Albspirit

Media/News/Publishing

Serbët, peticion kundër mikeve të Kosovës, Natasha Kandiçit e Sonja Biserkos, si armike të Serbisë

Ben Andoni

Dy militantet e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiç dhe Sonja Biserko janë rregullisht të artikuluara si armike në Serbi. Etiketimi i fundit u është përsëritur aq shumë sa për to nuk përbën më asnjë shqetësim. Porse në orët e fundit, kërcënimi ndaj tyre ka marrë peshë pasi në rrjetet sociale është publikuar një peticion, ku i bëhet thirrje shtetit që t’i marrë shtetësinë e Serbisë dy aktivisteve joqeveritare Sonja Biserko e Natasha Kandiç.

Portali i parë që e ka bërë me dije peticionin ka qenë “Dnevni zhurnal”, që citohet duke thënë se: me prononcimet e me qëndrimet e tyre të rregullta politike, në median vendase dhe të huaj janë bërë simbole të mendimit të ndryshëm serb diversionist.

Në fakt, Natasha Kandiç e Sonja Biserko, konsiderohen sot si simbole të antiserbizmit dhe pjesa nacionaliste i ka në targetin e tyre fyes. Peticioni i përshkruan si “fashiste”, ndërsa organizatori bën me dije se: “Qëllimi është që të mbledhim sa më shumë nënshkrime për t’ua marrë shtetësinë këtyre fashisteve dhe për t’i dëbuar ato nga vendi ynë”, shkruhet në faqen online të peticionit.

Natasha Kandiç ishte gruaja që mori pjesë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në aktin e madh të parlamentit të Kosovës dhe një veprimtare e madhe e të drejtave të njeriut, duke mbrojtur çështjet e kosovarëve, kurse Sonja Biserko është kryetare e Komitetit të Helsinkit serb. Të dyja bashkë kanë kontribuar në zbardhjet e krimeve të kriminelëve serbë e shqiptarë kundër popullatës së pafajshme shqiptare por edhe serbe.

Në fakt, akti më i madh i fundit i Natasha Kandiç ka qenë akuza ndaj Ljubisha Dikoviçit, Shefit të Shtabit të Ushtrisë në Serbi, se në zonën ushtarake, ku ka shërbyer vite më parë janë vrarë 53 shqiptarë. 72-vjeçarja prej veprimtarisë së saj e ka nderuar çështjen e të drejtave civile të vendit të saj, por edhe asaj ballkanike në përgjithësi. Dikoviç i kërko 1 milion Dinar (1 Euro=128 Dinar) dëmshpërblim, një shumë që është shumë e madhe për kushtet e rrogave serbe.

Kurse Sonja Biserko, si presidente e Komitetit të Helsinkit të Serbisë, është tejet direkte në prononcimet e saj. Kohë më parë, ajo ka bërë një deklaratë që i shokoi serbët, kur deklaroi për revistën kroate “Vijenac”, se e gjithë historia e Serbisë është “një gënjeshtër e madhe”. “Serbia nuk ka qasje të vërtetë për një pjesë të historisë së saj që lidhet me Perandorinë Osmane. Nga injoranca e fakteve ka krijuar mitin për Kosovën, për heroizmin serb dhe mbretërinë qiellore. E gjithë historia e Serbisë është një gënjeshtër e madhe”, ka thënë atëherë ajo, duke ngjallur shumë reagim.

Sonja Biserko ka qenë gjithnjë shumë aktive dhe për problematikën shqiptare të Kosovës.

Please follow and like us: