Albspirit

Media/News/Publishing

FAIK VELIKAJ, BIRI I KRAHËSIT QË RA NGA PLUMBAT E NAZISTËVE GJERMANË DHE BASHKËPUNËTORËT E TYRE

(Në përkujtim të përvjetorit të ekzekutimit të 15 vjeçarit Faik Qamil Velikaj (05.03.1928-27.11.1943) të lindur në Krahës të Sipërm dhe i rënë në Zhulaj të Krahësit duke ngelur për mbi tetë dekada i pavlerësuar, duke u renditur si “viktimë” e luftës, ndërkohë që ligji nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, ku në nenin 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”, parashikon në pikën “d” të ligjit shpalljen me titullin “Dëshmor i Atdheut”).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

FAIK VELIKAJ, BIRI I NJË FAMILJEJE ME TRADITË ATDHETARE

Në rrënjët e Atdheut, në historikët e cdo fshati gjenden të vërteta të fshehura, por që jetojnë në histornë e fshatrave e qyteteve. Të vërtetat historike nuk mund të çbëhen dhe nuk mund të fshihen. Kështu edhe e vërteta historike e djaloshin Faik Qamil Velikaj nuk fillon në nëntorin e vitit 1943, kur një breshëri plumbash i ndërpreu jetën në moshën vetëm 15-vjeçare. Ajo nis shumë më herët, në gjirin e një familjeje me tradita të larta dhe të spikatura atdhetare, në Krahës të Sipërm të Memaliajt dhe Tepelenës bashkë, aty ku dashuria për vendin, qëndresa dhe përkushtimi ndaj lirisë ishin pjesë e trashëgimisë familjare.

Faik Qamil Velikaj lindi më 5 mars 1928, në Krahës të Sipërm dhe ishte biri i Qamil Selim Zykës, i njohur edhe si Qamil Velikaj, dhe i Zenes, nga oxhaku “Dino” e Drizarit të Mallakastrës. Në këtë familje u rritën katër fëmijë: Xhelo, Faiku, Biko dhe Këze. Por mbi të gjitha, Faiku u rrit në një mjedis ku historia dhe tradita e familjes ishte e lidhur ngushtë me historinë e përpjekjeve shqiptare për liri dhe pavarësi. Babai i tij, Qamil Selim Zyka Velikaj (1859–1946), i përkiste brezit të patriotëve që nuk e kufizuan atdhetarinë vetëm në fjalë. Në fillim të shekullit XX u përfshi në lëvizjen kombëtare, mori pjesë në kryengritjet antiturke të viteve 1911–1912 dhe në Luftën e Vlorës të vitit 1920 kundër pushtuesve italianë. Në vitin 1924 mbështeti qeverinë e Fan Stilian Nolit, duke marrë pjesë edhe në luftimet kundër forcave zogiste në zonën e Shqipërisë së Mesme në trevën e Lushnjës.

Kjo ishte trashëgimia që mori Faiku fare i ri, një trashëgimi që nuk përbëhej nga pasuria materiale, por nga bindja se atdheu dhe liria kishin një vlerë më të madhe se interesat vetjake. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Qamili u angazhua në mbështetje të plotë të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit. Shtëpia e tij u kthye në një pikë strehimi për luftëtarët antifashistë. Për gjashtë muaj aty u strehua edhe Baba Fejzua, krahas partizanëve të tjerë që gjetën mbështetje dhe siguri në këtë familje atdhetare. Edhe pjesëtarët e tjerë të vatrës familjare Velikaj u përfshinë në lëvizjen antifashiste. Angazhimi nuk ishte vetëm individual. Ai përfshinte familjen, fisin dhe një pjesë të konsiderueshme të banorëve të Krahësit, të cilët vunë në dispozicion të luftës gjithçka kishin. Krahësi i Tepelenës u bë një nga bazat e rëndësishme të mbështetjes së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në këtë zonë. Banorët ndihmuan luftëtarët, strehuan partizanë, siguruan ushqime dhe veshmbathje dhe morën pjesë në veprimtarinë e rezistencës kundër pushtuesve. Në këtë mjedis u formua edhe ndërgjegjja e Faik Velikaj, djalit me idealet e lirisë së Atdheut. Ai ishte vetëm një djalë i ri, por vinte nga një familje ku qëndresa antifashiste ishte bërë pjesë e jetës së përditshme. Historia e tij është, në radhë të parë, historia e një djali që trashëgoi nga të parët dashurinë për vendin dhe që, në rrethanat e vështira të luftës, u gjend përballë një tragjedie që lufta dhe përgjakja shqiptare i kishte të shumta.

*

15-VJEÇARI ANTIFASHIST NË SHËRBIM TË LIRISË DHE TRAGJEDIA E ZHULAJT

Në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Faik Qamil Velikaj, ndonëse ende në moshë të mitur, u përfshi në veprimtarinë mbështetëse të lëvizjes antifashiste me bindje të plotë.

Ai nuk ishte një luftëtar i rritur, as një luftëtar i armatosur në formacionet partizane, ishte vetëm një djalë 15 vjeçar, të cilit rrethanat historike i kishin caktuar një rol në mbështetje të luftës për çlirimin e vendit, sikurse gjithë bashkëmoshatarëve të tij. Faiku kryente shërbime në fshat dhe në krahinë si korrier, përcillte njoftime, ndihmonte në transportimin e materialeve të nevojshme për luftëtarët partizanë antifashistë. Në këtë veprimtari përfshiheshin ushqimet, veshmbathjet dhe materiale të tjera që siguroheshin nga një krahinë në tjetrën. Faktikisht ishte një angazhim i rrezikshëm për moshën e tij, por në një kohë kur lufta kishte përfshirë edhe fshatrat më të largëta, çdo ndihmë kishte rëndësi, edhe pse mbartëte edhe rreziqe të mëdha. Edhe një djalë 15-vjeçar mund të bëhej pjesë e një rrjeti mbështetës që ndihmonte rezistencën antifashiste shqiptare.

Vëllai i tij, Xhelo Velikaj, ishte angazhuar drejtpërdrejt sepse kishte rrokur armët dhe ishte pjesë e formacioneve partizane pasi ai u rreshtua në Brigadën XIX Sulmuese. Kështu, familja Velikaj kishte dhënë kontribut në disa drejtime të luftës, ndërsa Faiku vazhdonte shërbimet e tij në krahinë. Në 27 nëntor të vitit 1943, jeta e tij mori një kthesë tragjike. Sipas të dhënave të botuara nga Veli Llakaj në monografinë “Krahësi i Sipërm në vite”, por dhe dëshmitë e ish bashjkëkohësve, forcat gjermane dhe formacionet nacionaliste bashkëpunëtore u drejtuan në zonën e Krahësit dhe mbërritën në fshatin Zhulaj. Në këtë ekspeditë, disa banorë të Krahësit u morën me forcë dhe u dërguan në Zhulaj. Midis tyre ndodheshin edhe Vrenoz Zenel Mërtiraj dhe Faik Qamil Velikaj. Sipas rrëfimit historik të cituar në këtë monografi, por dhe në mjaft të dhëna e deklarata të bashkëkohësve por dhe të organizatës së Dëshmorëve në zonën e Krahësit dhe në Memaliaj, Faik Qamil Velikaj u vra nga forcat naziste dhe nacionaliste bashkëpunëtore, sepse nuk pranoi të qëllonte kundër partizanëve. Në atë kohë, ai ishte i identifikuar me një familje antifashiste dhe me një lëvizje që luftonte kundër pushtuesve. Në vend që të shihej si një fëmijë i pafajshëm, i përfshirë në rrethanat e rënda të luftës, ai u bë objekt i hakmarrjes me përgjakje me vrasjen e tij ende i parritur mirë.

Mund të përfytyrohet dhimbja e një familjeje që mëson se djali i saj, ende pa mbushur moshën e pjekurisë, është vrarë vetëm sepse nuk pranoi të qëllonte mbi çlirimtarët e Shqipërisë, mbi ata që e çliruan në fakt Shqipërinë nga bisha e egër nazifashiste, por dhe nga bashkëpunëtorët e fashizmit, që nuk ishin të paktë edhe në Shqipëri sikurse në të gjithë Evropën. Faiku nuk pati mundësinë të rritej, të ndërtonte jetën e tij, të krijonte familje, të shkollohej e të përjetonte vitet e lumturisë, as nuk mundi që ta shikonte Shqipërinë të lirë për të cilën familja e tij kishte kontribuar në shumë drejtime. Ai mbeti përjetësisht në themelet e lirisë së Atdheut, ai mbeti përgjithmonë në moshën 15-vjeçare.

Fakt është se të dhënat e jetës së tij mbi datëlindjen 5 mars 1928 dhe datërënien ekzakte të 27 nëntor 1943, kërkojnë thellim të mëtejshëm dhe verifikim me dokumentacionin historik dhe arkivor, në mënyrë që edhe kronologjia e ngjarjes të saktësohet në respekt të historisë dhe të së vërtetës. Por, pavarësisht nevojës për plotësimin e dokumentacionit, një gjë mbetet thelbësore: Faik Qamil Velikaj humbi jetën në rrethanat e dhunës së ushtruar ndaj banorëve të Krahësit gjatë luftës, duke u bërë pjesë e tragjedisë njerëzore të asaj periudhe. Ka qenë një jetë e ndërprerë në moshën 15-vjeçare, një familje me tradita atdhetare dhe një e vërtetë historike që kërkon ende drejtësi, vetëm në bazë të së vërtetës dhe të ligjit nr. 109/2018 “për shpalljen e tij “Dëshmor i Atdheut”.

*

NJË EMËR NË HARRESË: OXHAKU VELIKAJ DHIMBJA DHE VLERËSIMI I MUNG​UAR

Tragjedia e ekzekutimit të Faik Qamil Velikajt nuk përfundoi me vrasjen e tij. Por përkundrazi, një tjetër padrejtësi nisi të rëndonte mbi kujtimin e tij dhe mbi familjen që kishte dhënë kontribut në Luftën Antifashiste. Pas çlirimit të vendit, familja Velikaj u trajtua fillimisht si familje e dëshmorit. Nëna e tij, Zene, përfitoi trajtim financiar në kujtim të djalit të vrarë dhe ky fakt tregon se sakrifica e Faikut ishte e njohur në një periudhë të caktuar dhe se familja kishte marrë një formë vlerësimi institucional. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Përse vallë ky trajtim i diferencuar për një bir nëne të ekzekutuar me plumba gjatë luftës çlirimtare.

Në vitin 1948, pas dënimit të vëllait të tij, Xhelos, familja u përball me një situatë të rëndë politike dhe ekonomike, ku shtëpia dhe biblioteka me libra e materiale të tjera të familjes së mësuesit të shuar të të gjithë krahinës dhe Tepelenës Ibrahim Selimit u sekuestruan, ndërsa familja humbi edhe trajtimin financiar që kishte përfituar më parë.

Fakt është se ish luftëtari i rreshtave partizane Xhelo Velikaj kishte shprehur pakënaqësi ndaj veprimeve arbitrare dhe abuzimeve të personave që ushtronin pushtet në Krahës dhe në Tepelenë. Për këtë ai u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit të kohës. Ai vetë dhe familja që kishte kontribuar në luftën antifashiste u gjend përballë një periudhe tjetër të vështirë, e cila ndikoi edhe në mënyrën se si u trajtua kujtimi i Faik Velikaj. Fakt ishte se një jetë e humbur në luftë, një nënë që kishte humbur djalin, një vëlla partizan dhe një familje e përballur me përndjekje e privime të kohës. Kjo është tabloja njerëzore që del nga dokumentacioni dhe dëshmitë e përcjella në libra, në arkiva në dokumente e dëshmi të kohës.

Për dekada me radhë, Faik Qamil Velikaj mbeti i renditur në kategorinë si “viktimë e luftës”, pa marrë njohjen e plotë që kërkon familja dhe komuniteti i trevës së Krahësit. Por këtu lind një çështje që shkon përtej kujtesës familjare. A mund të mbetet përgjithmonë një i ri i vrarë në rrethana të tilla vetëm një emër në listën e viktimave, kur rrethanat e vrasjes së tij mund të përputhen me kriteret ligjore për shpalljen “Dëshmor i Atdheut”. Fakt është se kjo çështje mund e duhet të trajtohet ligjërisht dhe që meriton të shqyrtohet seriozisht.

Nga të dhënat arkivore del se në të njëjtën oxhak familjar dhe në të njëjtin mjedis atdhetar, edhe Zyber Brahim Zyka (Velikaj) u vra në Tiranë dhe u shpall “Dëshmor i Atdheut” në vitin 2019, natyrisht me plotë të drejtë. Ky vlerësim përbën një element tjetër të rëndësishëm të historisë së Velikaj-ve, ndonëse çdo rast duhet të shqyrtohet mbi bazën e rrethanave dhe dokumentacionit përkatës ligjor. Këtu historia nuk ndryshohet dhe as e kaluara nuk gjykohet me paragjykime. Kërkohet që faktet të shqyrtohen, dëshmitë të mblidhen dhe e drejta të marrë përgjigjen që i takon. Fakt është se Faik Velikaj nuk ishte thjesht një viktimë pa histori, ndërkohë që ai ishte djali i një familjeje antifashiste, vëllai i një partizani, një i ri që shërbeu si korrier dhe ndihmoi lëvizjen çlirimtare shqiptare, dhe që, sipas dëshmive historike, u vra nga forcat naziste dhe bashkëpunëtorët e tyre për shkak të qëndrimit të tij. Harresa institucionale mund të fshijë për një kohë, apo për një rregjim në copëz të shkurtër kujtese, por nuk mund ta fshijë përgjithmonë të vërtetën historike. Prandaj dhe populli e ka shprehur këtë bindje në një thënie të urtë të njohur: “E drejta zhytet, por nuk mbytet kurrë.”. Kanë kaluar më shumë se tetë dekada nga ajo ngjarje e vrasjes së Faik Velikaj, por koha nuk e ka shuar detyrimin moral, shoqëror dhe institucional për të shqyrtuar drejt sakrificën e këtij të riu vetëm 15 vjeçar.

*

E DREJTA E NJOHJES DHE DETYRIMI I SHTETIT. RASTI I FAIK VELIKAJT I PËRPUTHSHËM SIPAS LIGJIT NR. 109/2018

Çështja e Faik Velikajt nuk është vetëm një kërkesë për rivendosjen e kujtesës historike, por ajo është edhe një çështje që kërkon trajtim institucional dhe juridik, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Më 20 dhjetor 2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut” dhe ky ligj përcakton kriteret dhe procedurat për shpalljen ose njohjen e statusit, si dhe të drejtat dhe përfitimet që burojnë prej tij. Në nenin 2 të ligjit përcaktohet qëllimi i tij për të nderuar personat që, me akte patriotizmi, vetëmohimi dhe heroizmi, kanë kontribuar në luftën për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar të Shqipërisë, deri në dhënien e jetës. Veçanërisht i rëndësishëm për rastin e Faik Velikajt është neni 5, shkronja “d”, ku përcaktohet se Dëshmorë të Atdheut shpallen: “shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945”. Ky përcaktim ligjor ka rëndësi të drejtpërdrejtë për shqyrtimin e rastit të Faik Qamil Velikajt. Nga të dhënat biografike dhe historike të paraqitura, Faiku ishte mbështetës i Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, kryente shërbime në interes të saj dhe u vra në nëntor të vitit 1943, në rrethana që, sipas dëshmive të cituara, lidhen me mospranimin e tij për të qëlluar kundër partizanëve dhe me përkatësinë e tij në një familje antifashiste. Këto rrethana krijojnë një bazë serioze për kërkimin e shpalljes së tij “Dëshmor i Atdheut”, në mbështetje të nenit 5, shkronja “d”. Megjithatë, për një vendimmarrje të drejtë, flasin kriteret ligjore, flasin dokumentacioni, flasin deklaratat në dokumentacionin përkatës, flasin përfaqësuesit e pleqësisë së fshatit të OKDA-së dega Memaliaj, si dhe specialist të Shoqatës së Historianëve Ushtarakë Shqiptarë që e kanë për mision dhe janë njohës të thellë të luftrave dhe të rënëve në gjithë hapësirën shqiptare.

Neni 8 i ligjit përcakton qartë se, për shpalljen e statusit, si burime parësore vlejnë dokumentet e organeve publike të krijuara në kohën e ngjarjes, ndërsa si burime dytësore vlejnë botimet historike, folklorike, publicistike dhe manualet biografike. Në këtë kuadër, monografia e Veli Llakajt, “Krahësi i Sipërm në vite”, botuar nga Shtëpia Botuese “Belina.H” në mars 2009, përbën një burim historik me rëndësi për dokumentimin e ngjarjes. Ajo duhet të shoqërohet, sa të jetë e mundur, me dokumente arkivore, regjistra historikë, dëshmi të kohës dhe dokumentacionin përkatës të familjes. Ligjislacioni përcakton se kërkesa për shpalljen e statusit mund të paraqitet nga përfaqësuesit e familjes së të rënit, përfaqësues të autorizuar të organeve shtetërore, organizatave të dëshmorëve, shoqërisë civile ose deputetë. Por procedura parashikon shqyrtimin e kërkesës në nivel vendor dhe përcjelljen e propozimit pranë Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, pranë MM-së, i cili është autoriteti përgjegjës për vendimmarrjen. Por fakt është se strukturat ligjore në Gjirokastër, institucionet përgjegjëse janë marrë me këtë çështje dhe e kanë quajtur të drejtë kërkesën, por shqyrtimi i dokumentacionit, verifikimi i të dhënave historike, plotësimi i dosjes me burime parësore dhe dytësore dhe përcjellja e saj në organet kompetente për vendimmarrje. Këtu kërkohet një e drejtë që buron nga ligji dhe për respektimin e një sakrifice që i përket historisë së një treve atdhetare të vendit.

Faik Qamil Velikaj meriton të dalë nga hija e harresës, meriton që emri i tij të mos mbetet vetëm në kujtimet e familjes dhe në faqet e librave me monografi historike. Ai meriton që historia e tij të njihet në komunitetin ku lindi, në vendin ku ra dhe në kujtesën kombëtare shqiptare.

Një djalë 15-vjeçar u vra në rrethana të përgjakshme gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që nuk mundi të jetonte vitet e rinisë, të ndërtonte të ardhmen dhe të shihte frytet e lirisë për të cilën kishte kontribuar familja e tij ndër breza. Pas 83 vitesh, shteti shqiptar, komisioni zyrtar qeveritar pranë MM-së, ka mundësinë dhe detyrimin institucional që ta shqyrtojë këtë histori me drejtësi, dhe pa vonesa të mëtejshme të pajustifikuara.

Faik Qamil Velikaj nuk mëshirohet përballë drejtësisë historike dhe njohje ligjore. Shpallja e tij “Dëshmor i Atdheut”, nga organet kompetente, do të ishte një akt nderimi për një jetë të ndërprerë padrejtësisht, për familjen e tij dhe për gjithë Krahësin, njëherazi do të ishte një mesazh se Shqipëria nuk harron bijtë e saj, se sakrifica nuk humbet në kohë dhe se e vërteta historike, sado vonë, duhet të marrë vendin që i takon në histori. Prandaj arsyetojmë dhe gjykojmë që le të mos mbetet Faik Qamil Velikaj vetëm një emër në kujtesën e Krahësit, por le të bëhet pjesë e kujtesës zyrtare dhe e nderimit kombëtar. Populli që nderon bijtë e vet nuk nderon vetëm të kaluarën, sepse ai mbron dinjitetin e historisë së tij dhe ndërton me drejtësi kujtesën për brezat që vijnë. Nderim dhe mirënjohje për Faik Qamil Velikaj, birin e Krahësit, jetën e të cilit nuk arriti ta shuante as plumbi, as dhuna, as përgjakja dhe as harresa.

*

Burimet e studimit: Veli Llakaj, Krahësi i Sipërm në vite, Shtëpia Botuese “Belina”, mars 2009, faqe 179; Të dhënat biografike dhe historike mbi familjen Velikaj dhe veprimtarinë antifashiste në krahinën e Krahësit; Ligji nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, nenet 2, 5, 8, 9, 10 dhe 11; Kërkesë për shpalljen dëshmor i Atdheut Faik Qamil Velikaj, nga përfaqësues i familjes “Velikaj”, Bashkim Llakaj dhe anëtar i Pleqësisë Faik Haxhiaj, më 29.9.2020 dhe 3.8.2020; Prof. Bardhosh Gaçe, Mësuesi Atdhetar Ibrahim Selimi, Tiranë, 2014, faqe 126-127; Gazetën Telegraf, 4 mars 2014, me titull “Bardhosh Gaçe: Rilindja e mësuesit atdhetar Brahim Selimi”; Biografi e Faik Qamil Velikaj (1928-1943); Veli Llakaj, Lufta e Moglicës më 25 qershor 1943; Vërtetim i Kryeplakut të fshatit Krahës i Sipërm Gëzim Zykaj dhe Kryetaritt ë dëshmorëve të zonës së krahësit Fiqiri Shehu dhe Kryetarit të OKDA-së Bashkia Memaliaj Novruz Hysi; Shkrimi mbështetës për ngjarjen e nëntorit 1943 “80 vjetori i një historie të pashkruar” shkruar në nëntor 2023 nga Bashkim Llakaj dhe Bastri Velikaj; Fakt nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare për luftrat dhe dëshmorët, shkruar nga Pelivan Hysi dhe Bernard Zotaj për veprimtarinë e BK në zonën e Krahësit, dokumentat e AQSH dosja 221 dokumenti 321/1, projekthistoriku i Krahësit nr.1 faqe 12, Historiku i rrethit të Tepelenës faqe 205; Dokumente të SHPUNCSH, Vëll I, Tiranë 1976, faqe 318; Propozim i SHAK “Treva e Krahësit” për shpalljen dëshmor i Atdheut Faik Qamil Velikaj, përgatitur nga sekretari Hajro Caushi dher kryetari Pelivan Hysi, më 18.8.2020 drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes; Burime parësore janë edhe Deklaratë e veteranit Xhelal Gjysh Shytaj e datës 23 dhjetor 2019 në një faqe; Deklaratë e veteranit Iliaz Xhelil Karafili e datës 23 dhjetor 2019 në një faqe; Deklaratë e veteranit Bajram Shabani e datës 23 dhjetor 2019 në një faqe; Deklaratë e Bastri Adem Velika dhe firmosur e vërtetuar nga kryeplaku Bashkim Llaka në katër faqe e datës 10 gusht 2020 .

-&-