Albspirit

Media/News/Publishing

AUTOGOLI I LSI ME MATURËN SHTETËRORE DHE ARSIMIN E LARTË

Dr. Ndriçim Mehmeti

Për ta sqaruar që në fillim nuk dua, nuk kam ndërmend dhe nuk i jap vetes tagrin të përzihem në cic micet politike PS-LSI, të cilat, ditët e fundit kanë si shënjestër arsimin. Fillimisht ishte Ilir Meta, i cili prej vitit të kaluar dhe më shumë këtë vit foli për një trajtim të drejtë të maturantëve. Më pas flamurin e betejës e mori bashkëshortja e Ilir Metës, znj. Kryemadhi e cila filloi ta bëjë kauzë të vetën, por edhe të LSI-së arsimin.

Madje në debat u përzie edhe deputetja-studente Mehmetaj. Në pamje të parë, ky duket një interesim u drejtë i politikës për mirëqenien e të rinjve shqiptarë.

Por në rastin konkret kemi një autogol të LSI, i cili vendos shumë për moraliteitin e kësaj force politike. LSI, prej vitit 2009 e në vazhdim mban në Ministrinë e Arsimit postin e zëvendësministrit. Prej vitit 2013, zëvendësministrja e emëruar nga LSI, mban postin dhe përgjegjësinë më të partë zyrtare e politike për Maturën Shtetërore, pasi është kryetare e Komitetit të Maturës në nivel ministrie.

Prej vitit 2013, është zëvendësministrja që mban përgjegjësi për arsimin e mesëm. Nuk arrijmë të kuptojmë se përse dy muaj para zgjedhjeve, LSI, kërkon të bëjë përgjegjëse për keq menaxhim të procesit të Maturës Shtetërore, ministren Nikolla. Ministrja ka kusuret e veta “me okë e me thasë”, siç thotë populli, por po kaq përgjegjëse në mos ca më shumë është e emëruara prej LSI në Ministrinë e Armimit. Për të shkuar më tej, LSI ka modelin më famëkeq në drejtimin dhe menaxhimin e arsimit parauniversitar në nivel vendor, që është Luiza Bakiasi-Tabaku. Korrupsioni i shumë përfolur për shitjen e vendeve të punës të mësuesve në shifrat 3, 4 5 mijë euro, e vërtetoi Luiza me bllokun e zi që nuk i ndahet LSI-së.

LSI nuk duhet të ankohet fare, madje të ketë mundësi të fshihet në pamundësi për të kërkuar ndjesë, pasi i është përgjigjur kritikave të opinionit, ekspertëve dhe opozitës, me të vetmen shprehje “ në kohën tuaj kopjohej dhe shiteshin teza”. Nuk dihet se për cilën periudhë bëhet fjalë, para apo pas marrjes nga LSI të postit të zëvendësministrit, por kjo shprehje ishte i vetmi justifikim për shkatërrimin me themel të Maturës Shtetërore, prej vitit 2013 e në vijim.

Po ashtu LSI, mban përgjegjësinë e vet për pranimet në universitet. Në një lëvizje spektakolare, manipuluese, mashtruese e tepër të dyshimtë, deputetja-studente e LSI-së, mblodhi vitin e kaluar “urgjent” kryesinë e LSI.

Madje për të na treguar sesa seriozisht e kishte LSI punën e të rinjve, erdhi me shpejtësi rrufe edhe vetë Ilir Meta në selinë e LSI. Por sikundër edhe në lëvizje të tjera, edhe kësaj radhe “u mbars mali e polli një mi”. LSI i bëri thirrje ministres Nikolla për “qetësi e dashuri” dhe sidomos për një shikim të vëmendshëm të kandidatëve të saj për studentë. Me kaq davaja u mbyll. Tani që fushata ka trokitur më egër se kurrë, mes dy aleatëve filluan ngacmimet në distancë, që kërkojnë të tërheqin shumë vëmendje e në fund, nuk do të ketë as tym e as zjarr.

Monika përpiqet të bëjë babaxhanen me fatin e maturantëve, Kejdi të fitojë një mandat të dytë, që do t’i jepte njëkohësit edhe doktoraturën falas e pa pagesë, ndërsa të rinjtë e LSI, do të kenë mundësi që me “forcat e tyre”, të regjistrohen në universitetet që dëshirojnë. Të tjerët të ngrohen në diell. Akoma dhe më qesharak është premtimi i meruar i LSI-së, se “këtë vit do të punojmë fort që të mos përsëriten gabimet e vitit të kaluara”.  Kjo deklaratë jo vetëm që fyen inteligjencën e shtresës mediokre të shqiptarëve, pale të atyre inteligjent, por është e paprecedent në llojin e saj. Për çfarë të metash bëhet fjalë, kur vitin që kaloi procesi u quajt prej krerëve të MAS, përfshi edhe autoren e deklaratës si “ekselent”?

Çdo të thotë do të punojmë fort? Më e kuptueshme do të ishte deklarata se “do të bëjmë detyrën”, duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të publikut, që në këtë rast janë të rinjtë dhe prindërit e tyre. Dhe për ta mbyllur me kapitullin e arsimit parauniveristar, LSI, kontribuoi, votoi dhe pranoi me shumë dashuri e qetësi, ligjin e arsimit profesional, që e shkatërroi tërësisht këtë sektor.

Akoma më i pamoralshëm, hipokrit, i papërgjegjshëm dhe i pafytyrë është qëndrimi i LSI ndaj reformës në arsimin e lartë dhe ligjit në veçanti.

LSI ngriti të dy duart në mbështetje të ligjit të arsimit të lartë. Deputetja-studente, na solli edhe frymën pozitive që kishte fituar ligji dhe reforma e re në radhët e studentëve. Kaq shumë lajka e furçe mori prej LSI, reforma e arsimit të lartë, saqë ministrja e pranishme në sallën e parlamentit nuk i mbajti lotët.

Tani LSI, pendohet e thotë se “paska bërë gabim”. Shumë mirë. Pa e paragjykuar aspak e pranojmë si fakt. Nëse LSI e ka seriozisht, mund të na mbush mendjen nëse ndërmerr këto hapa: 1. Deputetët e saj thërrasin në interpelancë kryeministrin dhe ministren e arsimit duke i kërkuar se përse 18 muaj pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit të arsimit të lartë, ai mbetet i pazabtueshëm; 2. Të sjellin në parlament një draft me amendamente për të përmirësuar ligjin pse jo dhe për ta rrëzuar; 3. T’i kërkojnë ministrisë së arsimit të gjejë modalitetet për të pezulluar ligjin. Është e sigurt se këto hapa nuk kanë ndërmend të merren për sa kohë LSI, nuk ka asnjë interes ta bëj këtë. Nuk ka interes, sepse e ka parë arsimin parauniversitar,  si një mundësi por të mbushur thesin e saj me vota, lekë dhe trafiqe influencash; nuk ka interes për sa kohë përmes arsimit punëson mësues; nuk ka interes sepse mundëson që të rinjtë të marrin shkollën e të fitojnë të drejtën e pranimit në universitet pa u djersitur fare, mjafton t’i shërbejë LSI-së në fushatë. Nëse është ndryshe le të na i faktojë me vepra e jo me fjalë fb, që nuk pinë ujë gjëkundi.

LSI është e dorëzuar para veprimeve antiligjore dhe krimeve të kryera në arsim gjatë Rilindjes. Madje ajo ka ndihmuar e mbështetur PS, për të instaluar këtë sistem kriminal, të degraduar e të korruptuar të arsimit në Shqipëri.

Pra me pak fjalë, LSI bekoi të gjitha anti-reformat në arsimin parauniversitar, nuk foli asnjë fjalë dhe tani kuron të shpëtojë lëkurën e saj të zgjebosur, duke marrë flamurin e shpëtimtarit të Maturës Shtetërore dhe arsimit të lartë. Natyrisht që anëtarët e LSI-së i besojnë fort “kësaj kauze”, të cilën jo vetëm, Monika e Iliri nuk e besojnë, por as emisarët e tyre në MAS apo Drejtori Arsimore, Zyra Arsimore a gjetiu në ndonjë institucion arsimor. Lufta për vota e Lezhës, nuk e përmirëson dot arsimin në Shqipëri dhe as i heq përgjegjësitë e mëdha që rëndojnë mbi LSI në këtë sektor.

 

Please follow and like us: