Me armë kundër fashizmit
Liri Belishova është sot 90 vjeç. E ndodhur në një moshë të vogël në momentin kur luftohej për çlirimin e Shqipërisë, ajo rrëfën idealet e rinisë së kohës së saj. Motivin për të luftuar. Por edhe zhgënjimet e një sistemi ndryshe nga ajo që kishte menduar dhe pritur.
Ajo e krahason diktatorin Hoxha me Çausheskun dhe ndihet e keqardhur me pushkatimet në masë për eleminimin e rivalëve të sistemit totalitar. Megjithëse ka jetuar gjatë, ajo ka parë pak ditë të bardha në jetën e saj. Me zonjën Belishova bisedoi gazetarja Jetona Koçibelli.
TCH: Zonja Liri, në vitin 1939 ishit vetëm një fëmijë, si e kujtoni atë kohë?
Liri Belishova: Nuk kisha mbushur as 13 vjeç. Ato demonstrata spontane të rinisë kundër okupacionit patën rëndësi, se propaganda fashiste ishte që populli shqiptar, i pakënaqur nga Ahmet Zogu, i kërkonte Italisë ta shpëtonte nga ky sundimtar.
TCH: Si ishte lufta, çfarë mbani mend nga ajo kohë?
Liri Belishova: Rezistenca në qytet, kur vajzat merrnin pjesë në mbledhjet antifashiste dhe dilnin në demonstratë. Unë syrin e kam humbur në demonstratë.
TCH: Po shoqet tuaja i mbani mend, kanë ngelur disa prej tyre sot?
Liri Belishova: Nga ish-shoqet e mia jetojnë Nexhmije Hoxha dhe Vito Kapo. Më kanë vdekur shoqet, një e nga një.
TCH: Çfarë mendonit pas luftës?
Liri Belishova: Ishte gëzimi i madh, sepse gjatë luftës na u vranë shumë shokë e shoqe. Filluan edhe shumë diziluzione. Mendonim se komunizmi do të ishte një shoqëri e drejtësisë, e mirëqënies. Një ylber që rendëm pas tij por s’e kapëm dot kurrë.
TCH: A keni ndonjë dhembje të veçantë për dikë që është pushkatuar pas luftës?
Liri Belishova: Më ka ardhur keq për vëllezërit Kokalari. Ata ishin njerëz demokratë dhe patriotë dhe vrasja e tyre më ka bërë shumë përshtypje.
TCH: A mund ta krahasoni diktatorin Hoxha me dikë tjetër?
Liri Belishova: Tani është kollaj të flasësh për Enver Hoxhën, me Çausheskun ndoshta.
TCH: Edhe ju jetuat gjatë dhe jetoni ende, çfarë ju ka mbajtur gjallë deri tani?
Liri Belishova: Kur të arrini në moshën time do më kuptoni. Edhe unë çuditem dhe them, paskam qenë shumë e fortë. Por nganjëherë mendoj se do të kishte qenë më mirë të kisha vdekur.