Mogherini: Punoj që ta shoh secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor të ecë në rrugën e reformave
Po punoj që ta shoh secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor të ecë në rrugën e reformave drejt Bashkimit Europian e për t’u siguruar që procesi është i pakthyeshëm.
Kështu deklaroi Federica Mogherini përpara nisjes së turit të saj në rajon, i cili e sjell në Shqiperi dhe e çon gjithashtu në Kosovë, Bosnje, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni.
Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten të një rëndësie kyçe në këtë kontekst, shtoi shefja e diplomacise europiane.
Përfaqësuesja e Lartë e çështjeve të jashtme dhe politikave të sigurisë në BE e nis valën e vizitave në Podgorice, ku do t’i drejtohet Parlamentit gjatë një seance të posaçme.
Të premten, pas vizitës në Serbi, ajo do të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar, ku do të takohet me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, përfaqësues të partive parlamentare dhe do të bashkëbisedojë me studentët e Universitetit të Tiranës.
Vizita e kryediplomates europiane vjen në mesin e protestave të rrugës të organizuara nga Partia Demokratike dhe të reformës së rëndësishme në drejtësi, të vendosur nga BE-ja si kusht për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Një situatë e ngjashme, ndonëse në kontekst krejt tjetër, e pret dhe në Maqedoni, ku mbështetës të partisë në pushtet VMRO-DPMNE kanë dalë në rrugë kundër krijimit të një koalicioni qeverisës të LSDM-së me partitë shqiptare.
Axhenda në Serbi do të përfshijë edhe diskutime mbi të ardhmen e dialogut Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ndërsa në Kosovë, karahas takimeve me zyrtarët e lartë të Prishtinës, Mogherini do të përurojë hapjen e urës së rindërtuar të Ibrit në Mitrovicë.
I gjithë rrugëtimi i Mogherinit në fakt ndërmerret në një kohë tensionesh etnike dhe politike që kërcënojnë, sipas ekspertëve, minimin e proceseve integruese të rajonit dhe vizita e saj duket se synon pikërisht qetësimin e tyre.