE
POEZIA E TAIP SULKOS -SIMFONI HARMONIE
E NJË UDHËTIMI EMOCIONAL
(Me poezinë e Taip Sulkos pasurohesh në shpirt duke u bërë njeri edhe më i mirë)
“Kambabat binin, binin
dhe era jepte puthje
në buzët e kuqe të trëndafilave ”
Poezia e poetit, Taip Sulko, i ngjan një kambane, ku një prekje , a godiitje sado e lehtë në të , lëshon një të tillë tingëllimë e vibrim të veçantë, si jehonë e cila përhapet në kohëzgjatje e vazhdon të ruhet në eter e pashuar aq sa edhe kur të të duket sikur është në ikje e sipër ,pikërisht atëhere e ndien të të vijë si një zgjim edhe më i ëmbël në shpirt.
Pikërisht këtë jehonë, ndien e përcepton në fjalën poetike te vëllimi “Portat e qiellit ”, si shprehësi e tingëlluar përmes imazheve artistike që formësohen ngadalë e qetë, si pulsime që vijnë e të rrinë në mendje.
Poezia e Taip Sulkos të jep përshtypjen sikur ekziston jashtë njeriut – poet , jashtë jetës reale, njerëzore, biologjike, diçka që jeton në kohë e hapësirë, si një zë, impuls metafizik që vetëm ai , poeti arrin ta ndiejë, ta përceptojë, ta dëgjojë e ta veshë me mendim; ta sendërtoj me fjalë e ta fusë në rrjedhën e natyrshme të komunikimit me lexuesin.
Poeti arrin që këtë energji, ta përcjellë tek ne herë si dritë, e herë si ndjesi, herë si gëzim jete, si besim, si shpresë e si lumturi universale:
- “Muzgut eci prej dritës …/ Mos më pyesni / Ç’kërkon kjo krijesë me rrobën e bardhë të natës?!: Deri në fund do të bëjnë dritë për ty !”
(“Perëndime të përflakura “)
Titulli ” Portat e qiellit” si dhe gjithë poezia e ka një simbolikë sa të thjeshtë aq edhe befasuese .
„Portat e qiellit” është simbolika poetike e kapërcimit të vetes prej poetit duke hyrë në një botë shpirtërore specifike .
” Çelësi Sol ” i poezisë- Sulko është -Dimensioni i saj Metafizik , i shpallur, si “manifest”, që në poezinë hapëse të vëllimit “Kënga e njeriut ”
- “Zotit i ngjaj , ringjallem si stinët ”
Titulli i vëllimit lexohet si një çelës për të kuptuar prirjen e poetit drejt kapërcimit të përvojës së drejtpërdrejtë dhe kërkimit të botës metafizike të ekzistencës:
- ” Të ftohtë janë yjet këtë buzëmbrëmje
e unë duhet të rilexoj dritën e tyre ”
( Te Poezia ” Të ftohtë janë yjet ” )
Në poezi, uni poetik duket se tërhiqet nga qendra e rrëfimit personal, jo për t’u zhdukur, por për t’i lënë hapësirë një përvoje më të gjerë njeriut- poet.
Poeti gjendet kështu në një pozitë të ndërmjetme: midis tokësores dhe qiellores, kufizimit njerëzor dhe dëshirës për përsosmëri shpirtërore.
Qielli për poetin përmban një ideal të arritjes , përkryerjes dhe harmonisë .
Ndërsa portat shënojnë mundësinë e kapërcimit, ato ruajnë njëkohësisht misterin e pragut: njeriu mund t’i afrohet së përkryerës,vetëm duke synuar drejt saj .
Portat e qiellit bëhet, kështu, metaforë e një poetike :nga përvoja njerëzore drejt një ideali që harmonizon shpirtra njerëzorë .
Taip Sulko krijon një poezi ku intimja dhe universalja takohen në një hapësirë të ngarkuar me dritë, dhimbje dhe kujtesë.
Veçantia e tij qëndron te aftësia për t’i shndërruar gjendjet shpirtërore në imazhe konkrete.
Natyra, dashuria, besimi dhe plagët e historisë bëhen pjesë e së njëjtës botë poetike, me njeriun .
Forca e kësaj poezie shfaqet sidomos aty ku metafora vihet në funkdion të të menduarit.
Kjo shumësi qasjesh poetike përbën një nga tiparet dalluese të individualitetit të tij krijues të mishëruar në një laryshmëri motivesh, me një përzgjedhje shumë sqimatare , në laboratorin e vet krijues:
A. Motivet dhe veçoritë kryesore:
- Dashuria – nuk është vetëm ndjenjë intime, por për t’i dhënë kuptim jetës.
Në gjihhë poezinë e poetit Sulko, dashuria është identitet, sepse në të ka vetëm dashuri, shumë dashuri :
Dashuri për njeriun, nënën, fëmijën gruan, rininë, gjallesat, pemët, pyllin,mbrëmjet, liqenin, zgjimet, yjet, hënën, qiellin, etj .
Është një dashuri universale prej nga buron ajo energji poetike, si zjarr, dëshirë, pasion, synim, mision përkushtim, pa të cilën duket sikur poeti nuk do të mundtte të thurte qoftë edhe një varg të vetëm:
- “Yjet ishin larg, por dashuria ime ishte me ta”
(Yjet dhe dashuria) - “Vetëm dashuria ngeli me ta,
deri në fund
që duke u djegur, duke ikur, mbjellin më shumë dritë.” - ”bota u ngroh/ shi trëndafilash po bie mbi të ”
(Një lypsar në parajsën e dashurisë )
Dashuria, aq sa universale, arrin natyrshëm tek intimja, dhe sensualja me po atë energji që e lind.
Dashuria ndjesohet si fuqi shpirtërore si pasuri në shpirt – Kristal që rri e përndritur në zemër.
- “Ku është ? Eh si më puthte duke qarë më përzinte / Ku është? Vetëm janë lulet, vetëm mbrëmja ”
(Ku është ajo ?)
Në poezinë “Në krahë engjëlli” energjia shpirtërore përceptohet në rrafshin e saj simbolik, erotik dhe mitologjik deri në pavdekësi .
Arrihet në poezi një përjetim dashurie që i kapërcen kufijtë e jetës së zakonshme, duke e shndërruar intimitetin e dy të dashuruarve në një hapësirë të jetës së përjetuar si ndjenjë e fuqishme, gati ideale .
2- Njeriu përballë dhimbjes dhe historisë
Tek poezia ” Dua ta di ”, poeti pyet –
- “Ç’ ishte ajo gropa e luanëve, ku më hodhi fati/
Ku do të mbush grushtat sa herë të dua ?!”
Ndihet dhimbshëm ndjesia dhe fryma e zhgënjmit, ironia e besimit dhe e iluzionit dëshpërues të njeriut në një jetë të tërë
- ” si një gjethe e lëshuar në përqafim të erës/ dallgë që përplaset e vdes duke qeshur ” ,
ose e kaluara me mjerim të vajtueshëm material e njerëzor e dhënë me simbolin e “xhaketës” dhe metaforën “e grisur ” : - ”Prapë do ta dua:
që s’dal tre herë në ditë pushtuar me të/
Edhe vdekja si një lojë koti më dukej”
(Poezia : Xhaketa e grisur dikur )
3.- Natyra si pasqyrë e shpirtit – dhe e gjendjeve të tij emocionale :
Si në gjithë frymën metafizike të poezisë, vihet re prirja e shkrirjes , njëjtësimi shpirtëror – ndjesor , herë si personifikim, e herë si vitalitet jetësor me objektin ose mjedisin e dashur të evokuar .
Ky njejtësim shpirtëror bëhet pjesë e jetës, fëminisë, rritjes së poetit që ende magjinë e tyre e përjeton me asociacione emocionale e estetike aktuale, si dhe në optikën e një simbolike të nënkuptuar sociale :
- *”Kaq shumë po më dhemb ikja jote pa kthim,/ Mbuluar me tunikën e verdhëllimit të trishtë.”
( Lamtumirë pylli gjetheverdhë)
Ikja e pyllit, zhveshja e tij nga gjethet dhe mbërritja e vjeshtës marrin kuptimin e një lamtumire më të thellë: lamtumirës me përqasjen e një kohë të jetuar, me dashurinë, me rininë ,ose me një gjendje shpirtërore që nuk mund të rikthehet më.
Si i tillë, pylli , personifikohet si bashkëbisedues dhe si alter ego e poetit
- “Mbahu, qëndro dhe pak, pylli im./
Tregoma edhe një herë dashurinë tënde të pamatë.”
Pylli -një pasqyrë e shpirtit të poetit –
një shpirt ëndërrimtar:
“Mjegull isha, retë ëndërroja. Pemët kalonin përmes meje.”
(Nga “Njeriu mjegull”)
Tek poezia” Vetmia e erës mbi liqen ” motivi qendror është vetmia si kujtim i një lumturie të humbur.
Kemi një personifikim që vendos menjëherë atmosferën e poezisë: diçka mungon dhe kjo mungesë kërkon të plotësohet.
Pyetja:
- “Mos ajo më s’do vijë, si dikur, me qeshjen ,si diell mëngjesi…?!”
Shfaqet një figurë e munguar, një “ajo”, që mund të jetë e dashura, lumturia e dikurshme, apo vetë një kohë e pakthyeshme e jetës.
- Motivi i harresës, etja për rikthim – shtëpia, fëmijëria dhe vendlindja
Poezia ” Nuk janë fjalët e mia këto,” bazohet mbj një konflikt të brendshëm: dëshirën për të jetuar në një botë të re, të mbrojtur nga dhuna, dhe pamundësinë për t’u shkëputur nga e kaluara.
Stuhia — bota e plagës dhe e përjetimit të skajshëm
- “Atje mes stuhisë dua të kthehem”
“Që copa ma bënin zemrën / e me dritë të re ma mbushnin.”
Stuhia përmban një kundërthënie të bukur: ajo shkatërron, por edhe ndriçon.
Ujdhesa — bota e intimitetit dhe e shpëtimit - “Tjetër këndoj, këtë ujdhesë, / me vetëm dy qytetarë me shpirtin lakuriq”
Ujdhesa shfaqet si një hapësirë e zgjedhur, ku dy njerëz përpiqen të jetojnë jashtë botës së zhurmës dhe dhunës .
5.- Hyjnorja nuk kërkohet vetëm në qiell; ajo zbulohet në dashurinë dhe lidhjen me tokën :
Me këtë motiv janë poezitë :
(Poezia: “Perla rozë” )
(Poezia :”Një medalion prej saj” ),
etj .
- ” Ai mbahet. Do ta prekë buzëujin , tokën e tij / miku i tij – fletorja me poezitë e detit”
(Poezia -“Detari poet”) - “do presë që lotët e fatit të bëhen re /
Do ta shohësh prapë të kthjelltën e detit”
( poezia- “Do ta shohësh prapë të kthjelltën e detit”)
Poezia ” Zoti ndjehet më shumë në tokë ”
bazohet mbi motivin e peshës:
” të jesh pa peshë ,apo të jesh njeri ?!”
Vargu:
- “Donte të rikthehej, të mos t’ndjehej ajër, pa peshë”
-Përmban një kundërvënie midis përvojës fizike të astronautit dhe nevojës së tij ekzistenciale.
Në Tokë, pesha është kujtesë prekje, dhimbje dhe dashuri -peshë që i jep kuptim ekzistencës.
Poeti nuk e kërkon Zotin në largësinë kozmike, por në përvojën njerëzore.
Poezia “Kali im i bukur ” është një poezi me ngarkesë të ndjeshme emocionale, me një simbolikë që e tejkalon marrëdhënien e zakonshme midis njeriut dhe kalit.
Në këtë kuptim, kali simbolizon :
Besnikërinë, kujtesën, shtëpinë
dhe humbjen e cila shprehet përmes një shale të zbrazët shumë domethënëse. Shala e zbrazët – prani e mungesës, që tregon se dikush nuk është më aty.
6- Liria e individit – frika dhe kufizimet e ekzistencës :
Tek “I burgosuri i përjetshëm ”,
poezia ka një ngarkesë të fortë psikologjike.
Ajo trajton një nga dramat më të rënda të njeriut: burgosjen brenda së shkuarës.
Epiteti “i përjetshëm ” e kapërcen burgun fizik dhe e shndërron burgosjen në një gjendje shpirtërore pa afat.
Burri nuk është më thjesht një i burgosur, por një njeri që ka humbur lirinë e brendshme.
“Ai ecën në hijet e së shkuarës”
Ai ecën fizikisht përpara, por shpirtërisht mbetet prapa.
Këtu qëndron paradoksi tragjik:
- “Vetë e përplas kokën në mur”
Njeriu mund të dalë nga burgu, por burgu mund të mos dalë kurrë nga njeriu.
“Lëkura mezi i rri si leckë sipër kockave
Ose dhimbja dhe kujtesa : - “Ah, kush do ta zgjojë atë, kush do ta zgjojë!?”- E shkuara si burg i ndërgjegjes, prej të cilit njeriu nuk çlirohet lehtë.
7- Ironia dhe grotesku shoqëror – në marrëdhëniet e njeriut me pushtetin
Poezia, “Populli pa dhëmbë”, është një poezi me ngarkesë të fortë simbolike.
Titulli: metaforë e një gjendjeje kolektive
“Populli pa dhëmbë” është një titull gati grotesk.
Mungesa e dhëmbëve simbolizon dobësimin, pafuqinë, humbjen e aftësisë për të reaguar.
Populli- një bashkësi që ka humbur edhe aftësinë për të gëzuar:
- “Ky njeri s’ka dhëmbë, s’di të qeshë, re do që të jetë, lot që bëhet shi…
Titulli, është një metaforë individuale dhe kolektive.:
Njeriu nuk ka humbur vetëm forcën, por edhe aftësinë për të jetuar .
Tek poezia : “Martesë me këmbët përpjetë ”
Motivi themelor: trupi si skenë e pushtetit
Poeti arrin që nëpërmjet groteskut me të qeshurën të krijojë një efekt satirik.
Vargjet e çojnë lexuesin drejt një bote ku erotikja, pushteti dhe poshtërimi ndërthuren në një skenë me ngjyrime satirike :
*”Mos e tundni shumë bishtin, qortonte, bythët tuaja tregoni.”
Poezia përdor një gjuhë që ndërthur të qeshurën me një ndjesi shqetësimi.
*…”shalët e kolme luhaten si pyllnajë.”
“shkumë e qeshjeve përmbyt gjithë shpirtërat”
Trupi nuk paraqitet më si bukuri intime, por si objekt ekspozimi, disiplinimi dhe kontrolli.
B. Stili dhe individualiteti artistik:
- Në poezinë e poetit Sulko, metafora – është figura bazë ,me fuqi transformuese .
Ndjenjat marrin trajtë konkrete: njeriu bëhet mjegull, dashuria zjarr, kujtesa pyll, ndërsa vetmia një hapësirë që merr frymë.
*Lirika e përzier me dramën – poezitë nuk mbeten gjithmonë në përsiatje; shpesh zhvillohen si skena, ose rrëfime me tension emocional.
*Antitezat dhe paradokset – bukuria bashkëjeton me dhimbjen, besimi me verbërinë, liria me rënien personale.
*imazhe figurative – drita, ngjyra, tingulli, prekja dhe lëvizja krijojnë një poezi që jo vetëm lexohet, por edhe përfytyrohet.
*Lakonizmi jo i njëtrajtshëm –lakonizmi nuk është tipar i çdo poezie, por një nga mundësitë shprehëse të autorit.
……
Janë jo të paktë studiuesit që i kanë vendosur kurorën e merituar plotësisht me objektivitet, njëzëri, kësaj poezie të bukur, elitare të poetit Taip Sulko, kur një vlerë e tillë e krijuar është, e arrirë , dhe e mirëpërkryer artistikisht, natyrisht shumë e mirëpritur.
Në vëllimin “Portat e qiellit ” si dhe disa cikle të mëvonshme , pasqyruar në hapësirat e ” Ex Libris, ”Alb Spirit ” , etj , dëshmohet kjo poezi elitare, si në motive e në stil i një profili të veçantë origjinal, me këndvështrim specifik të imazheve artistike, metaforave e stilemave poetike të puthitura me një harmoni të rrallë fjale (të thjeshtë që vjen nga zotërimi i një gjuhë shumë të pasur) e mendimi, që, me asfare entuziazëm është sukses i kulturës e letërsisë shqipe .
Për vlerat e saj të rralla të artit specifik, kjo poezi, jo vetëm duhet njohur nga shumë poetë të rinj, të apasionuar, lexues, por edhe të studiohet më tej si vlerë e spikatur në letërsinë tonë, por edhe në gjuhë të një lexuesi të huaj .
———
Në këtë vëllim poeti ka përfshirë modestisht një poezi, (poezi- kredo) e cila i është përkushtuar pas vdekjes, poetit të ndjerë, të letërsisë sonë, Frederik Reshpja, me këto vargje dedikuese:
“Me një tufë dashurish
erdha,
Zotit t’ia blatoj,
me mirënjohje
se më deshi
e më bëri poet”
( Modestisht vargje të poetit Taip Sulko – për poetin e paharruar )
Poetët lindin, jetojnë e përjetësohen me fjalën e poezisë në shpirt edhe si adhurim ndaj Zotit.
Stamboll, Tetor 2026.