Blushi: LIBRA nuk e voton Metën, president për t’i ikur krizës
Ben Blushi është kundër zgjedhjes së Metës si presidenti. Blushi është shprehur se do japë votën e tij kundër zgjedhjes së Ilir Metës President. Sipas tij, ai po shkon drejt këtij posti për shkak të frikës dhe jo për shkak të shpresës.
“Kam patur të drejtë kur kam thënë se kriza po hyn në krizë. Ilir Meta kërkon të zgjidhet President në mes të krizës, për shkak të krizës dhe në kurriz të krizës, për t’i ikur krizës”,- thotë Blushi.
Blushi thekson ndër të tjera se LIBRA nuk mund të votojë të shkuarën por të ardhmen.
“Kur të gjithë duhej të lëshonim diçka për të lehtësuar peshën e anijes së Shqipërisë që po mbytet, ky mori edhe atë pak pushtet që kishte mbetur. Ilir Meta u bë President nga frika dhe jo nga shpresa. Ilir Meta është Presidenti i Rilindjes dhe jo i Popullit. Është Presidenti i të shkuarës jo i të ardhmes. E si mund ta votoj? LIBRA voton vetëm të ardhmen”, – përfundon Blushi.