Albspirit

Media/News/Publishing

Alarmi nga rreziku rus: Në Shqipëri tentohet skenari maqedonas

11 kongresmenë republikanë kërkuan një rezolutë për të dënuar Rusinë për ndërhyrjet e saj në vendet para zgjedhjeve. Në listën e vendeve të përmendura nga kongresmenët ishte edhe Shqipëria. Në Sarajevë, BE afroi në një tavolinë edhe një herë liderët e 6 vendeve Ballkanike, por rajoni mbetet i tensionuar ndërsa dora ruse po trazon zhvillimet nga Podgorica në Shkup, nga Beogradi në Prishtinë dhe së fundmi në Tiranë.

Shqetësimi amerikano-evropian për fushatën e destabilizimit që përhapet nga Moska pranohet nga studiuesit e njohur Ksenofon Krisafi dhe Arjan Durmishi.

“S’ka dyshim që situata në rajon ka një lloj degradimi në raport me periudhat e mëparshme. Kjo është edhe arsyeja që ka shkaktuar një shqetësim të ligjshëm në këto faktorët rajonalë-evropianë. Do të mjaftonte diçka shumë e vogël që pasojat, tensionet, krizat që zhvillohen përreth Ballkanit të shkarkohen në vende të ndryshme të Ballkanit”, u shpreh historiani Ksenofob Krisafi.

“Në fakt administrata amerikane është e paqartë në drejtim të rajonit”, thotë Arjan Dyrmishi, ekspert i sigurisë kombëtare.

Modeli autoritarist rus i qeverisjes frymëzon liderët ballkanikë, po ashtu investimet ruse në naftë, gaz, turizëm blerje pasurish të patundshme dhe media.  Forma të reja hibride për influencë, jo pushtim territoresh me tanke dhe avionë.

“Rusia është tej mase e interesuar për të qenë e pranishme këtu dhe për të ndikuar për këto lloj zhvillimesh jo fort të këndshme”, shprehet historiani Krisafi.

“Ka faktikisht tregues që rusët janë të gatshëm për të përdorur të gjithë mekanizmat që kanë në dispozicion. Krimin, transportimin e modelit autokratik aty ku dobësia ekziston për t’i dhënë një lloj imazhi që e pëlqejnë udhëheqësit e rajonit”, shprehet eksperti i sigurisë kombëtare, Dyrmishi.

Dy studiuesit evidentojnë gjurmë ruse pas problemeve aktuale politike në Shqipëri. Sipas skenarit maqedonas dhe atij malazez po synohet që vendi ynë të përjetojë një situatë të nderë, me mungesë qeverisjeje afatgjatë dhe shtyrje të zgjedhjeve.

“Në Shqipëri, shohim çfarë ka ndodhur. Një vend që ka pasur një lloj stabiliteti, ka hyrë në një krizë të caktuar. Një krizë që frymëzohet dhe ngarkohet së tepërmi nga individë të caktuar, apo forca politike, kryesisht mëkatare, që për t’i shpëtuar përgjegjësisë së vet pengojnë të ardhmen e vendit. Jo vetëm kaq por janë shumë të gatshëm ta fusin vendin në një periudhë destabiliteti, në një degradim politik me pasoja shumë të rënda”, thekson historiani Krisafi.

“Fakti që flitet për një diskutim, për shembull për të zgjatur procesin, për të mos pasur zgjedhje ndoshta ditën e caktuar, por disa ditë më vonë krijojnë situata të ndera si ato në Maqedoni”, shprehet Arjan Dyrmishi, ekspert i sigurisë kombëtare./TCh/

Please follow and like us: