Kavaja është bojkoti që Rama i bëri opozitës; tani vjen lëshimi
Presidenti i Republikës ka dekretuar 7 majin si datë të zgjedhjeve lokale ‘të parakohshme’ apo ‘të jashtëzakonshme’ në Kavajë. Shkaqet e kësaj ‘përballjeje jashtë sezonit elektoral’ dihen, por një përsëritje i bën mirë alzhajmerit politik lokal e kombëtar. Kryetari i Bashkisë së Kavajës nuk e la vendin vakant, as si pasojë e vdekjes (larg qoftë!), sëmundjes, dorëheqjes apo çfarëdoqoftë aksidenti a incidenti tjetër. Elvis Roshi u detyrua të largohej, edhe pse rezistoi deri në fund, deri në dëshpërim, deri në alogjikë, deri në kapje-me-këmbë-e-duar pas postit, nga shtrëngesat e ligjit për dekriminalizimin dhe trusnia e pandërprerë e opozitës.
Elvis Roshi u bë epitoma e stilit dhe thelbit politik të Edi Ramës. Ai ishte aministia fiskale dhe ligjore e tij, underworld-i i kthyer në ‘the way the world is’.
Por, si çdo gje e shkuar mbrapsht që sjell një të mbarë, Elvis Roshi i ka shërbyer opozitës shqiptare dhe opinionit publik, ose asaj pjese të tij që nuk e sheh botën nga teleskopi i Ramës, një rast flagrant e shembullor daljeje, bash nga gjendja që Rama dhe ai me shokë prodhuan.
Zgjedhjet ‘e jashtëzakonshme’ të 7 majit në Kavajë. Ja se si.
Qeveria dhe ‘logjicienët’ e saj televizivë ngulmojnë se opozita është duke e kërkuar pushtetin në tavolinë, dhe një qeveri teknike dy muaj para zgjedhjeve parlamentare, përbën një precedent të rrezikshëm. Demokracia me mjetet e saj, të së pamundurës së mundur, i përgënjeshtron.
I përgënjeshtron dhe kundërshton 7 maji, i cili, përtej koncepteve ligjore dhe agumentimeve politike është një ‘zgjidhje në tavolinë’ për pushtetin e bashkisë së Kavajës. Sigurisht, që kundër-argumenti do të vijë i tillë: Zgjedhjet atje janë brenda kushtetutës dhe jo jashtë saj; precedentë të tillë ka sa të duash, e me radhë.
Megjithatë, te Kavaja është elementi i mozaikut, është fryma e pushtetit, është njësia që shpjegon modelin e madh të Shqipërisë politike të Ramës. Ju e dini, edha ata vetë e dinë se, ka ‘roshër’ të tjerë nëpër bashkitë e Shqipërisë; ka kodoshë të tjerë në parlament, ka kokoroçë të tjerë në degët lokale të partisë.
Thirrini kujtesës: ka dy vjet që mazhoranca e bojkoton Kavajën; bojkoton logjikën se diçka nuk shkonte atje; bojkoton përpjekjet ligjore e publike për të zbardhur ‘misterin’ e shumë emrave dhe shumë rekordeve; bojkoton një exit strategy. Edi Rama qeshte me të madhe me konceptin e dekriminalizimit, siç qeshte edhe me kanabizimin e Shqipërisë. Ai e bojkotoi konceptin e debatit publik për mangësitë e qeverisjes, duke i vënë përballë një propagandë gëbelsiane.
Pra, është zoti Edi Rama që ia ‘ka mësuar’ bojkotin opozitës. Ai është sjellësi i bojkotit të cilin sot e quan ‘fatkeqësi’.
Opozita do t’ia lërë ‘zonë të lirë’ Kavajën me 7 maj duke mos i vënë kandidat përballë. Siç bëri me Laçin në zgjedhjet e para dy viteve. Siç bëri me Këlcyrën po aq kohë më parë. Opozita, me sa duket, z. Rama, i ka bërë lëshimet e saj pa shkuar te bojkoti. Duke ia marrë për dobësi, vazhdove me marshimin e armatës brankoleone dhe e shtyve opozitën në cep të ringut me shpatulla në litarë.
Nuk i kuptove dot lëshimet e opozitës dhe, si moskuptim, more bojkotin e saj. Tani lëshimet duhet t’i bësh ti. Ose ta mbash Kavajën si nën Baba Dovletin, që je vetë ti.