FATMIR ÇELA, LABI I VEPRIMIT TË MENÇUR ATDHETAR

(Homazh për burrin e urtë, fjalëpak e punëshumë, inxhinierin Fatmir Xhule Çela (10.04.1950–09.01.2018), në kuadrin e përvjetorit të ditëlindjes së tij; në kujtim të inxhinierit të shquar të Labërisë, që la vepra monumentale atdhetarie; në përkujtim të biznesmenit të suksesshëm, të gjindshëm për Tepelenën, Labërinë e më gjerë, që nderoi si rrallëkush të parët e moçëm të fisit të stërralltë “Çela”, që e daltoi deri në palcë atdhedashurinë, që gdhendi dhe respektoi denjësisht të rënët e kombit shqiptar, që, me vendosmërinë dhe shpirtbardhësinë e tij, ngriti monument pavdekësie në shpirtrat njerëzorë dhe, mbi të gjitha, la vepra që do t’u flasin brezave me qartësi dhe kthjelltësi).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Rrënjët kaonike që përcjellin histori për fisin “Çela”
Fshatrat që shtrihen në të gjithë hapësirën kaonike labe kanë karakteristika të veçanta, por edhe ngjashmëri në tradita, zakone, veshje, kulturë jetësore, këngë polifonike etj. Këto fshatra kanë mëkuar trimëri, urtësi, mençuri dhe atdhedashuri nëpër shekuj, si dhe kanë triumfuar e mbijetuar përmes tyre. Një nga fshatrat plot histori është edhe Gusmari, nga ku i ka rrënjët historike fisi “Çela”, fisi i inxhinierit Fatmir Xhule Çela, i cili më vonë u përhap edhe në fshatra të tjerë dhe në qytete të Shqipërisë, veçanërisht në Tiranë.
Gusmari është një nga fshatrat e Kurveleshit të Sipërm, historinë e të cilit nuk ta tregon kush, por duhet ta zbulosh përmes bijve të tij. Gusmari i Çelajve apo Çelajt e Gusmarit? Këtë dilemë e ka zgjidhur profesori i nderuar, ish-ushtaraku madhor i zbulimit, Xhemil Çelaj, i cili u shua pak kohë më parë, por la një memorial historik të dokumentuar me librin “Familja dhe fisi Çela ndër shekuj”, një referencë për të gjithë brezat e fisit “Çela”. Gusmari është i vendosur në pjesën lindore të malit të Kanatait, në lartësinë 950 m mbi nivelin e detit, dhe kufizohet me Nivicën, Golemin, Kuçin, Progonatin dhe Rexhinin. Dikur, sipas ligjvënësit popullor Idriz Sulli, Gusmari konsiderohej “lagjja e shtatë e Zhulatit”. Sot, administrativisht, është qendër administrative në varësi të Bashkisë së Tepelenës.
Po të shkojmë pak më në thellësi të viteve, gjatë periudhës 1920–1946, Gusmari ka qenë qendër e nënprefekturës së Kurveleshit, që përfshinte të pesëmbëdhjetë fshatrat. Më vonë ka qenë qendër komune. Në vitin 1946 ka qenë qendër e nënprefekturës ose e Lokalitetit, që më vonë kaloi në Kuç, ndërsa Gusmari u përfshi në Lokalitetin e Progonatit. Nga viti 1992 ka qenë qendër e Komunës së Kurveleshit të Sipërm, që përfshin edhe fshatrat Lekdush, Progonat, Rexhin dhe Nivicë. Për vetë kushtet e terrenit ku shtrihet, Gusmari ka klimë kontinentale. Dimri zakonisht është i ftohtë, ndërsa vera e nxehtë. Në pjesën perëndimore, Gusmari kufizohet nga male, ndërsa në pjesën lindore terreni zbret në humnera, të cilat krijojnë hone e shpella të vështira dhe kryesisht të pamundura për t’u përshkuar. Në drejtimin veri–jug, terreni paraqitet disi i sheshtë dhe aty shtrihet vetë fshati, si dhe tokat e tij arë e blloqet e gjera me lajthi. Hapësira e Gusmarit, thuajse njësoj si e gjithë Kurveleshit të Sipërm, është e varfër në pyje. Këtë varfëri e kushtëzojnë edhe shtresat e tokës, por pyjet janë dëmtuar edhe nga vetë njerëzit. Gjithsesi, terreni në Gusmar është i pasur me kullota verore, në të cilat gjenden edhe bimë mjekësore e aromatike, si çaji i malit, salepi, trëndelina etj. Kullotat mundësojnë mbarështimin e bagëtive të imëta, sidomos të deleve. Për shkak të kushteve të vështira të motit, bagëtitë verojnë në malet e Gusmarit, por për dimërim zbresin në vende të ngrohta. Ato shtegtojnë drejt Bregdetit, në Himarë, Lukovë, Delvinë e deri në Vlorë. Burimet ujore të Gusmarit, edhe pse krahina është ndër zonat më të lagështa në Shqipëri, për shkak të karakteristikave të terrenit dhe të çarave karstike, janë të kufizuara. Ujërat e dëborës dhe të shirave të shumta depërtojnë në thellësi të tokës, duke kufizuar ujërat sipërfaqësore. Burimet ujore të Gusmarit rrjedhin kryesisht nga shpatet e malit të Kanatait drejt lindjes, duke zbritur në Buza, për në Dërstila. Fshati i Gusmarit përbëhet nga tri mëhallë (lagje): Pargjin, Dukëgjin dhe Reçpalaj, nga të cilat lagjja “Pargjin” mendohet se është më e vjetra. Gjatë shekullit XX, popullsia e fshatit ka pësuar ulje dhe rritje, si pasojë e ngjarjeve historike që ka përjetuar. Në vitin 1914, fshati kishte 95 shtëpi dhe 571 banorë; në vitin 1927, kishte 138 banorë; në vitin 1943, kishte 75 familje; në vitet ’90, banonin 133 familje me 490 frymë; më 2001, numri i familjeve zbriti në 51, me 209 banorë, ndërsa më 2005 kishte vetëm 31 familje. Dikur, fshati ka “rrahur” emigrimin në Amerikë, Greqi, Turqi, Itali etj., por edhe brenda vendit, në Tepelenë, Fier, Vlorë, Sarandë e Tiranë. Këto të dhëna janë gdhendur në kujtesën e gusmariotëve, jo pa dhimbje, edhe pse shumë prej tyre janë larguar dhe e kanë ndërtuar jetën në Tiranë, sikurse ishte rasti i inxhinierit të mirënjohur Fatmir Çela, burrit të shquar të Labërisë, që nuk e harroi asnjëherë vatanin dhe traditat e të parëve.
Francezi që shkeli i pari tokën e Gusmarit dhe “Oxhaku i fisit Çela”!
Për herë të parë, Gusmari përmendet nga Fransua Pukëvili në vitin 1806, kur flet për udhëtimin që bëri nga Tepelena për në Himarë, duke kaluar nga Gryka e Bënçës në Gusmar, Shur i Kuçit dhe në Bregdet. Në një dokument të kësaj kohe përmendet një marrëveshje e lidhur së bashku me Kuçin dhe Kallaratin për të kundërshtuar shtypjen feudale të Ali Pashë Tepelenës. Për këtë qëllim, do t’u jepej një ndihmë prej 6500 pjastrash. Të dhënat flasin se Gusmari në lashtësi ka qenë i banuar në shpellën e Gusmos, në Rruçkullare, Vëllua dhe në Buzën e Këmbësit, për të dalë më vonë në vendin ku ndodhet sot. Banorët e Gusmarit kanë qenë deri vonë të krishterë. Dëshmi janë emërtimet e lagjeve, por edhe mbiemrat si Gjergjaj, Gjonaj, Gjokaj, Gjokmitaj, Dukaj, Gumenaj etj., si dhe toponimet e objekteve të ndryshme, si Kisha e Matës, kisha mbi shtëpinë e Behes, në afërsi të Shkallës së Plepit, që ndryshe quhet edhe Qishëra e Matës, vendi ku ndodhet sot burimi i ujit “Qishër”, Kroi i Kaurit në afërsi të Rruçkullarës etj.
Nga fundi i shek. XVII dhe fillimi i shek. XVIII, në Gusmar, sikurse në të gjithë Labërinë, u përhap besimi islam, kryesisht bektashizmi. Por të gjitha besimet fetare, përfshirë edhe besimin e krishterë, i cili u ruajt më gjatë, nuk kanë lënë gjurmë të thella te banorët e tij, të cilët nuk kanë qenë besimtarë fanatikë. Si të gjithë banorët e zonave malore, që merreshin me blegtori, ata i respektonin pak rregullat dhe ritet fetare. Dëshmi e kësaj është edhe ruajtja e disa zakoneve pagane deri në shek. XX. Por Gusmari është përmendur përherë, sa herë që vatani i ka thirrur për të mbrojtur lirinë. Detajet biografike të këtij fisi vijnë nga djemtë e “Oxhakut të Çelës”. Stërgjyshërit e Fatmir Çelës kanë qenë Musa Selman Çela (1820–1908) dhe Pajtime Zenel Gumeni Çela (1830–1915), ndërsa gjyshi i Fatmirit quhej Hetem Musa Çela (1870–1967) dhe gjyshja Salihe Asllan Xhebraj, nga Rexhini (1877–1970). Të qëmtosh në copëzat biografike të oxhakut të fisit “Çela” do të thotë të gjurmosh dokumentacionin dhe gojëdhënat, por edhe këngët që kanë ardhur deri në ditët tona për luftën, punën, epopetë, historitë, gojëdhënat dhe tregimet e të parëve. Kjo histori na çon deri në shekullin XX, kur edhe në Shqipëri erdhi epoka e shtetit, të cilën e përjetuan gjyshërit, baballarët dhe brezi ynë. Ndërkohë, Xhule Çela kishte lindur më 1898 dhe u nda nga jeta më 1992.
Bijtë e Çelës kanë kontribuar brez pas brezi si luftëtarë, ndërsa skena e historisë së shekullit XX i thirri edhe të shkruanin e të tregonin për bukuritë e krahinës, për njerëzit, mirësitë dhe trimëritë, për gjurmët e të parëve, për ecurinë e familjes në rrjedhën e kohës dhe për gjurmët e mirësisë që nuk reshtin së lëni. Fisi është pjesë e fshatit dhe fshati ka vendin e vet të nderuar, bashkë me dhjetë fshatra kurveleshas, si Gusmari, Vërmiku, Nivica, Rexhini, Progonati, Lekdushi, Golemi, Kaparieli, Picari dhe Kolonja, ku bën pjesë edhe Medari. Fakt është se Kurveleshi i Sipërm ka qenë gjithmonë në unitet vlerash me Kurveleshin e Poshtëm, me fshatrat Kuç, Bolenë, Kallarat, Fterrë dhe Çorraj, ndërsa e gjithë krahina ka një sipërfaqe prej rreth 700 km². Bijtë dhe bijat e fisit Çela i kapërcyen shpejt këto hapësira dhe ndërtuan jetën edhe përtej “sinoreve” tradicionalë të shekujve. Kështu, një nga djemtë e fisit, Fatmir Xhule Çela, mbeti një memorial mirësie për atë që realizoi me punë, mund dhe përkushtim, duke mishëruar përkushtimin njerëzor.
Njeriu inteligjent, inxhinieri që la emrin në veprat rrugore të Shqipërisë
Fatmir Xhule Çela lindi më 10 prill 1950 në fshatin Lekël të Kurveleshit, edhe pse origjinën, në rrënjët e të parëve, e kishte nga Gusmari, vendi i mençurisë dhe trimërisë labe. Ai lindi në një truall me histori dhe traditë të shquar atdhedashurie. Ka qenë inxhinier i talentuar ndërtimi, patriot i shquar dhe atdhetar deri në palcë.
Fatmiri ishte djali i Xhule Hetem Çelës dhe Hesmere Çelës, e lindur Bardhi, sipas të dhënave të dorëshkrimit familjar. Arsimimin fillimisht e mori në vitet 1957–1961, kur përfundoi shkollën fillore në fshatin Kodër, pranë Lekëlit, pasi në Lekël nuk kishte shkollë në atë periudhë. Më tej, vijoi shkollën shtatëvjeçare në Memaliaj, të cilën e përfundoi në vitet 1961–1964. Pas kësaj, në vitet 1964–1968, përfundoi arsimin e mesëm në Tepelenë, duke fituar të drejtën për të vazhduar studimet e larta. Që në rini u orientua drejt shkencave teknike dhe profesionit të inxhinierit. Si një ndër nxënësit me përparim të shkëlqyer në mësime, u përzgjodh për të kryer studimet e larta. Në fakt, ishte koha kur të përzgjidhnin për shkollë të lartë dhe nuk kishte mundësi zgjedhjeje. Por Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ishte zgjedhja e duhur për inxhinierin e ardhshëm Fatmir Çela. Në shtator të vitit 1968, Fatmir Çela filloi studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Ishte student serioz dhe elitar në universitet. Studimet i përfundoi më 30 qershor 1973 dhe, me vendim të Komisionit Shtetëror, iu dha diploma me titullin profesional: “Inxhinier ndërtimi”.
Në nëntor 1973 filloi punën si inxhinier në sektorin e ndërtimit të rrugëve dhe urave, por pas dy muajsh, më 31 dhjetor 1973, u transferua në ndërmarrjen e rrugëve dhe urave që mbulonte zonën Tepelenë–Përmet, ku vijoi punën deri në vitin 1975 dhe fitoi përvojë në organizimin e kantiereve dhe drejtimin teknik të punimeve. Më tej, nga janari 1975 deri më 31 mars 1978, punoi në sektorin e rrugëve dhe urave në Përmet, ku nga kryeinxhinier u emërua drejtor i ndërmarrjes së asfaltimit. Për inxhinierin e talentuar u çel rruga për të punuar në ndërmarrjen e rrugëve dhe urave në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe u angazhua në realizimin e projekteve të infrastrukturës dhe në detyra me përgjegjësi teknike. Inxhinier Fatmir Çela vijoi veprimtarinë profesionale në ndërmarrjet e ndërtimit, duke kaluar gradualisht nga detyrat inxhinierike në pozicione drejtuese. Më 16 maj 1981 u emërua kryeinxhinier dhe, më 2 gusht 1986, për kontributin e dhënë në punë, u dekorua me Urdhrin e Punës të Klasit të II-të. Më 16 nëntor 1986 u emërua drejtor i Ndërmarrjes Kombëtare të Ndërtimit të Rrugëve dhe Urave në Tiranë. Një vit pas emërimit si drejtor, në vitin 1987, pati gjithashtu një vlerësim tjetër shtetëror për punën e mirë organizuese dhe drejtuese. Në funksionin e drejtorit vijoi deri në fund të vitit 1988. Edhe tranzicioni shqiptar dhe ndryshimet ekonomike e politike të fillimit të viteve 1990 e gjetën inxhinier Fatmirin në krye të punëve, me plot përkushtim. Ndërkohë që vendi po hapej me botën, një pjesë e formimit të tij profesional lidhet me Austrinë, ku Fatmir Çela ndoqi specializime në Vjenë, pranë kompanisë “Teerag-Asdag”, në fushën e ndërtimit të rrugëve. Ky bashkëpunim kishte filluar që në vitin 1981. Vlen të përmendet bashkëpunimi i tij profesional me kompaninë austriake, i cili përbënte një përvojë që plotësoi njohuritë e tij në teknologjitë dhe praktikat e ndërtimit të infrastrukturës rrugore.
Sikurse dokumentohet edhe në “Enciklopedinë e Kurveleshit”, inxhinier Fatmir Çela, gjatë viteve 1973–1991, punoi si inxhinier, kryeinxhinier dhe më pas drejtor në Ndërmarrjen Kombëtare Rruga-Ura në Tiranë.
Familja, kjo qelizë solide që krijoi inxhinier Fatmir Çela. Ai ishte inxhinier në punë dhe inxhinier në jetë!
Rrënjët familjare, respekti për të parët dhe dashuria për vendlindjen zinin një vend të rëndësishëm në veprimtarinë patriotike dhe kulturore të ing. Fatmir Çelës, por dashuria për familjen, bashkëshorten dhe fëmijët ishte kryepuna dhe kryevepra e jetës së tij. Kështu, Fatmiri, si profesionist në karrierën e tij, me mençuri krijoi edhe familjen. Në vitin 1980, ai u njoh me doktoreshë Irenën, me të cilën nisi një marrëdhënie të sinqertë dashurie. Martesa e tyre u zhvillua më 28 dhe 29 nëntor 1981, në dy data historike për vendin dhe për familjen e tij. Bashkëshortja e tij, Irena Ziko Çela, kishte ndjekur studimet e larta për Mjekësi gjatë viteve 1978–1983 dhe martesa e tyre u zhvillua në një periudhë kur ing. Fatmiri po konsolidonte karrierën si inxhinier dhe drejtues në sektorin e ndërtimit.
Ai ndërtoi mjaft rrugë e ura, por, me mençuri, bashkë me bashkëshorten, ndërtoi edhe familjen e tij dhe iu përkushtua rritjes, edukimit dhe arsimimit të fëmijëve. Krijoi një trashëgimi familjare plot dinjitet, ku nga martesa me Irenën lindën dy fëmijë: Juela Fatmir Çela, e cila erdhi në jetë si një diell që ndriçoi shtëpinë e tyre më 25.03.1982, në Tiranë. Ndërsa, pas dy vitesh, më 3 dhjetor 1983, erdhi në jetë Arens Fatmir Çela, i cili e kompletoi shtëpinë e tyre të re. Vajza dhe djali ishin dhe janë të dy këmbëmbarë dhe trashëgimtarë seriozë të gjithçkaje krijuan në jetë babai dhe nëna e tyre. Juela ndoqi arsimin dhe më pas studimet në fushën e psikologjisë, duke u formuar profesionalisht në psikologji klinike dhe psikoterapi. Ndërsa djali, Arensi, ndoqi studimet në Shqipëri dhe më pas në Francë, duke zhvilluar veprimtari profesionale dhe sipërmarrëse. Për Fatmir Çelën, edukimi i fëmijëve dhe ruajtja e vlerave familjare përbënin pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Në familje, ai ruante lidhje të forta me të afërmit dhe tregonte interes të vazhdueshëm për historinë dhe prejardhjen e fisit.
Një sipërmarrës i spikatur i komunitetit lab në Tiranë
Bashkëkohësit e tij, por edhe mjaft nga komuniteti lab e më gjerë, flasin për inxhinier Fatmir Çelën me dashuri, për veprat që ka projektuar, ka udhëhequr dhe ka zbatuar, edhe pse ai i kishte llafet e pakta dhe punët e shumta. Mendonte, logjikonte dhe arsyetonte bindshëm. Shokët më të ngushtë të tij ishin puna, përkushtimi dhe produktiviteti. Fjalët ishin të tepërta për të. Fjala, fjalë dhe puna, punë. Kështu, fillimet e sipërmarrjes private i përkasin vitit të parë të tranzicionit shqiptar, më 1991. Pas vitit 1991, në kushtet e ndryshimeve të mëdha politike dhe ekonomike në Shqipëri, Fatmir Çela u orientua drejt sektorit privat. Ai zhvilloi veprimtari në tregti, ndërtim, investime dhe bashkëpunime me partnerë të huaj. Përvoja e gjatë si inxhinier dhe drejtues i shërbeu për organizimin e aktiviteteve ekonomike dhe administrimin e sipërmarrjeve. Aktiviteti i tij tregtar ishte i larmishëm dhe i spikatur. Veprimtaria e tij u zgjerua gradualisht, duke përfshirë sektorin e ndërtimit dhe më pas edhe hotelerinë.
Në vitin 2000, Fatmir Çela nisi një projekt të rëndësishëm në sektorin e ndërtimit dhe hotelerisë. Ai ndërmori investimin për ndërtimin e objektit “Areela” në Tiranë, ku në vitin 2003 përfundoi ndërtimi i hotelit, i cili përfaqësonte një etapë të re në veprimtarinë e tij sipërmarrëse. Ky projekt pasqyronte kalimin e tij nga përvoja në ndërmarrjet shtetërore drejt investimeve private në sektorin e shërbimeve.
Fatmir Çela njihej për mbështetjen e tij ndaj nismave me interes publik, veçanërisht në Tepelenë dhe në krahinën e Kurveleshit. Filantropia dhe përkushtimi ndaj komunitetit ishin të dukshme. Kontributi i tij shtrihej përtej veprimtarisë profesionale dhe sipërmarrëse, duke përfshirë mbështetjen financiare dhe organizative të projekteve me karakter shoqëror, historik dhe kulturor. Ai u angazhua në ruajtjen e historisë së vendlindjes dhe në përjetësimin e personaliteteve që kishin kontribuar në lirinë, pavarësinë dhe identitetin kombëtar.
Fatmir Çela njihet për krijimtarinë, patriotizmin dhe bujarinë e tij, si dhe si nip i Sali Nivicës, “Nderit të Kombit”. Inxhinieri i talentuar dhe pasionant, i mbushur me ëndrra, Fatmir Çela ishte labi që ideoi, realizoi dhe financoi ngritjen e monumentit madhështor të Heroit të Popullit dhe Dëshmorit të Atdheut, Sali Nivicës, në qendër të qytetit të Tepelenës, më 16.04.2011. Ishte dëshira e tij jetësore për këtë vepër. Ai u përkujdes për të deri në detaje. Ishte një vepër që e mbushte me frymëzim. Gjithashtu, pak muaj më pas, në nëntor 2011, ai realizoi edhe ngritjen e busteve të Sali Nivicës dhe Shuko Dalipit, si dhe të përmendores së dëshmorëve të fshatit Rexhin të Kurveleshit.
Ai e dinte mirë atë që thoshte Borges: “Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë”. Me “arkivin e tij lëvizës”, nxitoi që, i frymëzuar nga dashuria për veprën patriotike të dajës së tij, Sali Nivicës, në prill të vitit 2011, të publikonte gjithashtu librin Sali Nivica – Një jetë për kombin, një kontribut të shquar për pasurimin e memoristikës shqiptare për një nga kolosët e kombit. Ky ishte një bashkëpunim me historianin Prof. Dr. Gazmend Shpuzën. Në kopertinë shënohen autorët: Prof. Dr. Gazmend Shpuza dhe ing. Fatmir Çela.
Fatmir Çela ishte një inxhinier i spikatur, që dinte të komunikonte dhe të “lëshonte hije” përtej vetvetes. Me guximin intelektual dhe iniciativën e tij, i jepte vlerë dhe frymëzim ditëve të jetës. Ishte serioz në punë, por mbartte edhe sens humori. Fatmir Çela çdo ëndërr dhe vizion e kthente në realitet, sepse pasioni për të qenë i përpiktë dhe ambicia për të qenë realizues flasin qartë për atë që ishte në të vërtetë. E jetonte natyrshëm jetën, pa e ditur se ajo do të ishte e shkurtër për të, por ai jetonte gjithmonë përmes punës dhe angazhimit maksimal. Në qetësinë e tij fshihej një energji e pashtershme dhe, sikurse thonë në Labëri, “i hanin duart për punë”. Më 22 maj 2010, në varrezat e Sharrës në Tiranë, u organizua një ceremoni përkujtimore e familjes Çela. Atje, ing. Fatmir Çela ngriti të parin memorial për të parët e fisit “Çela”, duke nderuar kujtimin e gjyshërve dhe të paraardhësve të tij. Ai e titulloi “Memoriali i Rrënjëve të të Parëve”. Ky memorial ka sjellë njëherazi edhe gjenealogjinë historike që prej vitit 1660, si dhe stemën e fisit të të parëve të Çelajve, me referencë Gusmarin e Kurveleshit. Ai përbën një model edhe për të gjithë brezat, pse jo, edhe një model kulture dhe tradite të re, duke respektuar dhe bërë homazh për brezat paraardhës.
Ai punoi rreth 40 vjet në fushën e inxhinierisë, me ide të qarta, me fisnikëri dhe me plot ide për të ardhmen. I kujdesshëm deri në detaje, kërkonte shumë nga vetja dhe kërkonte që të tjerët ta ndiqnin në rrugën e tij. Çdo punë e bënte me pasion dhe këmbëngulje. Kërkonte realizimin e ideve që kishte në mendje, por, mbi të gjitha, dëshironte të bënte gjëra të pavdekshme. Ishte modest deri në fund të jetës së tij. Nuk kërkonte kurrë që ta nderonin dhe respektonin me tituj e dekorata, edhe pse i meritonte prej kohësh nderimet dhe mirënjohjen. Veprat e tij flasin më shumë se mijëra fjalë. Mjafton të hedhësh një sy mbi veprat e tij dhe kupton se “Memoriali i Rrënjëve” çeli siparin e veprave monumentale të pavdekshme për traditën labe. Prandaj, njeriu i mirë, inxhinieri Fatmir Çela, do të nderohet dhe respektohet gjithmonë për modelin e njeriut të mençur dhe frymëzues.
Gjurmë historie dje dhe sot – Pa të shkuarën nuk ka të ardhme
Gjurmët luftarake dhe ato të atdhetarisë mëkuan brez pas brezi djemtë dhe vajzat e fshatit Gusmar. Edhe pse jo e dokumentuar mirë, historia luftarake dhe atdhetare e fshatrave të Kurveleshit dhe Labërisë shtrihet në thellësi të shekujve. Ajo fillon me udhëheqjen e Gjergj Arianit Komnenit, në vitet 1431–1435, kur osmanët pësuan humbjet e para në grykat dhe honet e thella malore të Labërisë; vijon me luftën përkrah forcave të Skënderbeut në të gjitha luftërat antiosmane, veçanërisht në përballjet e vitit 1492, kur u fituan edhe të drejtat vetëqeverisëse, apo Venomet; me përballjet e viteve 1700–1705, 1715 dhe 1729; me mbështetjen për Ali Pashë Tepelenën; me kryengritjet e viteve 1825–1830, nën drejtimin e Asllan Kuçës dhe Veliko Jaçes; me atë të viteve 1833–1835 në Kurvelesh; më 1847, kur shpërtheu kryengritja fshatare e Shqipërisë së Jugut, e udhëhequr nga Zenel Gjoleka, Hodo Aliu dhe Hoxhë Rexhini; me luftërat për mbrojtjen e viseve shqiptare në Vilajetin e Janinës, në vitet 1852–1854, në zonën e Mecovës dhe të Prevezës, me në krye Mahmut bej Vlorën, Hasan Çakon etj.; me veprimet luftarake të Fushëbardhasve dhe të krejt Labërisë për zbrapsjen e sulmeve greke, të zbarkuara nga ishulli i Korfuzit, në atë që quhet “Lufta e Lëkursit”, në shkurt të vitit 1878; me pjesëmarrjen në luftën për Janinën më 1878 dhe në luftën e tretë për tokat shqiptare të Janinës më 1897.
Viti 1908 shënon kohën kur Gusmari përzuri taksidarët dhe kosharet osmanë. Por çetat atdhetare të fshatrave u masivizuan gjatë kryengritjes së vitit 1911, pas fillimit të saj në Progonat, më 17 qershor, kur u dha sinjali i kryengritjes: “Mushkës iu var zilja”. Çetat e Gusmarit, Progonatit, Rexhinit, Nivicës, Vërmikut dhe Lekdushit sulmuan dhe pushtuan sarajin osman në Progonat, si dhe ngritën flamurin kombëtar shqiptar. Nga Gusmari morën pjesë në Kuvendin Ndërkrahinor në Manastirin e Cepos, më 21 korrik 1911. Aty morën pjesë përfaqësues nga krahinat e Kurveleshit, Gjirokastrës, Vlorës, Delvinës, Çamërisë, Përmetit dhe Mallakastrës, ku u miratua një memorandum me 12 pika për Sulltanin, si dhe për përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha. Për shtypjen e kryengritjes, Porta e Lartë nisi 8000 trupa, por ato u zbrapsën nga zjarri i kryengritësve labë. Përfaqësuesit e saj, Fejzi bej Alizoti dhe Abdyl Ypi, në fund të muajit shtator 1911, njoftuan Komitetin e dalë nga Kuvendi se “pranonin kërkesat dhe u jepnin falje kryengritësve”.
Gusmari dhe gjithë Labëria mbështetën shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe vunë në dispozicion të qeverisë së tij edhe forca nga Kurveleshi. Gjithashtu, dërguan forca edhe në Janinë, në Pesë Puset, në Bezhan e gjetkë, për mbrojtjen e qytetit nga sulmi i ushtrisë greke, ku lebërit treguan trimëri të rrallë dhe shumë prej tyre dhanë jetën në mbrojtje të truallit arbëror, në luftë me andartët grekë, gjatë viteve 1912–1914.
Çetat labe, në nëntor–dhjetor 1912, luftuan në Sarandë, Himarë dhe Pilur. Në muajt prill–korrik 1914 luftuan në rajonin e Fushëbardhës, Zhulatit, Kolonjës së Kurveleshit dhe në Grykën e Borshit. Më 14–15 korrik 1914 u zhvilluan luftimet e fundit në Kallarat dhe në Lajthizë të Gusmarit.
Qeveria e Princ Vidit, e cila kishte përfaqësuesit e saj në jug të vendit, duke u gjendur mes dy zjarresh (sulmit të forcave andarte greke në Jug dhe forcave rebele të Esat Pashë Toptanit në Shqipërinë e Mesme), e në pamundësi për të ndihmuar forcat kryengritëse kundër andartëve grekë, u bëri thirrje kurveleshasve: “… Nëse doni të bëhet Shqipëria, tërhiquni për në Vlorë”.
Paria e fshatrave labe vendosi të bëjë shpërnguljen e popullsisë dhe tërheqjen me luftime të çetave nga zona e Skërficës në Fushëbardhë, drejt Kolonjës, Golemit, për në Kurvelesh dhe në Lumin e Vlorës, duke siguruar kështu shpërnguljen e popullsisë përpara se të mbërrinin forcat andarte greke. Për më shumë se dy-tre vjet, popullsia e të gjithë fshatrave të Kurveleshit u end si muhaxhirë në Vlorë dhe në rrethinat e saj. Kur u kthyen, çdo gjë e gjetën të djegur dhe të grabitur. Epope trimërie, bese dhe qëndrese shkruan gusmarjotët, sikurse të gjithë fshatrat e Kurveleshit dhe mbarë Labëria, në Luftën e Vlorës më 1920 dhe më tej, veçanërisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u kthyer në një nga bazat më të fuqishme dhe më të hershme të saj, si dhe në një nga zonat e para të çliruara në shkallë vendi.
Gusmari dhe mbarë Kurveleshi nxorën mbi 2000 luftëtarë të lirisë, të cilët u rreshtuan në formacionet partizane, ndërsa 325 prej tyre ranë në fushën e betejës si dëshmorë të Atdheut. Kurveleshi, sikurse vë në dukje studiuesi amerikan E. Fisher, në vitin 1944 ishte krahina më e dëmtuar, më e djegur dhe më e shkatërruar ekonomikisht nga operacionet fashiste gjermane në gjithë vendin. Gjatë LANÇ-it, gusmarjotët u ngritën në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Këshilli Nacionalçlirimtar u ngrit në shkurt 1942, në shtëpinë e Felek Çelit, me kryetar Fuat Iljazin dhe sekretar Ajaz Goron. Në Majën e Malit të Shakës, shumë pranë Gusmarit, u krijua Çeta e Parë Partizane e Kurveleshit (1 prill 1942), e dyta në shkallë vendi. Krahas 48 luftëtarëve që rreshtoi në radhët e formacioneve partizane të UNÇSH-së, Gusmari pati edhe 58 pjesëmarrës në çetën vullnetare territoriale të fshatit, të krijuar në dhjetor 1942. Ago Çela ishte një nga organizatorët e qëndresës së armatosur në shkallë krahine e qarku, komisar batalioni partizan dhe delegat në Kongresin ANÇ të Përmetit, më 24.05.1944, ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ të Shqipërisë. Fuat Iljazi ishte invalid i LANÇ-it, komandant çete dhe komandant i batalionit territorial për Kurveleshin e Sipërm. Mehmet Gjoni dhe Isa Bardhi, i pari komandant e komisar i Komandës së Vendit dhe i dyti edhe kryetar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar të Kurveleshit, ishin gjithashtu figura të rëndësishme të kësaj lufte. Liri Duka ishte delegate në Kongresin e Rinisë ANÇ, ndërsa Ruzanë Mata dhe Lejla Horieti ishin delegate në Konferencën e Grave Antifashiste të Qarkut të Gjirokastrës. Të gjitha këto të dhëna i kemi nga i apasionuari pas artit ushtarak dhe historisë, profesor Xhemil Çela. Nuk mjafton një shkrim për Fatmir Çelën për të rrokur zhvillimet e një fshati të tërë që nga viti 1945, kur në Gusmar u hap shkolla fillore dhe më pas edhe kopshti i fëmijëve, qendra shëndetësore, baxhoja, muzeu i fshatit dhe grupet folklorike etj. Duhet përmendur edhe viti 1968, kur fshati u lidh me sistemin energjetik; hapja e minierës së fosforiteve të Gusmarit; lidhja e fshatit me një rrugë të re automobilistike; ndërtimi i rezervuarit të madh për vaditjen e tokave bujqësore; si dhe ndryshimet e viteve ’70, kur edhe në arat e Gusmarit u futën traktori dhe autokombajna e parë. U ngrit vendkomanda rezervë për kohë lufte e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe magazina të rezervave të shtetit. Ishin vite kur në familjet labe u futën tavolinat, karriget, krevatet, çarçafët dhe jorganët për fjetje, duke kapërcyer mënyrën tradicionale të jetesës; kur hynë radioja, televizorët dhe frigoriferët; kur shumë djem dhe vajza gusmariote vijuan shkolla të mesme profesionale në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe kur studimet e larta në institute, universitete, akademi ushtarake dhe policore e bënë vendin e të parëve edhe më të vlerësuar, duke rrezatuar vlerat e tij gjerësisht në të gjithë vendin. Fisi Çela ishte për Fatmirin gjaku i tij i kudondodhur, trungu i të parëve, dashuria njerëzore e pashuar, historia dhe tradita e një oxhaku të madh që rridhte nga Gusmari. Ishte detyrimi ndaj brezave të ardhshëm. Prandaj, edhe përkushtimi i tij kishte rrënjë të thella, të cilat e bënin të veçantë dhe të spikatur për vlerat njerëzore.
Trimëritë dhe mençuritë në Labëri mbeten në këngë
Zakonisht populli nuk firmos e vulos, por dekreton me plebishit dhe dekretimet kanë vlerë legjislative për të gjitha motet, sepse populli i fut në memorien e tij bijtë që ndriçojnë në luftë, në punë, në veprimtari, në bamirësi, në udhëheqje të vërtetë, në veprimtari me vlerë etj.
Dikur nuk kishte “kalemxhinj” dhe Shqipëria e shqiptarët e kanë vuajtur dhe e vuajnë mungesën e të dhënave historike të dokumentuara, sikurse mund të ketë shumë vende, popuj e shtete të cilëve u ka buzëqeshur fati në këtë drejtim. Por në Labëri, në mungesë të “kalemxhinjve”, kishte rapsodë që këngën e gdhendnin fuqishëm në trashëgiminë gojore të popullit. Kjo metodë ka ardhur deri në ditët tona, edhe pse sot është lehtësisht e gjetshme dhe e ritransmetueshme, falë teknologjisë. Inxhinieri Fatmir Çela u shua para kohe mw 9 janarin e vitit 2018, por dokumentarët, veprat qw krijoi dhe këngët, familja, shokwt e miqtw, mbarw shoqwria nuk e lënë të “vdesë”, sepse ai jeton në këngë, në kujtesën e njerëzve që e nderojnë dhe e respektojnë, sepse punën nuk e maste me atë që mbillte, por me atë që korrte. Fjalwt i kishte me kursim, por punwn e kishte pa limite, me mendim e argumentim tw thellw profesional. Fatmir Çela bën pjesë ndër njerëzit e mençur të Labërisë, që shikonin më thellë dhe më larg. Ai ishte dhe mbeti gjithmonë një “shkëndijë”, një xixëllonjë ndriçuese, sepse jo më kot lebërit thonë: “Një shkëndijë ndez një mal”. Dhe ai kishte ndezur malin e mirësisë dhe të veprimit të mençur. Prandaj edhe mbeti në këngë: “Fatmir Çela zemërbardhë”/: “O Fatmir Çela o djalë,/Biznezmen o yll i rrallë,/Inxhinier vite me radhë,/Orgjina jote –Gusmarë./O Fatmir fisi kodrinë,/Nga malet me vetëtimë,/Nga malet me nishanë,/Një Novruzë e dy Bajramë./ Nga zemra jote si malë,/U gëdhënd Sali Nivica,/U ngrit lartë si Kunjova,/Në sofrën ku ngrihet kënga./Pasurisë i vure ëmër,/E mbajte portën në zëmër,/Dhe djali do ta vazhdojë,/Ku ka rrjedhur do pikojë./Fatmir Çela zëmërbardhë,/I ndihmon njerëzit me radhë,/Ju uron jetë të mbarë,/Atyre që kanë shumë hallë./O Fatmir djali o lule,/Ndaj dhe sot ne jemi mbledhur,/O Fatmir zemër si borë,/Njëqind vite të urojmë”.
Ndërsa kënga tjetër që është kënduar gjithashtu nga mjeshtri i këngës polifonike Nazif Çela, mjeshtri i talentuar Hyso Xhaferi dhe grupi polifonik për Fatmir Çelën titullohet “Yll mbi yje” dhe ka këtë përmbajtje: “Në Gusmar të lindi nëna,/ Në Kurveleshin me derte,/ Në ato trojet e ëmbla,/Ku ka lule mjaltë të blete./Ref:”O lastar i nënës,/O gjerdan i artë,/Shpirt e gjak i zemrës,/More mal i lartë,/More duf i këngës,/Ike atë natë,/O Fatmir i nënës,/O lulja me mjaltë../.Atje lindin djem si drëra,/Ato male ato sheshe,/Xhan o xhan që ta ka ënda,/Ta kesh atë vend për vete./ Fatmir Çela, Fatmir zëmra,/ O i miri i kësaj jete,/ O djali fisnik nga rrënja,/ Fatmiri me amanete,/ Ti ngele në zemrat tona,/ Vdekja të mori me vete,/Djalë o djalë që kish bërë nëna,/ Në kujtesë të jetës mbete,/ Ti ishte njeri me bëma,/ Bëre gjithë ato përpjekje,/ Ngrite buste të ergjënta,/ Që kanë ngelur monumente./ Irena jote si hëna,/ Shoqe e jetës gjer në vdekje,/ Djali, vajza mbetën kënga,/ Simboli i një andrese”. Këngë të tilla, margaritarë të folklorit, i shkojnë për shtat vetëm këngës labe dhe njerëzve me vlera të rralla njerëzore.
Personalitet me vlera të shquara për Qarkun e Gjirokastrës, për Labërinë e më gjerë
Në rrugën e gjatë të mirësisë dhe përkushtimit, ing. Fatmir Xhule Çela është vlerësuar vetëm një herë, më 4 mars 2011, nga Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës, i cili, me Vendimin nr. 12, i akordoi titullin e nderit “Nderi i Qarkut të Gjirokastrës”, me motivacionin zyrtar: “Për kontributin dhe ndihmesën e dhënë në shërbim të komunitetit të qytetit të Tepelenës”. Ky titull ishte një njohje institucionale e kontributit të tij ndaj komunitetit.
Ndërkohë, në prag të përvjetorit të lindjes, Shoqata Kulturore-Atdhetare “Labëria” “Nderi i Kombit”, me propozim të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, dega Tiranë, pritet t’i akordojë Fatmir Xhule Çelës (pas vdekjes) titullin e lartë “Personalitet i shquar i Labërisë”, me motivacionin:
“Për kontributin e shquar në ndërtimin e veprave inxhinierike rrugore në shërbim të Atdheut; në fushën e krijimtarisë publicistike; për mbështetjen e vijueshme të trevës së Tepelenës dhe Labërisë; për angazhimin serioz, me individualitet të spikatur, në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të pazëvendësueshme të komunitetit lab; për mbështetjen e veprimtarive që synojnë ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore të kësaj treve, si ngritja e përmendores së Sali Nivicës në Tepelenë, e përmendores së Shuko Dalipit dhe e lapidarit të Dëshmorëve në Nivicë; si dhe për pjesëmarrjen aktive dhe kontributin e çmuar në veprimtaritë e Labërisë dhe në jetën intelektuale të kryeqytetit”.
Me nismën e familjarëve të tij, për inxhinierin e talentuar Fatmir Çela është përgatitur dokumentari promovues “Fatmir Çela”, nga Rezarta Reçi. Gjithashtu, janë kënduar dy këngë nga mjeshtri i polifonisë labe, Nazif Çela, dhe grupi lab. E megjithatë, urtësia dhe mençuria e tij, mbi të gjitha vlerat që solli në jetë, si dhe dora e mirësisë së gjithanshme dhe e veprave produktive, janë padyshim një vijimësi e vlerave të fisit të tij. Ai ka lënë gjithashtu një familje të konsoliduar, që ecën e sigurt në gjurmët e tij: bashkëshorten e tij të nderuar dhe dy fëmijë mjaft të suksesshëm në jetë.
Ai ishte dhe mbetet përjetë një personalitet me vlera të larta njerëzore. Në kujtimet e familjarëve dhe në materialet përkujtimore, Fatmir Çela paraqitet si një njeri punëtor, këmbëngulës, i lidhur me familjen dhe i përkushtuar ndaj komunitetit. Karriera e tij profesionale, angazhimi sipërmarrës dhe nismat patriotike dëshmojnë një jetë të ndërtuar rreth përgjegjësisë, veprimit dhe respektit për historinë. Një vend të rëndësishëm në trashëgiminë e tij zënë edhe kujtimet e të afërmve. Ndërkohë, në dorëshkrimet familjare ruhet një strofë e shkruar nga kushëriri i tij, kushtuar Fatmirit, ku ai përshkruhet me fjalët: “Si ujë i kthjellët…”. Kjo shprehje është mjaft domethënëse dhe përcjell respektin e dashurinë me të cilat ai kujtohet nga familjarët. Trashëgimia e tij përfshin familjen që la pas dhe që vijon, e me siguri do të vijojë edhe në të ardhmen, si dhe idetë, vizionin dhe veprimtarinë profesionale, ekonomike, shoqërore e patriotike, si një amanet që nuk e tret as dheu.
Fakt është se, që nga ëndrrat e fëmijërisë së tij në Lekël e deri te studimet universitare në Tiranë, nga projektet e ndërtimit të rrugëve dhe urave te drejtimi i ndërmarrjeve, nga sipërmarrja private deri te mbështetja e veprave historike dhe memorialeve, Fatmir Çela kontribuoi në zhvillimin e vendit dhe në ruajtjen e kujtesës kombëtare. Në jetën e përditshme familjare, ai ishte bashkëshorti i Irenës dhe babai i Juelës dhe Arensit. Në jetën profesionale ishte një inxhinier i talentuar dhe drejtues me përvojë; në jetën shoqërore, një sipërmarrës dhe mbështetës i komunitetit; ndërsa në veprimtarinë patriotike, një njeri që i kushtoi kohë, përpjekje dhe burime përjetësimit të historisë dhe të figurave të shquara kombëtare.
Trashëgimia e tij është solide dhe përfshin jo vetëm veprat e realizuara, por edhe respektin për familjen, prejardhjen, historinë dhe Atdheun. Fatmir Çela ishte dhe mbeti labi i mençur që gjatë gjithë jetës bashkoi punën me përgjegjësinë, familjen me dashurinë dhe patriotizmin me veprat konkrete e veprimin atdhetar.
*
Burimet e studimit: Arkivi familjar i Fatmir Xhule Çelës; dorëshkrimet biografike të Irena Çelës; Diploma e Universitetit të Tiranës, e datës 30.06.1973; Dekreti nr. 7056, datë 02.08.1986; Vendimi nr. 12 i Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, datë 04.03.2011; botimi “Një jetë për kombin”; fjalime, programe dhe dokumente të ceremonive përkujtimore, 2010–2011; Nasip Meçaj, Xhemil Çelaj, Fatmir Toçi, Enciklopedia e Kurveleshit” (vepër referuese dhe historike kushtuar krahinës së Kurveleshit), Shtëpia Botuese: Toena (Tiranë), Viti 2009, etj.
-&-