Kokëdhima: Baza e PS e tradhtuar nga lidershipi i saj
Themeluesi dhe drejtuesi i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut është shprehur se baza e Partisë Socialiste ndihet e tradhtuar nga lidershipi i saj. “Baza e Partisë Socialiste është tradhtuar nga ana e bazës së saj. Edi Rama, por edhe liderët e tjerë politikë në vend kanë tradhtuar idealet e bazës. Unë jam për reformimin e PS-së, për të diskutuar brenda kësaj partie politike. Unë kam publikuar pikëpamjet e mia gjatë 3 viteve që jam aktiv në politikë. Unë kam parë aty se PS ishte e shkatërruar prej udhëheqjes së vet, atyre që ishin në krye të partisë”, tha Koço Kokëdhima.
Ne vijim Koço Kokëdhima u shpreh se reforma në drejtësi ka rënë, së bashku me reformën zgjedhore. “Unë them që reforma në drejtësi ka rënë, së bashku me reformën zgjedhore. Lidhur me reformën në drejtësi, dua të them se kam qenë kundër shkeljes të sovranitetit kombëtar. Ndërkaq, që reforma zgjedhore ka rënë, për shkak se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fillimisht e nisi Partia Demokratike kulturën e vjedhjes së votave, kurse më tej e nisi edhe PS. Të dyja palët kanë shkatërruar sistemin zgjedhor në vend. Edhe këto zgjedhje do të jenë të manipuluara dhe të rrënuara, për shkak se nuk është kryer reforma zgjedhore dhe do të kryhen krime elektorale”, tha Koço Kokëdhima.