Albspirit

Media/News/Publishing

Igli Tare: Ja si mundet Italia

Ish-bomberi i kombëtares shqiptare të futbollit, i cili aktualisht është drejtori sportiv i Lacios, në një intervistë për “Procesi Sportiv” në “Top Channel”, ka komentuar përballjen e radhës për kuqezinjtë, rëndësinë e saj, mënyrën si duhet të paraqiten futbollistët tanë. Tare gjithashtu ka folur për mundësinë e rikthimit të kontribuojë për futbollin shqiptar, si dhe për vazhdimësinë e punës së trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi.

Përjetimi

“Është ndeshje edhe për italianët shumë e rëndësishme, për vetë faktin se fitorja me Shqipërinë do t’i jepte mundësinë për të luajtur me Spanjën për vendin e parë. Kanë shumë respekt për skuadrën tonë, edhe pse e dinë që ka disa mungesa. Nuk besoj se është për t’u nënvlerësuar, sepse skuadra jonë, me mënyrën e saj të lojës e ka treguar veten kohët e fundit se mund të vërë në vështirësi çdo skuadër. Nuk besoj se e kanë marrë më nënvlerësim”.

Palermo

“Them që e kanë vlerësuar shumë, jo vetëm skuadrën, por edhe tifozërinë shqiptare. Kështu që i kanë marrë masat me kohë. Stadiumi, kur është i mbushur plot, ka një atmosferë shumë të mirë, sepse është një stadium futbolli pa pistë. Unë kam pasur mundësinë të luaj vetë aty dhe ai ambient është shumë i bukur dhe shumë emocionues për të luajtur një ndeshje futbolli”.

Strakosha

“Nuk besoj se është një pyetje që mund të më drejtohet mua. Tomas është një djalë që ka fituar siguri dhe muajt e fundit kanë qenë shumë pozitivë për të. Fakti që mund të luajë titullar kundër Italisë në ndeshjen e tij të parë me kombëtaren, është diçka shumë motivuese edhe për të. Nuk besoj se nga ana psikologjike do të ketë një problem.

Është një portier që, ndoshta në të ardhmen, do të jetë portieri titullar i Kombëtares shqiptare, sepse ka disa veti shumë të veçanta, sidomos për sa i përket lojës me këmbë, duke qenë një lojtar, një libero i shtuar për një skuadër që ka nevojë shumë për qarkullimin e topit. Absolutisht po që është fakt pozitiv që ai i njeh sulmuesit italianë! Sulmuesit e Kombëtares italiane janë shumë të rrezikshëm. Duke pasur parasysh Belotin ose Imobilen”.

“Receta” kundër italianëve

“Vetëm loja si skuadër. Loja si ekip mes linjave, ku duhet të jemi shumë kompaktë. Unë besoj se De Biazi e ka analizuar shumë mirë ndeshjen me Spanjën dhe nuk besoj se do të bëjmë atë gabim që bëmë me Spanjën që u mbyllëm përpara portës dhe për të shpresuar për ndonjë mrekulli”.

igli-tare

Shqipëria në ndeshje të tilla

“Të tilla ndeshje, kombëtaren shqiptare e ndihmojnë shumë për nga ana e përvojës, sepse është një kombëtare e re, me lojtarë të rinj dhe këto lloj ndeshjesh janë shumë të vlefshme për formimin e kësaj skuadre.

Nga këtu, për të pretenduar që Shqipëria do të jetë protagoniste për të shkuar në Botëror, duke pasur parasysh që ka kundërshtarë Spanjën dhe Italinë, duhet të jemi të gjithë realistë. Gjithsesi, nuk kemi asnjë arsye që të shkojmë në Palermo dhe të luajmë pa besim ose pa dëshirë për të treguar edhe ne nivelin tonë. Tashmë kjo skuadër e ka nivelin për t’i vënë në vështirësi skuadrat e mëdha”.

Rikthimi në Shqipëri

“Një ditë do të kisha shumë dëshirë që atë përvojë që ne kemi ta vëmë në punë për Shqipërinë, për vendin tonë. Mendoj se është akoma larg ky moment, por më bëhet qejfi që gjithmonë mendimi dhe dëshira janë aty”.

Menaxherët për lojtarët shqiptarë

“Nuk besoj sepse janë lojtarë që kanë një status që e pengon pak afrimin e tyre në kampionatin italian. Kjo, duke pasur parasysh edhe rregulloren që ka ky kampionat me afrimin e një apo maksimumi dy lojtarëve ekstrakomunitarë.

Kjo është një pengesë e madhe, sepse niveli i lojtarëve tanë, edhe pse niveli i tyre është i mirë, për skuadrat nga mesi i sipër në Itali është e vështirë që të kenë një mendim për ta. Unë kam një mendim personal, që Cikalleshi apo Sadiku që janë lojtarë që kanë karakteristikat e duhura për të luajtur në futbollin italian, mund të jenë të vlefshëm”.

Vazhdimësia e Tares dhe De Biazit

“Preferoj që të mos përgjigjem për këtë, por unë jam shumë i lumtur te Lacio dhe nuk kam asnjë lloj projekti në këto kohë, sepse jemi duke luajtur objektiva shumë të rëndësishëm dhe çdo gjë që do të flitej dhe komentohej në këtë moment, do të ishte shumë e dëmshme. Jam maksimalisht i përqendruar vetëm në punën time.

De Biazit i uroj që të rrijë akoma më tepër te Shqipëria, sepse është trajner që i ka treguar vlerat e tij. Edhe me një kritikë të vogël që, Europiani është eksperiencë unike, por duke filluar nga ai i pari dhe të gjithë të tjerët të kthehen me këmbë në tokë duke e parë realitetin me sytë e vet”.

Please follow and like us: