Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Përkujtim për njeriun fisnik, prof. doc. Anesti Boçka

Një vit i plotë, që kur u largua prej nesh Prof. Doc. Anesti Boçka. Siç është e udhës të kujtohet si njeri dhe profesionist i rallë për Kombin dhe Mjekësinë shqiptare, të cilët i deshi si askush, me një dedikim të veçante dhe të pashtershëm, pa asnjë shpërblim veç asaj ndjenje të veçantë, të pastër, dashurinë e pakushtëzuar ndaj mjeshtërisë së tij. Faqet zyrtare, prej kohësh e kanë humbur legjimitetin e detyrës, për nga harresa, pakujdesia dhe shtirja, me jetëshkrime kronologjike, ku lavdet bëhen bajate dhe shabllone, veçanërisht kur shkruhen përciptazi nga zyrtarë meskinë; pa jetë, pohime në hava, pa peshë. Në një kohë kur kërkohet ajo frymë e atyre viteve të largët dhe tepër të vështirë, kur u mbajt gjallë shpirtin më i mirë i një populli të shtypur, por që ëndërroi përtej mundësive të pritëshme, në një izolim të skajshëm, u ngrit diçka që nuk ish arritur më parë, as në kohën e mbretërisë, ku pak fara mbinë dhe aq më pak filza u rritën, pa bërë fjalë për qindra specialistë dalë nga katedra të mirëfillta universitare.

Çdo shkencë dhe art, apo të dyja së bashku, siç duhet të jetë vërtet, hedhin shtat nga puna e një grupi të caktuar njerëzish (the team), ku çdo gur në mur ka rolin e tij. Por janë kollonat ato që mbajnë dhe ngrenë më lart tempullin e të gjithëve, dijes. Në kirurgji, janë ndërhyrjet e vështira, ato, të cilat kërkojnë një mendje e aftësi të veçantë duarsh, me një koordinim aq delikat sa të lidhin nyje një fije floku, që bejnë histori.

Dr. Nesti, siç e thërrisnin pacientët, ishte ndër të parët, në mos i pari, që realizoi ndërhyrje kirurgjikale në kockën e temporale, jo vetëm në veshin e jashtëm (timpanoplastikë), apo rindërtimin e kockave të vogla të veshit të mesëm, si dhe ndërhyrje për tumore në veshin e brendëshëm. Shumë prej të cilave u realizuan me “vetë-specializim, pa shkuar jashtë shtetit, por duke u ushtruar paraprakisht me mikroskopin kirurgjikal ne laboratorin e Anatomiese Pathologjike (kadavera), dhe duke hedhur bazat didaktike te nje kirurgjie te re, që u pasua dhe u zhvillua dhe në degë të tjera të mjeksisë shqipëtare.

Shpesh flitet për të “parët”, themeluesit, ata që vunë gurin e parë, që mbetën aty në atë fat që u fali koha, por është ndoshta shumë, shumë më e vështirë të vësh mbi ato kollona, frizën që i mban bashkë në atë tempull që ende qëndron pas dekadash. I një brezi, që erdhi pas Luftës II Botërore dhe një varfërie të skajme, dedikuar me mish e me shpirt idesë për të ndërtuar një “Shqipëri të Re”, një me të, mbartën krenarinë e saj. Të jepnin, siç ish deviza e lashtë e Hipokratit, gjithçka, pa marrë asgjë. Kur i sëmuri shihej si njeri dhe jo mjet të ardhurash. Natë e ditë në thirrje për të shërbyer, nga klinka universitare në majë te Bjeshkëve të Namuna, qytet apo fshat siç e kërkonte detyra. Nuk u përpoq dhe nuk mori titullin profesor si mjek oborri, jo me statistika kartelash, por me një seri ndërhyrjesh të reja dhe numër pacietësh të kuruar. Pas 12 oresh, pa pushim, nën mikroskop apo bronkoskop, besnik i ëndërrës se një populli, për të cilën luftohet dhe sot, kur mbivlera tejkalon vlerën dhe rinia proteston në rrugë për dije dhe një të ardhme të shëndetëshme. Guximin për të marrë përgjegjësinë e ndërhyrjeve të vështira, me rrezik jete, nuk mund ta sillte regjimi, por respekti i fituar tek kolegët, duart e sigurta të pacënuara nga rryshfeti dhe mjeshtëria e sprovuar hap pas hapi në theatrin kirurgjikal, si dhe dedikimi i plotë ndaj të sëmurëve, në një kohë që piramidat dhe kultet e individëve ishin ngritur kudo si kërpudhat, sa librat sekuestroheshin për t’u mos u ndarë dhe mjetet e “mësuara” jashtë, fshiheshin si të ishin sekret shtetëror, në fakt, shteti mbështetej tek këto micro-piramida njerëzore, ndërsa, ai ndau pa asnjë kufizim me gjithë studentët dhe kolegët më të rinj, mendjen, përvojën dhe mbi të gjitha shpirtin njerëzor.

Disa dallohen për mendimin depërtues klinik, për erudicionin e thellë në fushën ku hulumtojnë, disa, për nga zhdërvjellëtësia e duarve mjeshtërore e arritur me përvojë, por të rallë janë ata mjeshtra që zotërojnë majat e të dyjave, që jo vetëm vënë ne zbatimin atë që shohin por që ndërtojnë mënyra të reja trajtimi dhe mjetet që u përshtaten pikërisht këtij qëllimi, artit të lighit mjekësor.

Modest, fjalëpakë, me biçikletë mbi supe, për mbi 50 vjet, hipi dhe zbritim në katin e pestë, ku kish një apartament modest, ndërsa i dha gjithcka profesionit që ish dhe pasioni i tij më i madh. I paharruar për çfarë arriti, për çfarë dha pangurim, dhe virtytin e një njeriu tepër të ndershëm.