Dhoma Italiane e Tregtisë për Paketën Fiskale 2027
Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri (CCIA) ndjek hartimin e Paketës Fiskale 2027, me vëmendje ndaj efekteve mbi bizneset, investimet dhe marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve, sipas një deklarate zyrtare.
Parashtrimi i propozimeve kërkon një vlerësim të përgjithshëm dhe rishqyrtimin e ndërhyrjeve që sjellin kosto shtesë, duke marrë parasysh aftësinë e ekonomisë për t’i përballuar ato.
CCIA vlerëson politikat që mbështesin fuqinë blerëse dhe shërbimet publike. Kërkesa e qëndrueshme në tregun e brendshëm, një treg pune gjithëpërfshirës dhe administrata efikase, favorizojnë edhe bizneset. Këta objektiva duhet të shoqërohen me ruajtjen e kushteve të nevojshme për gjenerimin e të ardhurave, punësimin dhe investimet.
Dhoma mirëpret ruajtjen e njoftuar të normës së tatimit mbi fitimin e shoqërive në 15% dhe normën e parashikuar të TVSH-së prej 6% për produktet ushqimore bazë të përcaktuara në paketën fiskale.
Efektiviteti i masës së fundit do të varet edhe nga pasqyrimi i saj real në çmimet përfundimtare. Mbeten të rëndësishme efektet e rritjes së propozuar të tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe të TVSH-së standarde nga 20% në 21%. Masa e parë ndikon në kthimin neto nga kapitali i shpërndarë, e dyta mund të ndikojë në çmime ose në marzhet e bizneseve.
Këto ndryshime mbeten objekt i finalizimit dhe miratimit të teksteve ligjore.
Efektet do të ndryshojnë sipas sektorit, madhësisë së biznesit, aksesit në kredi dhe detyrimeve kontraktore.
Bizneset eksportuese, veprimtaritë që u shërbejnë konsumatorëve dhe operatorët me investime shumëvjeçare kanë mundësi të ndryshme përshtatjeje. Prandaj, neutraliteti fiskal i deklaruar nga Ministria e Financave për buxhetin publik nuk përshkruan, në vetvete, shpërndarjen e përfitimeve dhe kostove ndërmjet bizneseve dhe familjeve. Duhet të bëhen të disponueshme supozimet dhe analizat mbi efektet neto në konsum, investime dhe punësim, duke dalluar periudhën afatshkurtër nga ajo afatmesme.
Parashikueshmëria ka rëndësi të veçantë për ata që kanë punësuar staf, kanë lidhur kontrata ose kanë siguar financim. Ndryshimet brenda afateve të shkurtra mund të kërkojnë rishikimin e planeve të nisura, pa mundësuar përshtatjen po aq të shpejtë të të ardhurave dhe kostove. Pasiguria mund të sjellë gjithashtu më shumë kujdes dhe vonesa në vendimet për investime të reja. Për bizneset italiane që ushtrojnë tashmë veprimtari dhe për projektet në vlerësim, është thelbësore që detyrimet të kuptohen, kostot e tyre të vlerësohen dhe përmbushja të organizohet.
Duhen marrë parasysh edhe kostot e përshtatjes së faturimit, kontabilitetit dhe kontratave, si dhe ndikimi në likuiditet i afateve të pagesës dhe rikuperimit të kredive tatimore.
Thjeshtimi, udhëzimet e njëtrajtshme, asistenca për tatimpaguesit dhe rimbursimet në kohë duhet të shoqërohen me detyrime proporcionale dhe garanci të përshtatshme procedurale. Përmirësimi i administrimit të të ardhurave dhe lufta kundër evazionit meritojnë një vlerësim të shprehur qartë, edhe si alternativa ndaj rritjes së barrës tatimore.
Dhoma e konsideron të nevojshme që konsultimi i nisur të vijojë gjatë shqyrtimit të propozimeve dhe të ndikojë në përmbajtjen e tyre përfundimtare. Tekstet e përditësuara, përgjigjet ndaj vërejtjeve dhe një kalendar i qartë zbatimi do të mundësonin korrigjimin e problematikave dhe verifikimin e zbatueshmërisë së masave. Nevojiten gjithashtu dispozita kalimtare për situatat e krijuara më parë dhe afate të volitshme për përshtatjet operative, duke respektuar angazhimet e marra.
Në rolin e saj të përfaqësimit të bizneseve dhe të ndërlidhjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, CCIA mbështet një reformë që ndërthur qëndrueshmërinë e financave publike, aftësinë për të investuar dhe cilësinë e zbatimit. Ruajtja e besimit të operatorëve të biznesit do të thotë vijimësi e zhvillimit të vendit dhe marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, përfundon deklarata.