Albspirit

Media/News/Publishing

Qeveria bllokon transparencën, fsheh të dhënat e QKR-së

Fshirja e të dhënave të cilat prej më shumë se 1 dekadë kanë qenë të publikuara online në respekt të të drejtës së informimit dhe transparencës pas gjykatave prek dhe Qëndrën Kombëtare të Bizneseve.

Nëse deri dje nga ky server janë zbuluar me 100 veprimtari të paligjshme, të dyshimta si dhe është informuar publiku me pronarët e pasurive shtetërore apo koncesioneve sot kjo është e pamundur.

Nga një vëzhgim i Report TV, nga këqyrja e faqes duke zgjedhur biznese të rastësishme, rezulton se esktraktet e tyre historike nuk janë më të disponueshme online.

Por çfarë përmban ekstrakti historik?
Një pjesë e konsiderueshme e bizneseve janë hapur në Shqipëri me vendim gjykate pasi më parë QKR apo QKB nuk ka ekzistuar. Pikërisht këto vendime kanë qenë të pasqyruara këtu.

Por jo vetëm kjo, në ekstraktin historik paraqitej gjithçka për bizneset apo kompanitë nga krijimi i tyre, ortakët, adresat, bilancet e deri tek statuset aktiv apo pasiv dhe pagesat e taksave.

Por ajo çka e bën absurde këtë vendim të QKB-së për të fshehur të dhënat e bizneseve është dhe shkelja e ligjit nga vetë ky institucion.

Referuar 11 neneve të Misionit të vetë QKB-së në pikën D thuhet e zeza mbi të bardhe se “Misioni i Qendrës Kombëtare të Biznesit është: të publikojë të dhënat e regjistruara, sipas ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit, si dhe siguron aksesin e lirë të publikut në to”.

Prej 10 vitesh kjo dritare transparence, informacioni është njohur si Qendra Kombëtare e Regjistrimit e cila tashmë është futur nën ombrellën e Qendrës Kombëtare të Bizneseve e cila jo vetëm ka bllokuar informacione të dobishme të cilat nuk përdoreshin vetëm nga media.

Përdorues të këtyre shërbimeve ishin së pari vetë biznesi, aksionerët e bizneseve, media, institucionet publike, prokuroria, gjykata, administrata publike e shumë të tjerë.

Report Tv do ta ndjekë këtë situatë jo vetëm me Qendrën Kombëtare të Biznesit por dhe me gjykatat ku të hënën kreu i Gjykatës së Tiranës ka njoftuar se do të reagojë duke treguar se përse fshehu nga serveri të dhënat me vendimet gjyqësore dhe oraret e palët në proceset ndërgjygjëse.

Please follow and like us: